Nga Rezenbrik Serjani
Shqipëria, si pasojë e tymit të zi të lokomotivës së korrupsionit qeveritar këto 10 vite, shtëllungat e së cilës sa vijnë e vështirësojnë frymëmarrjen e shqiptarëve, thyen vit pas viti rekordet më të zeza lidhur me çdo indeks, indikator matës, vlerë apo shifër që pasqyrojnë jetën ekonomike e sociale në vendit tonë. Edhe këtë fillim viti, rekord pas rekordi, nxirje pas nxirje, skëterre pas skëterre, Shqipëria radhitet në humnerën e renditjes lidhur me indeksin e lumturisë në vend, duke qenë shumë larg asaj ç’ka ka qenë 9 vite më parë(30 vende më poshtë se sa ç’ishin 9 vite më parë) por mbetet ende shumë larg vendeve të rajonit, siç është Kosova (60 vende nën shqiptarët e Kosovës), apo krahasuar me Serbinë (40 vende nën Serbinë). Çdo vit që kalon, si pasojë e keqmenaxhimit të politikave në vend, Shqipëria ulet me dhjetra vende, duke kapur çdo vit humnerën e renditjes. Një tjetër tregues është shkalla e ulët e lindshmërisë në vendin tonë. Në rang kombëtar ISF(Indeksi Sintetik i Fekonditetit) në Shqipëri vitet e fundit ra nga 1,48 fëmijë për grua në vitin 2017 në 1,32 në vitin 2021, duke treguar qartazi uljen e ndjeshme të lindshmërisë në vendin tonë, ndikues i drejtpërdrejtë në uljen e shtesës natyrore dhe uljen e shtimit të popullsisë. Ikjet masive të popullsisë(kryesisht të të rinjve)vitet e fundit kanë ndryshuar tërësisht strukturën tonë demografike. Katastrofa demografike, me të cilën po përballet Shqipëria vitet e fundit janë emigrimi masiv, shpopullimi i fshatrave dhe qyteteve, mosha e tretë në aspektin demografik po rritet ndjeshëm, duke patur çdo ditë e më shumë një Shqipëri të plakur. Të dy treguesit e sipërpërmendur lidhen në mënyrë direkte me mungesën e politikave nxitëse në vend. Ekonomia e shkatërruar, mungesa e sigurisë, dobësia institucionale, e ardhmja e rrezikuar, mungesa e shpresës, zhvillimi i çaluar, papunësia, borxhi i lartë publik, mungesa e paketave sociale, shëndetësia e mjeruar, arsimi i shkallmuar, korrupsioni i përbindshëm, rendi i robëruar, e shumë e shumë faktorë e aktorë që ndërtojnë godinën e shtetit të cilët janë në rrokullimën e degradimit të përditshëm janë përgjigja e indekseve të sipërpërmendura. Këto 10 vite, një dekad korrupsion i pandalshëm, Shqipëria është nën klithmën e mjerimit. Përgjegjësi ka një emër, Rama dhe sekti i tij në pushtet. Shqipëria është në një katastrofë të gjithanshme, ku më e egra, është katastrofa demografike, si një tregues më vete që çdo ditë e më shumë po jep shpirt por ndërkohë ka fuqinë që klith për një Shqipëri më shumë të mjeruar, më shumë të varfëruar.