Nga Ardit Gjinali
Republika e Austrisë është një aktor politik i rëndësishëm, prania e së njëjtës në Rajonin e Ballkanit mbetet thelbësore për inkurajimin e proçeseve të mbetura në pezulli si pasojë e marrëveshjeve politike të munguara. Secila kohë politike thërret angazhimin e njëjtë të Austrisë në përputhje me zhvillimet apo dinamikat gjeopolitike botërore….mungesa ose prania jo-aktive e Austrisë nuk është një ogur i mirë në zhvillimet politike përfshirë dhe Rajonin e Ballkanit, gjithashtu.
Proçesi i Berlinit është kryefjala politike në Rajonin e Ballkanit përtej ngjarjeve politike të prodhuara qëllimshëm nga aktorë të caktuar rajonalë për të zhbërë fokusin dhe për të vonuar zbatimin e angazhimeve që burojnë nga marrëveshjet e firmosura në kuadër të Proçesit. Samiti i mbajtur në Vienë në vitin 2015 ,- një vit pas të njëjtit hapës në Berlin- në kuadër të Proçesit të Berlinit ishte një ogur i mirë për ecurinë e pritshme të proçesit, e tilla e kufizuar në kufijtë e pengesës për shkak të ngjarjeve të ndryshme….rikthimi në agjendën politike të Proçesit të Berlinit me një angazhim të qartë dhe politikisht të zëshëm Gjerman kërkon një rritje të përfshirjes së aktorëve politikë me ekspertizë të dalluar në politikën ndërkombëtare; -Austria politike që është selia e organizmave të njohur ndërkombëtarë përfshirë dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Europian ( OSCE) -shtet mbrojtës dhe përcjellës i vlerave Perëndimore, dëshmi e rëndësisë së lidhjes mes pozicionit Gjeografik dhe rolit politik- Austria , një shtet i rëndësishëm me traditë të konsoliduar në ndërmjetësimin, zgjidhjen apo vendosjen përpara të agjendave që kanë formësuar harta politike apo kanë ndikuar në balancimin e fuqive ndërmjet aktorëve në shekujt paraardhës- mund të shërbejë si ndërmjetësuesi efektiv me një mandat të qartë politik në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Beograd- Prishtinë duke marrë në konsideratë marrëdhënien e Austrisë me secilin prej vendeve përfshirë dhe pozitën e Neutralitetit ushtarak Austriak, gjithashtu.
Neutraliteti Austriak mbetet një pikëtakim i rëndësishëm politik në historinë botërore me vlera të rëndësishme referuese për të tashmen dhe të ardhmen politike, i tilli mbetet i pangjashëm pozitivisht në format e tjera të neutralitetit të ndërmarrë dhe ushtruar nga vende të tjera si pasojë e çështjeve kufitare apo e marrëveshjeve politike….padyshim që i njëjti Austriak mbetet rezultat traktati politik, por është garancia afatgjatë në funksion të ndërmjetësimeve dhe zgjidhjeve në përputhje me frymën dhe vlerat perëndimore, gjithashtu.
Zhvillimet politike të verës së shkuar, përkatësisht turi i Ministrit të Jashtëm Austriak , Alexander Schallenberg në Rajonin e Ballkanit dhe në të njëjtën kohë, publikimi i një dokumenti konceptual i klasifikuar si “non- paper” mbi vizionin Austriak për Integrimin e Rajonit të Ballkanit …të dy elementët përkatësisht, deklaratat e ministrit dhe përmbajtja e dokumentit qëndronin në pozicionin e “gradualitetit” si në përmirësimin e raporteve Beograd-Prishtinë dhe në ecurinë e proçesit të Integrimit të Rajonit, gjithashtu. Ministri i Jashtëm Austriak SCHALLENBERG do të deklaronte mbi çështjen mes dy shteteve përkatësisht Republikës së Kosovës dhe Serbisë që “Procesi i normalizimit duhet të vazhdojë, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Hap pas hapi drejt normalizimit, sepse është në interes të stabilitetit në rajon. Nëse flasim për stabilitetin rajonal, normalizimi gradual i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është shumë i rëndësishëm. Dialogu është një vrimë gjilpëre përmes së cilës vëzhgohet rajoni dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme”. Në të njëjtën kohë qasja e gradualitetit shprehet qartësisht dhe mbi ecurinë e Integrimit të Rajonit ku Ministri Austriak nënvizon që “Propozimi ynë është që vendet e rajonit t’i trajtojmë hap pas hapi nga një zonë në tjetrën, qoftë energjia, trafiku apo diçka tjetër, si anëtarë të plotë. Perspektiva evropiane nuk është një rrugë njëkahëshe. Ne po përballemi me një radikal tronditje për sistemin tonë të sigurisë në Evropë “Askush nuk mund të shpresojë të jetë thjesht një kalimtar”.
Nga ana tjetër, vizioni Austriak i “gradualitetit” dhe ndjekjes “hap pas hapi” kërkon një vëmendje të vazhdueshme dhe të pandërprerë për Rajonin….Austria është një aktor politik që mund të kishte një mandat të qartë nga Unioni- mandat ndërmjetësues ose monitorues aktiv në bashkëpunim me Lubjanën, Zagrebin, Varshavën dhe Pragën- për jetësimin e këtij “vizioni të gradualitetit”…vizion që mund të materializohet përmes zbatimit efektiv të marrëveshjeve të Proçesit të Berlinit që janë “gradualiteti në vetvete” i afrimit mes shteteve dhe Integrimit në tërësi. Ministri SCHALLENBERG e konsideroi Proçesin e Berlinit si “ një inkubator ku krijohen idetë e bashkëpunimit”.
Europa e nesërme nuk mund të jetë politikisht e plotë nëse ndryshimi në Ballkan kah ecurisë së Integrimit është i munguar apo “pezullia e vendnumëro” do vijojë të jetë e pandryshuar….aktorët politikë të përmendur më lartë mund të shërbejnë në inkurajimin e proçeseve rajonale përmes një gradualiteti efektiv, pro-aktiv dhe në koherencë me vlerat perëndimore….gradualitet që thërret për standarte të përmbshura nga qeverisjet kombëtare në planin e brendshëm dhe të njëjtin në kontekstin gjeopolitik, gjithashtu.
Rritja e rolit politik të Austrisë përmes pranisë politike së pandërprerë në Rajon mbetet thelbësor në zhvillimin e mëtejshëm të agjendave politike perëndimore dhe Euro-Integruese, gjithashtu.