Inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 58 milionë euro, por asnjëri nuk është në funksion, ndërsa malet me mbetje të krijuara rreth tyre rrezikojnë të kthehen në hotspote të reja mjedisore.
Inceneratori i Elbasanit është prej kohësh i fikur dhe mbetjet që vijnë nga gjashtë bashkitë e qarkut kanë krijuar një mal gjigand plehrash në landfill. Pamje të ngjashme ofron edhe inceneratori i Fierit, ku një grumbull mbetjesh është krijuar gjithashtu brenda rrethimit. Mbetjet depozitohen në landfill dhe nuk i nënshtrohen proceseve të tjera të seleksionimit, riciklimit apo djegies.
Inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 58 milionë euro, por i pari është në remont dhe i dyti nuk është vënë ende asnjë ditë në punë. Përtej kostove dhe akuzave për abuzim me fondet publike, ekspertët janë të shqetësuar se malet e plehrave po shkaktojnë një krizë të re mjedisore në këto dy projekte.
Olsi Nika, ekspert dhe drejtues i organizatës mjedisore EcoAlbania, thotë mbetjet e depozituara pranë inceneratorëve rrezikojnë të ndosin ambientin përreth.
“Lehtësisht ato mbetje kanë mundësi të bien në kontakt me faktorë biotikë dhe abiotikë që do të thotë me shiun, me erën, me rrëshqitjet e dherave për shkak të shirave dhe tërmeteve. Pra janë në kontakt shumë të qartë dhe të hapur. Ashtu siç janë në kontakt me shpendët, me gjitarët e vegjël, të cilët më pas mund të ndikojnë në tejçimin e kësaj ndotje, e cila për hir të së vërtetës, po shdërrohet në një hotspot nga pikëpamja mjedisore, në një zonë të nxehtë ku ka një grumbullim mjaft të përqëndruar të ndotjes,” tha ai.
Inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit u sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas hetimeve të nisura për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave ndaj ish-ministrit të mjedisit, Lefter Koka, ish-deputetit socialist, Alqi Bllako dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë
Administratorët kryesorë të kompanive koncesionare, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto akuzohen gjithashtu për korrupsion, por i kanë shpëtuar deri më tani urdhër-arresteve.
Pasi u menaxhua për disa muaj nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, inceneratori i Elbasanit i kaloi në mars të vitit 2022 shoqërisë me kapital publik, ECO-ELB, e krijuar nga të gjitha bashkitë e qarkut.
Në prill 2022, shoqëria ECO- ELB e përshkruante si emergjente situatën e krijuar me mbetjet në inceneratorin e Elbasanit, përmes një kërkese për pajisje me licensë të përshpejtuar për prodhimin e energjisë, drejtuar Entit Rregullator të Energjisë.
“Gjatë periudhës dhjetor 2021- mars 2022, situata e mbetjeve ishte dhe vijon të mbetet emergjente dhe nga data 15.12.2021, drejtori teknik i impiantit për shkak të mungesës së lëndëve të para të nevojshme për punën e impiantit, ka urdhëruar fikjen e komanduar të tij,” thuhet në kërkesën e shoqërisë Eco-Elb.
“Që nga kjo datë, mbetjet vetëm trajtohen në landfilld (nuk digjen) dhe si i tillë nuk realizohet prodhimi i energjisë elektrike,” shtohet në dokument.
Nëntë muaj pas licensimit nga ERE, impianti i Elbasanit është ende jashtë funksionit dhe mali i plehrave sa vjen e lartësohet, edhe pse shoqëria ECO- ELB shpenzoi para të tjera shtesë për ta vendosur atë në punë.
Bashkia e Elbasanit dhe administratori i shoqërisë ECO-ELB, Leli Kaja refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve mbi arsyet se pse inceneratori nuk djeg mbetje dhe mbi rreziqet mjedisore që shkakton groposja e mbetjeve në landfill.
Ndërsa Farudin Arapi, administratori i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara i tha BIRN përmes një bisede telefonike se impianti ka funksionuar për disa muaj dhe më pas pësoi defekt.
“Fillimisht ai ka punuar në normalitet nga periudha e marsit deri në periudhën e gushtit. Si rregull bëhet një remont i pjesshëm dhe një gjë e tillë nisi të kryhej në shtator-tetor, por për shkak se kishte disa avari në pompat, që ishte një proces serioz që s’e mori përsipër asnjë nga kompanitë, u detyruam ta ndërpresim,” tha Arapi, i cili shtoi se impianti do të vendosej në punë së shpejti.
Situata është e ngjashme në inceneratorin e Fierit, i cili nuk ka nisur ende të djegë mbetje. Sipas administratorit Arapi, nevojiten para të tjera nga buxheti i shtetit për të blerë pajisje shtesë dhe për ta vënë atë në punë.
“Pritet që ministritë e linjës të miratojnë fondin prej 2.8 milionë Eurosh për të vënë në funksion inceneratorin e Fierit,” përfundoi Arapi./ BIRN