Nga Bujar Leskaj
Emri i tij i vërtetë: Nëntor 28!
Emri i tij i vërtetë: Nëntor 28!
104 vite më parë, në 24 janar 1919 kaloi në përjetësi, për të hyrë dhe qëndruar në altarin e pavdekshmërisë të kujtesës sonë kombëtare, personaliteti më i shquar shtetëror, diplomatik dhe shoqëror i lëvizjes kombëtare shqiptare, Babai i Pavarësisë, Themeluesi i shtetit shqiptar në 28 Nëntor 1912 dhe figura më e dashur e karizmatike e shqiptarëve, Ismail Qemal Vlora.
Ismail Qemal Vlora lindi në 24 janar 1844 në Vlorë në familjen e madhe të Vlorajve. Mbiemri i tij Vlora flet shumë për vendlindjen e tij, për qytetin, familjen e tij patriotike, formimin dhe atdhedashurinë.
Politikan, konsekuent i bindjeve të tij liberale dhe tejet përparimtare, të cilat buronin nga shkollimi i tij, njohuritë e gjera që zotëronte për Evropën Perëndimore, njohjen e organizimit shtetëror, sistemit ekonomik, filozofisë politike dhe qytetërimit evropian; si edhe kultura e tij e jashtëzakonshme politike e historike.
Biografia dhe veprimtaria e tij politike e diplomatike janë të mahnitshme. Ismail Qemali shkëlqeu me të gjithë bagazhin e tij si mendimtar, politikan dhe dijetar.
Te AI bashkohen në një: Njeriu, Shtetari, Pavdekësia!
Politikan e diplomat e bindje e me sjellje ai ishte dhe mbeti demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik. Toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij, humanizmi ishte etika e tij. Liberalizmi ishte koncepti i tij për shtetin dhe shoqërinë. Mbrojtës i të drejtave të njeriut, që ushtronte pushtetin si pushtet të ndërgjegjes.
Gjykimi i tij i qartë, ndershmëria dhe qëndrueshmëria, sjellja e përmbajtur dhe kurajo e gykimit e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Ismail Qemali ishte zotëruesi i situatave dhe zotëri i kohës në të cilën jetoi.
Kryevepra e tij ngelet Themelimi i Shtetit shqiptar, sepse Ismail Qemal Vlora kurrë nuk do t’i keqpërdorte ndjenjat kombëtare për qëllime politike dhe bëri atë që pakkush mund ta bënte: Shpalli Pavarësinë!
Ismail Qemal Vlora është i pari politikan shqiptar, që vuri mbi egoizmin Shqipërinë, që mbi keqkuptimin vuri mirësinë, tolerancën e dashurinë; themeloi debatin publik dhe institucionin e dorëheqjes edhe pse nuk meritonte të dorëhiqej.
Emri i Ismail Qemalit është shkruar me gërma të arta në kujtesën tonë kolektive, si Babai i Pavarësisë dhe Themeluesi i shtetit shqiptar. Ai është protagonisti kryesor që bëri përpjekje kolosale politike dhe diplomatike nëpër kancelaritë e Evropës, për të siguruar mbështetjen për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Veprimtaria e tij atdhetare do të ndërpritet pabesisht. Në Peruxhia, në 24 janar 1919, Plaku i Urtë ndërron jetë (dyshohet i helmuar), në pritje të bisedimeve me qeverinë italiane, për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë.
Emri i Ismail Qemal Vlorës në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si Ati i Kombit.
Për kryeveprën e tij, Shpalljen e Pavarësisë në 28 nëntor 1912, populli këndon: Emri i tij i vërtetë është Nëntor 28!