Policia ka sekuestruar ditën e sotme edhe 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat ishin fshehur në banesën e 49-vjeçares Rozeta Dobi dhe djalit të saj, 23-vjeçarit Havier Dobi, të cilët u arrestuan një ditë më parë në Tiranë.
Një ditë më parë policia bëri me dije se nënë e bir kanë vjedhur në një banesë 120 mijë euro dhe sende me vlerë. Në këtë banesë 49-vjeçarja punonte si pastruese.
Ndërkohë, ditën e sotme Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të operacionit policor të koduar “Inside”, nisur nga dyshimet e krijuara, mbi shumën e vjedhur në banesën në Rrugën e Kosovarëve, bazuar në inteligjencën informative dhe veprimet hetimore të thelluara është ushtruar rikontroll në banesën e shtetasve Rozeta Dobi dhe Havier Dobi (nënë e bir).
Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në tubin e aspirimit, 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale
Sakaq, një ditë më parë gjatë kontrollit fizik nga policia, autorëve u janë sekuestruar 8 milionë lekë, sende me vlerë, 3 automjete ku dy prej tyre ishin blerë me paratë e vjedhura dhe veshje të ndryshme.