Pas rastit të Shkodrës ku u vunë në pranga tre persona, të cilët gjobisnin biznese e njerëz që e dinin se kishin para, radha duket se i ka ardhur Tiranës
Tre persona të tjerë janë vënë në pranga pasi sipas Policisë së Shtetit dhe konkretisht skuadrës që heton krimet e tilla, personat kanë fokusuar firma dhe biznese duke përdorur aplikacionin e “Telegramit” për të realizuar përfitimin e vlerës monetare. Ndonëse Policia në reagimin e djeshëm nuk bën me dije detaje nga ‘viktimat’ e këtyre gjobëvënieve, bëhet me dije se tre të arrestuarit janë një nga Tirana dhe dy nga Vlora. Duke pasur parasysh edhe operacionin e 4 ditëve më parë në Shkodër, ka dyshime që grupet kanë ndërvepruar me njëritjetrin për të pikasur dhe më pas gjobitur shënjestrat e tyre. Burime konfidenciale bëjnë me dije se ndër emrat që janë synuar të goditen nga grupi i gjobave janë edhe zyrtarë të lartë të shtetit dhe të pushtetit lokal në vend.
OPERACIONI
Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi nëpërmjet mashtrimit u vinin gjoba biznesmenëve në Tiranë. Në pranga kanë rënë Erion Lika, 41 vjeç, banues në Tiranë, Edmir Jaçe, 32 vjeç dhe Gazmir Ismailaj, 39 vjeç, të dy banues në Vlorë. Detajet e operacionit u bënë me dije në një konferencë për mediat nga shefi i Njësisë “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, Gentian Berberi. Burime të sigurta pranë grupit hetimor bëjnë me dije se personat e arrestuar i vendosën gjobë në Kamzë, kompanisë ‘Everest’, që merret me përpunimin e duraluminit. Pas arrestimit, policia sekuestroi 10 100 euro, 50 000 lekë të rinj, 2 automjete, fatura transaksionesh, 6 celularë, si dhe sende të tjera.
Anëtarët e këtij grupi kriminal kishin të paktën 4 vite që ushtronin veprimtarinë e jashtëligjshme. Pre e tyre ishin biznese të mëdha që kishin taksa e detyrime të papaguara në shtet. Kryesisht ata përdornin aplikacionin “Telegram” dhe në të vendosnin emrin e një zyrtari apo përfaqësuesi të institucioneve shtetërore. Nga verifikimet ka rezultuar se këta persona, duke përdorur identitetet e punonjësve shtetërorë, u kanë shkruar kompanive të ndryshme për t’u marrë shuma parash me argumentin se nuk ndodhen në territorin shqiptar dhe paratë u duheshin për trajtime mjekësore. Në jo pak raste, anëtarët e këtij grupi kriminal janë prezantuar edhe me emra të drejtuesve të tatimeve duke kërkuar para për detyrimet e papaguara në shtet.
Pak ditë më parë, Policia arrestoi edhe tre persona të tjerë nga Shkodra: Jasmin dhe Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç, në tentativë për të përfituar nëpërmjet mashtrimit, shumën prej 130 000 eurosh. Ata ishin prezantuar si njerëz të rëndësishëm në strukturat e shtetit, për të përfituar shuma të konsiderueshme parash në euro. Pre e këtij mashtrimi ata synuan kompaninë Salillari. Në operacionin e parë u sekuestruan 142 600 euro. Policia është duke verifikuar nëse të dyja rastet dhe personat e arrestuar kanë lidhje me njëri-tjetrin apo kanë vepruar në dy grupe të ndryshme kriminale.