Analisti Preç Zogaj i ftuar këtë pasdite në rubrikën “Opinion” në News 24 me gazetaren Ina Qirjo, foli lidhur me situatën brenda Partisë Demokratike dhe përçarjen në dy grupe.
Zogaj tha se përçarja e PD ka ardhur në 2021, kur Sali Berisha u shpall non-grata nga SHBA dhe vendimi i marrë më pas nga Lulzim Basha duke e përjashtuar atë nga Grupi Parlamentar.
Sipas tij përçarja ka ardhur nga brenda PD dhe se zgjidhja gjendet po prapë brenda kësaj partie edhe pse “rruga duket e gjatë dhe me pengesa të pakapërcyeshme”, por nga ana tjetër ai thotë se nga kjo situatë kundërshtarët përfitojnë.
Zogaj tha se nga ana e grupit të Enkelejd Alibeajt ka pasur një përpjekje për një bashkim së paku për daljen me një kandidat të përbashkët, por përpjekje kjo që ka dështuar.
“Kjo ndarje që ka ndodh nuk ka shumë ngjashmëri me ndarjet që kanë ndodh më parë, ndaj unë mendoj se për të shkuar së paku drejt një bashkëpunimi palët duhet të njohin dhe të pranojnë njëra-tjetrën si të ndryshme. Kjo është premisa numër një për të shkuar drejt mbështetjes së një kandidati. Për bashkim rruga duket e gjatë, ka pengesa të pakapërcyeshme”, u shpreh ai.
Pjesë nga deklarata e Preç Zogaj:
Në tërësi PD vazhdon të jetë e ndarë, ky është një fakt, një ndarje që ka arsyet e veta. Të dyja grupet mbrojnë dhe qëndrojnë në pozicionet respektive. Janë bërë disa përpjekje nga grupi i Alibeajt për tu afruar së paku drejt një kandidati të përbashkët, por përpjekjet kanë dështuar. Situata është shumë e ndërlikuar.
Nuk shoh një perspektivë të shpejtë për kapërcimin e ngërçit që është krijuar ën këtë parti politike.
Nuk kam regjistruar ndonjë përpjekje konkrete nga grupi i Berishës, përpos thirrjeve. Berisha e konsideron bashkimin si një lloj asimilimi i grupit tjetër. Unë mendoj se bashkim është vështirë të ketë, por mund të ketë bashkëpunim rreth një kandidati të përbashkët.
Kjo ndarje që ka ndodh nuk ka shumë ngjashmëri me ndarjet që kanë ndodh më parë, ndaj unë mendoj se për të shkuar së paku drejt një bashkëpunimi palët duhet të njohin dhe të pranojnë njëra-tjetrën si të ndryshme. Kjo është premisa numër një për të shkuar drejt mbështetjes së një kandidati. Për bashkim rruga duket e gjatë, ka pengesa të pakapërcyeshme.
Ka disa kohë që ka nisur kjo ndarje, dhe të gjithë e dimë pse ka ndodhur, por kam konstatuar se në gjithë debatet, shmanget zanafilla e ndarjes. Të shmangësh zanafillën e një zhvillimi politik dramatik, do të thotë të shmangësh analizën dhe kërkimin e rrugëve të mundshme për të bërë më të mirën, në pamundësi për t’u bashkuar dhe gjetur gjuhën për mbështetjen e kandidatëve të përbashkët.
Ndarja ka ndodhur në shtator të 2021, dhe pikënisja është shpallja non-grata e Berishës dhe vendimi nga Lulzim Basha.
Kryeministri Rama përfiton nga përçarja e PD. Bilanci i qeverisjes që karakterizohet nga një mori skandalesh, mjegullohet pak nga kjo përçarje, dhe prej faktit se opozita nuk duket afër fitores sipas sondazhe që bëjnë kompani të ndryshme. Duhet të jemi realist sepse jemi në propagandë, dhe ajo ka roli e vet në politikë, por nuk është politikë, sepse politika ka të bëjë me fakte reale dhe analizën e tyre.
Në pikënisje të kësaj përçarjeje nuk shoh forcat politike të tjera, kjo ndodhi brenda PD, kundërshtarët përfitojnë sigurisht.
Përgjegjësia për përçarjen është brenda kësaj partie, dhe zgjidhja gjendet po aty.
Vendimi i gjykatës së kujt i përket vula është i vonuar, dhe kjo rëndon në gjithë këtë bilancin negativ që ka regjistruar drejtësia shqiptare përgjatë shumë viteve. Duhej ta kishin zgjidhur sepse i kanë lënë pezull të gjithë.