Gjykata e Lartë ka bërë me dije ditën e sotme se ditën e hënë do të mblidhen gjyqtarët e saj për të zgjedhur anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas njoftimit të gjykatës është vendosur thirrja e Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për të zgjedhur anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, ditën e hënë, datë 16.01.2023, ora 09.30.
Njoftimi i plotë:
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka përcjellë në Gjykatën e Lartë më datë 30.12.2022, raportin e miratuar dhe listën me dokumentacionin shoqërues të kandidatëve që kanë konkuruar për vendin vakant të Gjykatës Kushtetuese, të shpallur nga Gjykata e Lartë më datë 16.01.2017 dhe rishpallur më datë 19.04.2019, 03.06.2021, 31.01.2022, si edhe më datë 28.10.2022
Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga pika 3 e nenit 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar), nenit 4 të Rregullores së Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të nenit 26, pika 2 të ligjit nr. 98/2018 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për të zgjedhur anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, ditën e hënë, datë 16.01.2023, ora 09.30.