Nga Nebil Çika
Dje mora një ftesë nga kolegu dhe miku im Bledi Kasmi, të cilin e falënderoj për vëmendjen, për një ceremoni në përkujtim të daljes së numrit të parë të gazetës RD. Për ata që nuk e dinë unë kam qene për një kohë gazetar i RD, zëvendeskryeredakator i saj. Më ka qëlluar të punoj atje në një periudhë të vështirë për gazetarët e saj, pas vitit 1997. Kjo mendoj se ka qene periudha më e veshtirë e RD, shumë më e vështirë se ajo e vitit 1991. Unë nuk di të ketë pas deri në 1997 ndonjë gazetar të RD të arrestuar, dënuar dhunuar e palgosur, pas 1997 janë me dhjetëra të tillë. Në periudhën që unë kam qenë pjesë e saj, gazeta botohej në kushte terrori nga qeveria dhe bandat e saj në institucione shteterore.
Një prej me agresivëve ndaj RD ishte edhe Ilir Meta sot bashkëkryetar i forcës politike që i shërben sot RD-ja. Me siguri që ai do të jetë atje në krye të festës dhe kjo është fyese për mua dhe besoj shumë miq e kolegë të mi të RD. Të jem atje se nuk lëpij dot atë që kam pështyrë. Se nuk mund të festoj dot bashkë me dhunuesin tim dhe të kolegëve të mi për shkakun se ishim gazetarë të RD, por edhe të shumë spiunëve e qelbesirave të tjerë që ti bien zorrët në grykë vetem po tiu kujtosh emrin që pasataj tiu shohësh edhe fytyren. Nuk mund ta duroj e pranoj ketë hipokrizi e poshtërim jo vetëm timit dhe kolegëve, por të të gjithë kujtimit, rolit, misionit dhe historisë së RD-së. Më këta në krye të vendit, kjo nuk është feste, por funeral!
Megjithatë gjej rastin të shpreh nderimin për të gjitha ato zonja e zotërinj gazetarë e staf mbështetës që punuan me ndershmëri e përkushtim në këtë gazetë edhe pse puna jonë në të shumtën e saj shkoi për “dhjamë qeni ” . Nuk është hera e parë që Bersha e ka kthyer festën e RD dhe krejt PD në një manifestim të filozofisë së tij bashkëvujatës e bashkëfajtor por un nuk kam qene e nuk jam për këtë. Nuk mund të festoj dot me dhunuesit e mi dhe kolegëve të RD dhe krejt demokracisë në Shqipëri.
Për ta kuptuar pse nuk shkoj po ju tregoj një prej arsyeve si më poshtë.
Tiranë më 28 Nëntor 2000
Në atë kohë isha zv. kryeredaktor i RD. Ngjarja në Tropojë ku në një proteste kundër vizitës së ish krimeministrit Meta në 28 nëntor 2000 u vra një protestues, Sylë Luzha ,u shoqërua me një vallë terrori policor në të gjithë vendin. Selia e PD ku ndodhej edhe redaksia e RD u rrethua nga forca të shumta, kryesisht civilë të armatosur në makina pa targa.
Nga ora 12.00 e natës mbaruam gazetën, e drejtoja un pasi kyeredaktori ndodhej në një vizitë në SHBA.
Sa dolëm nga redaksia tek ushtari i panjohur makina jonë u rrethua nga disa makina civile pa targa nga cilat dolën dhjetra civilë të armatosur me radio transmetues dhe pistoleta në duar.
Shoferi im, Ilir Arapi, hapi derën e makinës dhe tentoi tiu thoshte se ishim gazetarë të RD.
Pa mbaruar fjalën, njëri prej tyre e goditi me shkelm në stomak ndërsa të tjerët e ngritën ne ajër dhe e përplasën jashtë makinës.
Hapën derën time dhe njëri prej tyre me vuri pistoletën në kokë dhe më urdhëroi të dilja nga makina.
Kështu bënë edhe me rojen e gazetës, Piron që ishte në ndenjësen e pasme të makinës.
Na çuan me pistoleta në kokë pas një kioske në errësirë duke na kërcënuar sharë me libër shtëpie, për më shumë se gjysmë ore. Ndërkohe që disa të tjerë e bënë fije fije makinën gjoja për kontroll. Mendova që donin të fusnin ndonjë armë apo drogë në makinë me qëllim të na arrestonin.
Dikur dikush nga ata, që duhet të ishte shefi, foli në radio me dikë : Kemi kapur këta shkërdhatat e RD, çfarë të bëjmë me ta? – e pyeti.
Prit të pyesim – ishte përgjigja nga ana tjetër e radios .
Nuk e mora vesh kë pyetën, ndoshta kryeministrin Meta …?!
Pas pak edhe përgjigja po me gjuhë edhe më fyese e ordinere:
Lironi ata b.q e RD!
Na liruan dhe nën sharjet e tyre që nuk pushonin u larguam.
Të nesërmen ishte edhe me keq, rrethuan e terrorizuar selinë e PD, rrahën e shanë të gjithë gazetarët që hynin e dilnin në redaksi dhe këdo që i binte rruga të kalonte nga selia e vjetër e PD, natën vonë arrestuan me urdhër të Ilir Metës edhe Sali Berishën !