Trajneri i ri i Kombëtares, Silvinjo, ka nisur menjëherë nga puna pasi mori zyrtarisht detyrën të hënën. Braziliani së bashku me dy ndihmës-trajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior kanë zhvilluar një takime me të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, për djem dhe vajza.
Në këtë takim ishin të pranishëm trajneri i Kombëtares së vajzave, Armir Grima, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu, trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari, trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku, trajneri i Kombëtares U-16, Agron Kërçova, trajneri i Kombëtares U-15, Armand Damo, trajneri i Kombëtares U-19 për vajza, Kreshnik Krepi, trajneri i Kombëtares U-17, për vajza, Agustin Kola si edhe drejtori i Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Dritan Babamusta dhe menaxheri Denis Lilo.
Gjithashtu, Silvinjo u njoh edhe me mënyrën e organizimit të gjithë ekipeve të të moshave dhe për programin apo metodologjitë stërvitore që ato aplikojnë gjatë vitit, teksa mori informacion edhe për mënyrën se si monitorohen elementët e spikatur të cilët aktivizohen veçanërisht jashtë vendit.
Trajneri i Kombëtares theksoi se qëllimi i përbashkët është i njëjtë, për të afirmuar sa më shumë futbollistë të rinj, por edhe për të marrë sa më shumë rezultate pozitive me të gjitha ekipet kombëtare të moshave. Takime të ngjashme do të jenë periodike në një kohë që stafi i ri teknik përgatitet për nisjen e eliminatoreve të Europianit Gjermani 2024 në muajin mars.