Rusia ka marrë sot përgjigjen përfundimtare nga KAS i Lozanës, ku kishte ankimuar vendimin që është dhënë thuajse një vit më parë nga UEFA dhe FIFA që e përjashtuan nga aktivitet ndërkombëtare
Klubet ruse u përjashtuan nga kompeticionet europiane ndërsa edhe kombëtaret nga aktivitetet e organizuara nga UEFA dhe FIFA si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës që nisi në shkurtin e vitit të kaluar. Pas thuajse një viti mes gjyqesh dhe apelimesh, KAS i Lozanës i ka dhënë të drejtë organizatave ndërkombëtare që drejtojnë aktivitetet futbollistike duke dekretuar që ‘ekipet dhe klubet përfaqësuese të Rusisë, mbeten të pezulluar në pjesëmarrjen në kompeticionet e UEFA-s deri në një lajmërim të dytë, kur sanksionet mund të hiqen në mënyrën e duhur’.
“Vendimi i marrë nga UEFA ishte i arsyeshëm, i përmasave të pranueshme dhe mundësisht i nevojshëm për të formalizuar evente ndërkombëtare të një futbolli të sigurt, të mbrojtur dhe të zhvilluar në rregull. Maxhoranca e Panelit vlerëson se vendimi nuk ka shkelur Statutet e UEFA-s dhe as dispozitat e detyrueshme të ligjeve zvicerane dhe nuk ishte përdorim i padrejtë i fuqisë drejtuese të UEFA-s. Ai është mes kompetencave që ka UEFA për të marrë vendime që promovojnë objektivat e saj statutorë”, shkruan KAS në argumentimin e kësaj çështje. Ndërkohë, kujtohej se vendimi për pezullimin ishte i përkohshëm dhe me rrethanat e duhura, UEFA dhe FIFA mund ta anulonin atë duke kthyer në garë skuadrat ruse. PANORAMASPORT.AL