BallinaIntervistaObjektivi i 2023, ruajtja e stabilitetit dhe shmangia e rritjes së kredive...

Objektivi i 2023, ruajtja e stabilitetit dhe shmangia e rritjes së kredive me probleme

Intervistë me Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave

Fokusi i sektorit bankar në vitin 2023 do të jetë ruajtja e stabilitetit dhe shmangia e efekteve negative që mund të sjellë në sektor inflacioni dhe rritja e normave të interesit.

Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë se për bankat është e rëndësishme të mos lejohet që klientët të kalojnë në pamundësi pagese.

Bankat, sipas tij, po punojnë për të njohur sa më mirë situatën e huamarrësve dhe për të pasur plane rezervë, në rast të përkeqësimit të gjendjes financiare.

Sipas z. Brumbulli, prioritet tjetër për vitin 2023 do të jetë thellimi i mëtejshëm i dixhitalizimit dhe mundësimi i hapjes së llogarisë në distancë, si dhe të nënshkrimit elektronik.

Si e vlerësoni ecurinë e sektorit bankar në vitin 2022 dhe cilat ishin arritjet kryesore nga këndvështrimi juaj?

Për industrinë bankare, viti 2022 ishte një vit tjetër i suksesshëm, edhe pse në kushte të paparashikuara të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Situata e re devijoi planet e biznesit dhe rishikimi i zhvillimit të biznesit, në kushtet e krijuara, u bë i pashmangshëm.

Për shkak të mosekspozimit të klientëve në veprimtari tregtare me këto dy vende, nga pikëpamja e portofolit të huasë, nuk pati ndikime të drejtpërdrejta, por efekti i parë te bankat ishte rënia e vlerës së drejtë të letrave me vlerë të mbajtura në portofol.

Kërkesa e brendshme u rrit për të përballuar situatën e re të rritjes së çmimeve, e cila, për pasojë, përshpejtoi inflacionin e pritur.

Pjesa më e madhe e vitit u karakterizua nga inflacioni në rritje dhe kjo detyroi Bankën e Shqipërisë, në vendimin për rritje të normës bazë të interesit. Pra, mjedisi makroekonomik ndryshoi.

U rritën normat e interesit – çka në vetvete nënkupton shtrëngim të kushteve të huadhënies. Megjithatë, sektori bankar mbështeti nevojat e ekonomisë për hua, si për shoqëritë tregtare, edhe për individët.

Huaja u rrit në mënyrë të kënaqshme, mbi 8% parashikojmë deri në fund të vitit sipas shifrave të BSH-së. Situata me norma interesi të rritura filloi të frenojë konsumin dhe u rritën depozitat – rritje vjetore që mund të jetë mbi 7%.

Mjaftueshmëria e kapitalit është në nivele të larta – 19%; kreditë me probleme mbeten në nivelin më të ulët të këtyre 10 viteve të fundit – rreth 5%. Me të gjitha këto, duket që ecuria e bankave ka qenë e mirë dhe do të ishte një vit krejt jo i zakonshëm për mirë, nëse nuk do të ndodhte lufta!

Nga ana tjetër, sektori bankar u tkurr me një bankë, dhe numri i bankave është 11. Të gjitha bankat ofrojnë e-banking, janë shtuar produkte dhe shërbime online. Ka filluar projekti për realizimin e pagesave online për shërbimet publike në e-Albania, të cilin shpresojmë ta kemi në funksion në janar të vitit 2023.

Pra, sektori bankar u paraqit solid, i qëndrueshëm, stabël, aspak problem për shoqërinë dhe shtetin, por një zgjidhje më shumë!

Sa janë ndier, deri tani, efektet e inflacionit të lartë dhe normalizimit monetar dhe si e vlerësoni mënyrën sesi sektori bankar po përballet me këtë moment?

Norma e interesit është një nga parametrat kryesorë që karakterizon politikën monetare. Çdo ndryshim në nivelin bazë të saj sjell pasoja zinxhir në huamarrje dhe huadhënie, për shtetin, bankat, shoqëritë tregtare, familjarët.

Ku ka para – financë, ka interes. Prandaj ndryshimet e saj, në një mënyrë apo tjetër, ndikojnë në veprimtarinë e gjithë shtetit dhe shoqërisë.

Inflacioni është ai që shkakton rritjen e normës së interesit. Në periudha me inflacion të lartë duhet të mos inkurajohet konsumi, por të inkurajohet kursimi. Inflacioni gërryen vlerën reale të mjeteve.

Me përjashtim të arit dhe pasurisë së paluajtshme, të cilat rivlerësohen edhe në kushtet e inflacionit, mjete të tjera humbasin vlerën. P.sh., letrat me vlerë janë ato që humbasin vlerë. Kjo prek menjëherë institucionet financiare, të cilat kanë në portofol të tyre letra me vlerë. Dhe bankat bëjnë pjesë në këtë grup.

Nga ana tjetër, inflacioni, duke rritur normën e interesit, ul kërkesën për hua, duke ndikuar negativisht për rritjen e prodhimit të përgjithshëm bruto.

Në kushtet kur pagat nuk ndjekin spiralen e inflacionit me të njëjtin ritëm, bie fuqia blerëse për familjarët. Çmimet e mallrave rriten dhe kërkesa ulet.

Në këto kushte, bankat janë më të kujdesshme për huadhënie. Shumë kërkesa rrëzohen, sepse këstet dalin më të larta dhe të ardhurat nuk i justifikojnë këto këste. Veprimtaria vazhdon, por ka një kujdes të mbishtuar.

Paqëndrueshmëria është ajo që bankat nuk dëshirojnë. Dhe inflacioni e krijon këtë paqëndrueshmëri. Me normalizimin e situatës, politika shtrënguese reflekton, duke pasqyruar kushtet e reja në treg.

Pra, është një zhvillim që ka uljet dhe ngritjet e veta. Ajo që kërkohet, është që të dalësh nga situata me rrezik të shtuar me sa më pak rreziqe të konvertueshme në fakt.

Cilat do të jenë sfidat kryesore për ekonominë shqiptare dhe sektorin bankar në vitin 2023?

Sektori bankar po ndjek me vëmendje ecurinë e portofolit të huasë. Ne nuk duam një pas 2010 të dytë, ku kreditë me probleme arritën gati në 25%. Tani, kujdesi duhet për të mos lejuar që individë apo shoqëri tregtare të kalojnë në pamundësi pagese.

Prandaj po bëhet përpjekje për të njohur sa më mirë situatën e huamarrësve dhe, nëse do të përkeqësohet, një plan rezervë duhet të jetë i paramenduar.

Nga ana tjetër, bankat do të vazhdojnë me dixhitalizimin, për të realizuar hapjen e llogarisë në distancë, si dhe të nënshkrimit elektronik.

Shumë për vitin e ardhshëm do të tregojë kalimi i këtij dimri. Ajo që dëshirohet, është stabilizimi, qëndrueshmëria.

Të shpresojmë që shenjat e kësaj qëndrueshmërie janë dhënë duke mos raportuar më të njëjtën rritje të normës së inflacionit dhe që pranvera të na gjejë me më shumë optimizëm.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular