BallinaKryesoreMessi, një Botëror me pesë yje/ Ja 10 arsyet pse Katari na...

Messi, një Botëror me pesë yje/ Ja 10 arsyet pse Katari na dhuroi versionin më të mirë të Leos

spot_img

Lionel Mesi po luan Botërorin e tij të pestë dhe mund të themi pa frikë se ky edicion na ka dhuruar versionin më të mirë të shtatë herë fituesit të “Topit të Artë”. 16 vitet që kanë kaluar nga debutimi i tij në 2006-ën kanë qenë të mbushura me kontributin në gola e asiste, por edhe në paraqitje fantastike, në trofe të fituar e finale të humbura, në momente në të cilat “Pleshti” i ka bërë të qajnë e të qeshin argjentinasit.

E ndërsa Mesi dhe Argjentina nuk mund të ndahen kur është fjala për përfaqësimin në rang kombëtar, u desh të pritej Botërori atipik i dimrit në Katar për të parë që ky binom mund të funksionojë kaq mirë, pa e ndarë ekipin në të tjerët dhe Mesi, pa hedhur akuza mbi – kush nuk ndihmon kë -, por duke gjetur çelësin që solli një tjetër finale dhe mundësinë për t’u shenjtëruar në tempullin e futbollit botëror.

Ama finalja e arritur është ndoshta e fundit arsye, edhe pse e pashmangshme, për të cilën po themi që po shijojmë versionin më të mirë të 35- vjeçarit. Janë të paktën 10 motive të tjera pse ky është Botërori më i mirë i kapitenit argjentinas, ndër të cilat lidershipi dhe rekordet, që janë vetëm dëshmitë e fundit që konfirmojnë që Mesi është si vera.

1) NDIKIMI – Me përjashtim të Botërorit të 2006-ës, kur ai vetëm sa bëri debutimin dhe kontributi i tij në atë edicion ishte i papërfillshëm, pesha e Leos për skuadrën ka qenë gjithmonë e vogël krahasuar me yjet që ka pasur në ekip si Tevez, Rikelme e të tjerët. Në 2010-ën, Maradona atëherë trajner i kombëtares u përpoq t’i jepte vendin e liderit, por Mesi nuk diti ose nuk mundi ta zinte atë. Katër vjet më vonë ndikimi i tij u ndie vetëm në fazën e grupeve, por më pas në ndeshjet me eliminim direkt kur më së shumti u desh të shfaqej nuk ia doli.

Në edicionin e kaluar, në Rusi as Mesi nuk arriti t’i shpëtonte kaosit që kishte rrethuar kombëtaren dhe kaloi pa u vënë re, madje edhe me pasojën e një tërheqjeje të përkohshme. Këtë herë, prania e tij ndihet kudo në Katar, brenda dhe jashtë fushës, te tifozët dhe te shokët e skuadrës, me anë të grintës dhe asaj që paraqet brenda kuadratit të gjelbër apo frikës që përçon te rivalët. Në Katar, Mesi është i kudogjendur.

2) MË I KOMPLETUAR – Mesi i fillimit, ai me flokë të gjata, që linte pas lojtarët me një saktësi të frikshme dhe me shpejtësi, mund të ishte më vendimtar në lojën një kundër një apo nëse e krahasoje me çdo lojtar, por tashmë situata është tjetër.

Në moshën 35- vjeçare, kapiteni bardhekaltër ka arritur pjekurinë maksimale që ka ardhur bashkë me një lloj tjetër përshtatjeje të tij në kombëtare. Kontributi i tij individual ka qenë gjithmonë vendimtar, por rritja e kontributit të tij kolektiv është e jashtëzakonshme. Në asnjë nga katër Kupat e Botës të kaluara, nuk është përshtatur kaq mirë me lojën e përgjithshme të skuadrës. Padyshim që është meritë e stafit, trajnerit, skuadrës, por sigurisht që edhe e vetë atij dhe konceptit të ri që po paraqet.

3) GOLA MË TË SHUMTË DHE TË RËNDËSISHËM – Marrëdhënia e tij me golin ka qenë gjithmonë dashuri e pastër, një lidhje e natyrshme që nuk e ka fshehur asnjëherë, edhe pse ndonjëherë nuk është shfaqur në momentet e duhura.

Duket një padrejtësi fakti që në edicionin e 2010-ës nuk ka arritur të shënojë asnjëherë, por edhe më vonë në 2014-ën, rrjetat nuk patën të njëjtën peshë. Edhe pse katër golat e shënuar ndaj Bosnjës, Iranit dhe Nigerisë në fazën e grupeve, ishin tepër të rëndësishëm, goli i shënuar ndaj Nigerisë që u dha kualifikimin për në fazën e 1/8-ave në 2018-ën kishte një tjetër domethënie. Njëjtë edhe këtë herë, ai ndaj Arabisë Saudite nuk arriti të shmangte humbjen në debutim, ndërsa katër golat e tjerë të deritanishëm kanë shërbyer gjithmonë për të marrë për dore skuadrën.

4) RASTET E KRIJUARA DHE ASISTET – Mesi këtë Botëror jo vetëm që shënon vetë, por bën edhe të tjerët që shënojnë. Nga këmbët e tij kanë lindur shumica e aksioneve të Argjentinës, edhe pse vetëm tri prej pasimeve të tij janë finalizuar me gol, që e kanë bërë numrin e asisteve të ndalet në kaq. Një sërë mundësish të tjera janë shpërdoruar nga shokët e tij, por për të kuptuar gjithë atë që i jep skuadrës, mjafton që të shohim lojën e tij para golit të tretë ndaj Kroacisë. Lojë e një tjetër dimensioni me një vlerë të jashtëzakonshme për skuadrën e të mendosh se këtë Argjentina e shijon në çdo ndeshje.

