Interi arriti të siguronte një biletë për në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, teksa mposhti Atalantën me rezultatin 1-0 në duelin e zhvilluar në “San Siro” falë golit të shënuar nga Darmian në pjesën e dytë, në një ndeshje mjaft të luftuar, dhe që u zgjidh nga një episod.
Rreth 20 minuta në fushë për Kristjan Asllanin, që mori vendin e Çalhanoglu në të 72-tën, ndërsa në radhët e Atalantës Berat Gjimshiti u aktivizua titullar dhe qëndroi në fushë deri në fund. Mbrojtësi shqiptar është përzgjedhur lojtari me notën më të lartë te Atalanta, nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”.
Gjimshiti vlerësohet me notën 7.3, teksa fitoi 5 nga 6 duelet me kundërshtarët. Gjithashtu mbrojtësi shqiptar arriti të spastronte plot 7 herë zonën.