Policia ka arrestuar në spital shoferin e makinës “Benz” që u përfshi mbrëmë në një aksident rrugor në rrugën e Arbrit ku 3 persona humbën jetën ndërsa u plagosën 4 të tjerë.
Edison Lazrit i është komunikuar masa e “arrestit me burg” në spitalin e Traumës ku ndodhet për mjekim, pasi aksidentoi për vdekje vëllezërit Kujtim e Murat Istrefi dhe gruan e Kujtimit, Lulzime Istrefi.
Të plagosur mbetën Mërgim Lazri, shoferi i arrestuar Edison Lazri, Kadrie Markeçi dhe Firuze Istrefi, gruaja e Muratit. Vlen të theksohet se segmenti rrugor sipas dëshmisë së banorëve të zonës dhe vëzhgimit paaprak, dyshohet se nuk ka sinjalistikën e duhur për qarkullimin normal të mjeteve.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Dibër, arrestuan shtetasin E.L., 28 vjeç, banues në fshatin Bllatë, Dibër. Arrestimi i tij u bë pasi me datë 04.01.2023 rreth orës 18.15, në aksin rrugor Bulqizë-Maqellarë në urën e fshatit Gjoricë duke drejtuar automjetin tip ‘Benz’, është përplasur me një automjet tjetër tip ‘Benz’, që drejtohej nga shtetasi K.I., 55 vjeç, banues në Maqellarë.
Si pasojë e këtij aksidenti humbi jetën drejtuesi i mjetit shtetasi K.I., dhe dy pasagjerët M.I(D), 74 vjeç; L.I., 51 vjeçe. Po si pasojë e këtij aksidenti mbetën të lënduar shtetaset F.I., 55 vjeçe; K.M., 18 vjeçe; M.L., 24 vjeç dhe shtetasi E.L, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital.