BallinaKryesorePROFIL/Halil Teodori, ekonomisti, politikani dhe shkrimtari me trupin në SHBA, mendje e...

PROFIL/Halil Teodori, ekonomisti, politikani dhe shkrimtari me trupin në SHBA, mendje e zemër në Shqipëri!

Jeta është një varkë që të çon nga një breg në tjetrin. E rëndësishme është që të dish të “notosh” dhe lundrosh. Sakrificat e bëjnë njeriun më të fortë dhe e shtynë drejt suksesit të garantuar dhe konsoliduar. Historitë e suksesit janë të ndryshme në fusha të ndyshme, por të përformosh mirë në të përditshmen tënde si qytetar në marrëdhënien njerëzore, në profesionet e ndryshme në dy kohë krejt të ndryshme si diktaturë dhe demokraci, të kesh punuar si një zotni i vërtetë për të vënë një nga një tullat në murin tënd të suksesit dhe sot të konsiderohesh shembull, të jesh në faqen e historisë me gjurmë të mira, është e vështirë, por jo e pamundur. Kjo arrihet me punë, nder dhe besimin që do ia dalësh!
Personazhi që do të sjellim sot në startnews.al, ka mundur vërtet të jetë një person i cili çdo ditë të jetës së tij me sjelljen qytetare që e karakterizon, zemërgjerësinë, burrninë dhe zgjuarsinë që e ka gen të trashëguar nga paraardhësit dhe zona nga vjen Dibra, është një histori e vërtetë suksesi. Ndihet i plotësuar në atë çfarë ka arritur personalisht dhe familjarisht, aq më tepër që ka bërë një punë shumë të mirë dhe në fushën e letrave duke spikatur dhe lënë firmën e tij!
Ky profil është i pautorizuar, është e vështirë të dimë që në këtë përshkrim për të, të nxjerrim fjalët e duhura për ta përshkruar, për faktin sepse sado që mund të themi për personazhin tonë në këto radhë, e sigurt është që nuk do ta sjellim plotësisht tek lexuesi me atë karakter pozitiv që ka, më atë njerëzillëk që përçon, madje edhe po të kemi stilin e fjalës dhe të shkruarit si ai.
Vitet e jetës i ka të ndara mes diktaturës, demokracisë në Shqipëri dhe SHBA, atje ku ka mundur të plotësojë ëndrrën e tij, si dhe ndërkohë shtrojë mirë penën për të ardhur tek lexuesit me disa libra! Eshtë krejt modest, shquhet nga thjeshtësia në çdo gjë, por ndonëse jetës i ka dhënë drejtim në vendin e demokracisë botërore (SHBA), mendjen e ka tek Shqipëria që të jetë një vend i zhvilluar me demokraci të vërtetë! E beson që do të vijë kjo ditë dhe kërkon të japë kontributin e tij për aq sa mundet dhe nëse i kërkohet të kthehet në Shqipëri.
Quhet Halil Teodori! Jeta e tij i ngjan një fjalëkryqi, por që në fund të ditës, me qetësinë dhe intelektin që e karakterizon, Halili ka ditur të shkojë tek zgjidhja e rrjedhimisht suksesi. Ka punuar shumë, pa bujë, ka patur rendiment në çdo angazhim që ka marrë përsipër dhe çfarë është më e rëndësishmja, cilësi. Ka mundur të gdhend emrin e tij në atë skaljon që i takon një burri si ai!
Po kush është Halil Teodori?
Halil Teodori ka lindur në Zerqan (Smollik) të Dibrës në vitin 1958. Eshtë i martuar me Julia Teodorin dhe ka dy vajza; Anisën dhe Xhensilën të cilat kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera studimet e larta dhe Masterin në Universitet SHBA!
Vjen nga një familje që ka trashëguar vlera të larta njerëzore dhe patriotike. Familja e prindërve të Halilit ka marrë pjesë në luftën kundër okupatorit të huaj. Xhaxhai i tij, Rasim Teodori ishte partizan në Brigadën e 18 sulmuese. Nëna e tij Hajrie Teodori është nga Muglica e Okshtunit dhe babai i saj Limon Brici ishte partizan gjatë luftës kundër okupatorit. E siç dibranët kanë ushqyer tek fëmijët ndër breza dashurinë për atdheun, edhe tek Halili është injektuar kjo ndjenjë, saqë edhe pse për më shumë se dy dekada në SHBA, Halil Teodori është me trupin atje dhe mendjen në Shqipëri. Ka mundur të japë më të mirën në atdhe, por në kushtet kur çdo hapësirë në këtë vend kontrollohej nga një klasë politike pasardhëse e komunizimit, Halili u detyrua të zhvendosej në Amerikë ku dhe sot jeton familjarisht.
Halil Teodori është një “bukë” e gatuar mirë! Me edukimin brilant në familje që në fëmijërinë e tij personalisht ai ka spikatur për dëshirën e të nxënit të dijeve duke bërë çmos që të shkollohej dhe të ishte ai që sot është. Arsimin fillor dhe 8-vjeçar e mbaroi në Zerqan (Smollik) për të vazhduar në Shkodër shkollën e Mesme Veterinare. Studimet e larta i ka mbaruar në Universitetin Bujqësor të Tiranës si dhe ka vazhduar shkollimin për Accounting në USA, studime pasuniversitare: Master në Shkenca (Financë). Ata që e njohin flasin fjalët më të mira për të; që nga fëmijëria, e më pas student, në marrëdhënie pune në Shqipëri dhe SHBA ku ndodhet sot. Halil Teodori ka një kontribut të çmuar në publicistikë dhe krijimtari të mirëfilltë letrare ndër vite si gjatë kohës që ka qenë në Shqipëri ashtu edhe sot në tokën e bekuar amerikane, vendin e lirisë dhe demokracisë! Emri dhe krijimtaria e tij tashmë kanë zënë një vend të merituar në publicistikën dhe letrat shqipe.Vendlindja, të afërmit, miqtë, të njohurit dhe lexuesit e tij janë krenar për arritjet e tij, por dhe për faktin që e kanë mik. Halili ka sfiduar të jetë i suksesshëm në çdo punë me të cilën është përballur. Fillimisht ka filluar punën si veteriner në ish Kooperativën Bujqësore Zerqan ku bashkëpatriotët e tij e mbajnë mend mirë dhe të flasin për një njeri shumë punëtor, serioz dhe karakterizohej nga ndershmëria, por dhe dashuria për t’i shërbyer zonës ku kishte lindur dhe ishte rritur. Ata që punuan me Halilin gjatë periudhës që  punoi si veteriner në kooperativë bujqësore të Zerqanit, në Ndërmarrjen Bujqësore “17 Nëntori” Tiranë e konsiderojnë privilegj që u njohën, jetuan dhe punuan me të, u bënë pjesë e pasurisë së tij shpirtërore.