5) REBELIZMI – “Mesi po ‘maradonizohet’”, ishte fraza e legjendës argjentinase Horge Valdano pas festimeve të Leos pas Holandës, një frazë që përmblodhi të gjitha momentet pikante që nuk jemi mësuar t’i shohim te Mesi. Festimi me duart pas veshit përballë stolit të Holandës, pas nënvlerësimeve të marra prej tyre, tregojnë se të qenit “politikisht korrekt” nuk është më një qëndrim që Mesi do ta aplikojë gjithmonë.

Këtë Botëror edhe një tjetër sjellje që nuk e kishim parë asnjëherë, ankesat për arbitrin dhe mesazhi indirekt i dërguar në FIFA, reagim që ai ia kishte kursyer këtij kompeticioni.

6) ANGAZHIMI – As në vitin 2006 kur ishte vetëm 19 vjeç, nuk kemi parë një dëshirë të tillë për të rikuperuar topin. Si ndaj Holandës dhe ndaj Kroacisë, pamë një Mesi që gjendet gjithmonë në metrat e fundit të fushës, qoftë edhe vetëm për të “bezdisur” këdo që ka topin në krah, duke krijuar një efekt domino te të tijtë që nuk lejojnë kundërshtarët të shkojnë komodë në gjysmëfushën argjentinase.

7) REKORDET – Kishte disa në horizont për t’u thyer, por me sa duket këtë edicion Mesi ka vendosur që rekordet që do të mbajnë emrin e tij të jenë shumë më shumë se ç’ishin parashikuar. Me finalen do të jetë ai lojtari me më shumë paraqitje në Botëror duke lënë pas Mateusin me 25 ndeshje, ndërsa 25 minuta do t’i nevojiten të dielën për të lënë pas Paolo Maldinin si lojtarin me më shumë minuta në Botëror.

Sa vite do t’i duhen dikujt që të thyejë rekordin e golashënuesit më të mirë argjentinas në këtë kompeticion, siç sapo bëri Mesi pas 20 viteve që mbahej nga Batistuta? Apo sa vite mund t’i duhen dikujt për të barazuar rekordin e golave të Pelesë në Botëror, ndaj të cilit “Pleshti” është vetëm një gol larg? Ndoshta frymëzimi për secilin prej këtyre rekordeve na ka dhënë versionin më të mirë të Mesit.

8) FIZIKU – Nuk ka ndryshuar as gjatësia e as pesha e tij, por asnjëherë Mesi nuk e ka njohur trupin e tij aq sa tani. Në 2006-ën energjia e djaloshit të ri nuk u shfrytëzua sepse ishte shumicën e kohës në stol, në 2010-ën shkëndija e tij u shua njëkohësisht me ekipin.

Në 2014-ën i duhej të ndalonte së luajturi sepse villte në mes të ndeshjes dhe në Rusi, kundër Francës shumicën e minutave ishte i shkëputur nga loja. Sot sinjalet që i dërgon fiziku i tij, i përdor në të mirën e skuadrës. Nëse i duhet të ecë në fushë, e bën këtë në harmoni me pjesën tjetër, nëse ka një problem si ndaj Kroacisë, ndalon dhe përgatitet të kontribuojë edhe në atë mënyrë, duke pushuar me topin, duke krijuar hapësira dhe duke provuar goditjet e lira.

9) MË SHUMË KAPITEN – Lidershipin ose e ke ose nuk e ke, por evoluimi që ka bërë personaliteti i Mesi doli në pah pas Arabisë Saudite. Kapiteni ishte ai që doli pas asaj humbjeje dhe u kërkoi njerëzve t’u besonin sepse ata nuk do të dorëzoheshin. Ndoshta mund të tingëllojë demagogji, por nuk ishte vetëm për tifozët, më shumë se për vetë grupin që duhet të besonte te vetja dhe që e ndien peshën e fjalëve të Mesit.

Në 2014-ën fliste për skemën taktike dhe bënte zhurmë, në 2018-ën ai kaos me Sampaolin, ndërsa këtë herë bën kapitenin klasik. Vetëm një i tillë, pas një paraqitjeje personale si ajo ndaj Kroacisë del dhe thotë se “lojtari më i mirë i ndeshjes duhet të ishte shpallur Alvarez dhe jo unë” dhe vetëm një i tillë nuk e harron kontributin e atyre që për shkak dëmtimi nuk mund t’i gëzohen këtij Botërori, si Lo Selso. Ekipi tashmë vjen i pari, 10 lojtarë të cilëve u shtohet Mesi janë më mirë se Mesi plus 10 lojtarë.

10) LUMTURI NGJITËSE – “Tashmë e shijoj, ndryshe nga kur mendoja vetëm për fitoren”, ka trumbetuar me të madhe Mesi gjatë këtij Botërori. Tashmë ka arritur në një fazë të jetës, kur e tregon dhe ua transmeton edhe të tjerëve lumturinë e tij.

Me fëmijët e pranishëm në stadium, me gjithë familjen dhe tifozërinë që e rrethon, duket se tashmë Mesi po merr më të mirën e çdo momenti dhe këtë e perceptojnë të gjithë rreth tij. “Një familje e madhe”, i ka përkufizuar kapiteni gjithë argjentinasit dhe ata po e trajtojnë tashmë si pjesë të familjes.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular