Nga Edlira Devolli
Në jetën e përditshme e hasim shpesh shprehjen se shqiptarët nuk janë të varfër, por të vjedhur.
Madje në disa rrangje është bërë klishe shprehja se “korrupsioni ka dal nga halli dhe do të soset kur të soset halli”.
Pikërisht vjedhja dhe korrupsioni janë halli i përjetshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Janë një pjesë e mirë e atyre që kanë drejtuar e drejtojnë ndër vite këtë vend që fenomenin e korrupsionit e trajtojnë si çështje normale të jetës.
Në fakt e gjejmë në jetën e përditshme kudo dhe ngado, që nga materniteti ku lind fëmija e deri në varreza për të marr vendin ku do të prehet trupi i familjarit. Është kaq i pranishëm korrupsioni sa do e konsideroja “fat” nëse do kishte një institucion të posaçëm për të.
P.sh. Ministria e Korrupsionit, do ishte fat ta kishim të përqendruar vetëm në një ministri.
Po kujt do ia besonte kryeministri këtë post, apo do e mbante vet si dikur ministrinë e jashtme?!
Ia ndan buxhetin vjetor ministrive dhe e rishikon dhjetëra herë në vit.
Rialokim fondesh thotë.
Sa herë është në sallën e parlamentit turfullon, shan e ofendon këdo i del përpara, por nuk ka asnjë argument kundër atij që e akuzon “mafioz tipik”.
Fjalët dhe çështjet kyçe të cilat kanë dërrmuar vendin dhe qytetarët shqiptar janë: vjedhje, mafie, mafioz tipik, hajdut, kriminel, papunësi, taksa, vrasje, atentate, zhdukje, e thyej në mes, ia bej fytyrën ma zi se këpuca edhe shumë të tjera të cilat kanë një emërues të përbashkët korrupsioni.
Kush del në krye të vendit thotë bëj si them unë e jo si bëj unë.
Ndihemi si një popull i kastruar nga sistemi i shkuar. Nuk reagojmë, qahemi, i bashkalidhemi me votë më ” të fortëve”, përkthyer shqip shqip atyre që na trajtojnë si raja, si argat të pasurimit të tyre, dhe kur gjendemi të mashtruar e vetëmashtruar, marrim rrugët e emigrimit. “Senjorët” e klasës politike të të gjithë krahëve janë bashkë në këtë manipulim. Opozita sulmon e akuzon pushtetin, sulmon me emra kryeministër e ministra, deputetë e drejtues të institucioneve me rëndësi për ekonominë.
Ndërrohet pushteti, harrohen akuzat. Opozita e re nis të njëjtat sulme, me emra të tjerë tashmë, “pezzo grossot” e pushtetit të ri zaptojnë pjesët e mbetura të pasurive publike. Pastrohen para në katraurën e ndërtimeve, palët bëjnë retorikë të ashpër sulmesh ndaj njëra tjetrës, gjembi në këmbë nuk i hyn askujt. Dalin përditë afera ku klanet e të pushtetshmëve nga secila palë kanë pjesën, mbrojnë pjesën dhe zihen e kacafyten jo për atë çfarë ka ndodhur, zihen për të ndarë copat e radhës. Janë në garë kush do marrë më shumë. Është një pleksje interesash të cilën askush nuk guxon ta kërcënojë realisht ta lëshojë në dyert e gjykimit. Nuk ndodh se del bashkëfajtor.
Retorika është e ndarë “kauza” kriminale e korrupsionit është brenda të njëtit trekëndësh.