Zoti Teodori pati një eksperiencë disa vite edhe në politikë derisa kuptoi mënyrën se si gjërat funksonin në Shqipëri.
“Ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit vazhdojnë të jenë në krye të vendit. Vendin e etërve të nomenklaturës komuniste e kanë zënë bijtë e tyre. Shtresat e persekutuara, të përndjekura, të denigruara, të shpërdoruara vijojnë të lëngojnë plagët e së shkuarës. Askush deri më sot nuk është penduar për krimet e komunizmit dhe kjo është e mjaftueshme për të besuar se komunizmi gjallon ende në çdo hallkë të shtetbërjes në Shqipëri”-thotë Halil Teodori.
Bazuar në realitetin e sotëm, teksa klasa politike është në armiqësi të hapur edhe me SHBA, është ky skaneri më i mirë që një qytetar shqiptar, një politikan si Halil Teodori mund t’i bëj politikës së 32 viteve në Shqipëri. Siç duket intelekti e kishte shtyrë Halilin ta kuptonte herët këtë gjë, ndaj dhe ai ndenji deri në vitin 2000 si nën/kryetar funksionar i PDK dhe i pafuqishëm për të ndryshuar gjërat u largua nga politika dhe Shqipëria për në USA ku ka punuar Broker’s agent and Morgic Banker Consulent. Ky është Halil Teodori, ai i shpirtit krijues, ai i forcës së shprehjes, thellësisë dhe largpamësisë së mendimit, ai Halili i thjeshtë dhe i përzemërt, por me një botë të pasur dhe një shpirt të ndritshëm, ai Halili që plotëson portretin e tij. Halil Teodori dhe krijimtaria e tij, zënë një vend të merituar në letrat shqipe.

