Nga Erl Kodra
Shteti nën thundrën e ramizmit dhe berishizmit
Shteti nën thundrën e ramizmit dhe berishizmit
Që kur nisi lufta civile në Partinë Demokratike është folur për rithemelim dhe bashkim, por asnjëherë për reformim të partisë. Rithemelimi nënkupton një gjë, bashkimi një gjë tjetër, ndërsa reformimi nënkupton diçka krejtësisht të ndryshme, përtej asaj që ne e kemi njohur deri tani.
Partia Demokratike u krijua nga një masë e madhe heterogjene e njerëzve kur ra diktatura, që i bashkonte vetëm ideja e pluralizmit dhe thyerja e hegjemonisë puniste, por që nuk ndanin të njëjtat mendësi politike dhe ideologjike. Kjo shpjegon edhe faktin se shumica e themeluesëve të Partisë Demokratike kishin lidhje direkte; vinin nga familje me të kaluar puniste; ose ishin produkt i shkollës së Partisë së Punës si kuadro të saj. Interesante është se retorika politike ka qenë dhe mbetet antipunizmi, por po kaq interesante është se shumë eksponent të PD-së – përfshirë edhe ish-Kryetarin dhe Kryetarin e vetëm të saj – janë ose ish-komunistë, ish-kuadro të PPSH, ose bijë të ish-punistëve me emër. Gjithsesi, kjo është e kuptueshme për situatën ku gjendej vendi në fund të vitit 1990, por është e pakuptueshme që pas 32 vitesh kemi të njëjtën parti (nënkupto të njëjtët njerëz) që përbëjnë elitën e kësaj partie, përfshirë edhe ish-Kryetarin/Kryetarin e përjetshëm Sali Berisha. Por le të kthehemi tek Lufta Civile e Partisë Demokratike, që për fat të keq po i kushton shtrenjtë qytetarëve shqiptarë.
Partia Demokratike i humbi zgjdhjet e vitit 2013. Ishte një ndryshim i pritshëm, duke patur parasysh dinamikën e ngjarjeve politike dhe rotacionin e natyrshëm të qeverive në një demokraci. Që prej atij viti ne kemi një seri zhvillimesh kontraverse politike, që kanë tronditur jo vetëm mirëqenien dhe ekzistencën e shoqërisë, por kanë vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e vendit.
Dy janë zhvillimet kryesore politike përgjatë këtyre viteve;
– Partia Socialiste pushon së ekzistuari dhe pushtohet totalisht nga ramizmi,
– Partia Demokratike nuk çlirohet dot nga berishizmi,
Përgjatë këtyre viteve ramizmi pushtoi jo vetëm çdo fushë jetës ekonomike, politike dhe sociale, por i dha zhvillim dhe kuptim edhe bashkëpunimit mes krimit, korrupsionit dhe politikës. Ramizmi ia doli të zhbënte kuptimin nominal të fjalëve, si përshembull, çfarë është krimi, çfarë është vjedhja, çfarë është korrupsioni, çfarë është propaganda, çfarë janë 140 milion euro, çfarë është plantacioni i droges, çfarë është vjedhja e zgjedhjeve, çfarë janë patronazhistët, çfarë është fyerja, çfarë është përçmimi, çfarë është shkatërrimi, çfarë është shpopullimi, diskriminimi, racizmi, bullizmi, sharlatanizmi, injoranca, fodullëku, pafytyrësia, ndyrësia dhe neveria. Në gojën e Edi Ramës dhe ramistëve të gjitha këto e kanë humbur kuptimin nominal dhe kanë fituar qytetarinë si “akte jetësore normale”. Përfundimisht, Ramizmi është forma më e përsosur e demagogjisë moderne.
Po të përpiqemi të dallojmë ndryshimet mes ramizmit dhe berishizmit, në të vërtetë ato konsistojnë më shumë në formë se sa në përmbajtje. Domethënë, ato ndryshojnë në ngjyra, në formë dhe artikulim, por jo në thelb, përmbajtje dhe kuptim. Me pak fjalë, berishizmi me ramizmin ndryshojnë aq sa ndryshojnë tifozët e Realit me ata të Barcelonës, që në thelb mbeten të njëjtë. Të dy palët refuzojnë të mendojnë, por pranojnë si të vertetë supreme atë çfarë thonë Edi Rama dhe Sali Berisha. Përndryshe, ata ndajnë me njëri tjetrin edhe media dhe opinionistë, biznese, interesa dhe oligarki të përbashkët. Të vetmen gjë ku e ruajnë fanatizmin ekstrem është gjuha formale dhe fjalori i egër kundër njëri tjetrit.
Në një kërkim të thjeshtë pa përmendur emra të përveçëm – që mund ta bëjë çdonjëri lexues, pasi në Shqipëri secili njeh secilin – rezulton se Shqipëria sundohet nga dy klane të mëdha, në dukje kundërshtarë të egër me njëri tjetrin, por që kanë të njëjtët sponsor ekonomik dhe mediatik. Ramizmi dhe Berishizmi kanë bashkëjetuar në harmoni të plotë për të paktën dy dekada, kanë bërë marrëveshje të mëdha për ndryshime kushtetuese, kanë ndarë pushtet, pasuri dhe media; dhe së fundi, po ia dalin të ruajnë statusquon-në e vendosur prej 32 vitesh në Shqipëri.
Shpresa e fundit se të paktën Partia Demokratike do të çlirohet nga berishizmi po vdes, ndërsa ramizmi është në kulmin e pushtetit politik dhe ekonomik, i ndihmuar fort nga berishizmi. Duket qartë se të dy rrymat kanë nevojë jetike për njëra tjetrën, pasi janë ngritur mbi të njëjtën strukturë ekonomiko-politike dhe sociale, ndajnë të njëjtat vlera, dhe sigurisht mbështeten mbi të njëjtën struktur politike dhe kushtetuese. Ndërsa Ilir Meta nuk përbën një rrymë të veçantë, por pjesë e sistemit të ngritur mes dy të mëdhenjëve të politikës shqiptare.
Si përfundim mund të themi se përgjatë 32 (tridhjetë e dy) viteve të tranzicionit ne dështuam të ndërtojmë shtet, duke ndërtuar vetëm pushtet hajdutësh dhe kriminelësh. Shpresa e vetme mbetet ndërhyrja deus ex machina nga faktor të tjerë jashtë vendit, ose vdekja natyrale e ramistëve dhe berishistëve.
Ëndrrat me rithemelim dhe me bashkim të Partisë Demokratike janë pallavra pa vlerë, sa kohë që nuk kemi fuqi ta reformojmë atë. Berishistët e kanë fituar atë që dëshirojnë me ndihmën e pakursyer të ramistëve – statusin e opozitës – ndërsa vendi është i dënuar të vuaj mungesën e një opozite që jep shpresë.
Por shpresa vdes e fundit.
![May be an image of 2 people and people standing](https://scontent.ftia13-1.fna.fbcdn.net/v/t39.30808-6/321428870_1909128536095833_3450745753027280612_n.jpg?stp=dst-jpg_p180x540&_nc_cat=105&ccb=1-7&_nc_sid=730e14&_nc_eui2=AeEL2F4F2MOyk2jkwRJ84cZi6TlP6nkWnH_pOU_qeRacf5K41wpO6q6fpwqdsDv7rgU&_nc_ohc=yR44fh-YKtwAX_1K695&_nc_ht=scontent.ftia13-1.fna&oh=00_AfBznSgAP41XE5HB6IgelNs4ihUgWUm2ghwb7NN8WrVvEg&oe=63B35086)