10 vite të cilat mbartin shumë përkushtim dhe pasion për të bukurën! 10 vite gjatë të cilëve Living, tanimë jo një biznes mediatik, por një familje e madhe që rritet dita-ditës, është bërë shoqëruesi më i dashur i mijëra lexuesve besnikë që gjetën te një nga revistat më të mira në vend, një guidë të mirëfilltë të jetuari sa më shëndetshëm e plot stil. Por, magjia nuk mbaron këtu sepse ne vijmë shumë shpejt me një format të ri, më krijues dhe më të kuruar se kurrë.
E ftuar në programin “Vizioni i pasdites”, kryeredaktorja Santana Çomora, ka rrëfyer mes kujtimeve dhe emocioneve si lindi revista “Living” dhe çfarë solli ajo për herë të parë për lexuesin shqiptar. Ajo çka e diferencoi këtë revistë nga simotrat e saj në treg ishte FOTOGRAFIA e dedikuar, origjinale, e cila ishte gjithmonë në funksion të një shkrimi origjinal të shkruar me vëmendje e kujdes.
Pyetjes s a mëson Santa nga Living apo Living prej saj, ajo iu përgjigj se pas kaq vitesh në krye të kësaj reviste, ecën paralelisht me të për të dhënë më të mirën.
Gazetarja dhe panelistja e njohur tregoi gjithashtu se përveç figurave të njohura të jetës publike, artit dhe politikës, misioni i Living ka qenë gjithmonë promovimi i emrave të rinj në fusha të ndryshme. Ajo nuk ngurroi të përmendte emra të përveçëm si Jonida Maliqi, Eni Vasili, Kristina Baki, Eva Murati, Afërdita Dreshaj etj, personazhe që lexuesit e Living i kanë mirëpritur me shumë dashuri dhe interes, por për Santën fuqia e disa editorialeve shpeshherë ka tejkaluar edhe atë të kopertinave.
“Living” është fryt i një pune të palodhur, ndërtuar nga një staf që punën, fatmirësisht e ka pasion përmbi gjithçka.
Do të jemi gjithmonë aty, me të rejat më të fundit, duke dhënë kontributin tonë, sado i vogël apo i madh, në përcjelljen e informacionit te ju, për një jetesë sa më të mirë. Do të jemi thjesht një klik larg, LIVING-Online.