Krijmtaria e Halil Teodorit
Halil Teodori, është vazhdues i asaj kolane botimesh që mbajnë jo vetëm emrin e “Halil Teodorit”, por dëshmojnë shpirtin e paepur të krijuesit. Publiçistika e tij, tregon për pjekurinë krijuese të Halil Teodorit dhe përkushtimin me pasion, me të cilin ai i drejtohet lexuesit. Poezia është një arritje e madhe e autorit. Megjithëse, poezinë jemi mësuar ta trajtojmë si një shpërthim shpirtëror dhe emocionues të një grupmoshe që përfshin rininë. Por teksa shfleton poezit e autorit, jo vetëm je i bindur se poezia  është e aftë të ndez shpirtin e çdo moshe, por të tregojë dhe të dëshmojë se fjala, vargu, muzikaliteti, ritmi dhe vetë bukuria magjepsëse e poezisë, u flet jo vetëm të rinjve, por edhe më të moshuarve. Madje janë ata që shkruajnë dhe i përjetojnë me një tjetër zjarr këtë kontakt magjik të fjalës me lexuesin.
Hali Teodori në këtë komunikim përmes vargjeve, dëshmon urtësinë, filozofinë, thellësinë e mendimit, metaforën dhe simbolikën letrare. Ai shkruan me kaq finesë dhe kaq thellësi mendimi, me kaq zjarr pasioni dhe gjerësi të mesazhit, duke i dhënë poezisë një tjetër mision, një tjetër peshë dhe emocion. Është kjo poezia e atyre që ende dinë të dashurojnë me një shpirt plot pasion. Është kjo poezi që tregon se fjala dhe mendimi, idea dhe simbolika janë jo vetëm elemente të filozofisë, por, janë vetë poezia, ajo e zemrave të urtësuara në përjetime. Poezia e Teodorit është një zë burues që priret të shuaj ato etje që mbushin zemra, të dehë ato pasione që ka përgjumur koha, të harbojë ato drita që fikur i mban ikja. Ritmi dhe muzikaliteti, vokacioni dhe mesazhi, janë një shprehje e kthjellët dhe një marrëdhënie e sinqertë, që poeti ngulmon të ndërtojë me lexuesin e tij, me ata, të cilët gjejnë pjesë të vetvetes në këtë rrëfim të shpirtit poetik. Thjeshtësia dhe delikatesa, lirshmëria dhe brishtësia janë tregues të një nevoje që ai kumton për të çelur zemrën dhe për të zgjuar te të gjithë atë që po shuhet.
Me krijimtarin e tij, Halil Teodori kërkon me ngulmin e moshës dhe urtësinë e viteve dhe përvojës të rizgjojë emocione dhe përjetime, të rikthejë në kujtesë gjëra të gëzueshme dhe dhimbje, të cilat duke qenë pjesë e jetës sonë, janë gjithçka që na bashkon të gjithëve nën këtë qiell, në këto përjetime, brenda flakëve të zjarrit të dashurisë. Ai rrëfehet poetikisht dhe jetëson tek të gjithë atë realitet, atë që më çon atje “ku malli është më i trishtë se dhimbja”.  Ai është një zë origjinal dhe një vetëdije e kultivuar artistike dhe intelektuale. Si i tillë, vendi i tij në letërsinë moderne shqipe është tashmë një realitet. Sepse është puna e tij, vepra që ai ka realizuar, librat që kanë rrëmbyer interesim dhe kanë marrë vlerësimin e duhur nga kritika, ajo që flet me vepër.
Botimet si: “Vegimet e moshës”, poezi, “Dritë nga errësira”, roman, “Gjurmët”, publicistikë, “Sabri Caka, krahu i shqipes në flamur”, roman monografik,, “Dashuria dhemb”, poezi,, “Të gjithë qiejt shkëlqejnë në sytë e dashurisë”, si dhe “ Aleksandi i Madh”, “Skënderbeu”, “Troy” (fliste shqip), përbëjnë punën voluminoze që ai ka bërë. Këto tituj nuk janë thjeshtë një numër, janë një kolonë krijuese, janë një vepër përfaqësimi dinjitoz, janë ajo që do të na bënte të ndihem krenar. Mina HYSA/StartNEWS

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular