BallinaOP EDRusia-2023, fillimi i fundit të “ariut” të rraskapitur

Rusia-2023, fillimi i fundit të “ariut” të rraskapitur

spot_img
spot_img

GJENERAL PIRO AHMETAJ

piro_ahmetaj

Në kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit & NATO-s, kam ndjekur me përgjegjësi shtesë 350 ditë luftime në fushëbetejën e Ukrainës: “10-ra konferenca të Këshillit të Atlantikut, Institutit të Luftës në WDC, panele me ekspertë/personalitete të sigurisë në Uashington, Bruksel, Qendrën Marshall, Gjermani, Londër, Paris, Kolegjin e NATO-s, Romë, etj.”!

Në shtesë të dhjetëra publikimeve me fokus këtë subjekt, po paraqes një përmbledhje strategjike gjatë 2022 si dhe pritshmëritë për 2023. I. Rreth 78 vite mbas fitores mbi nazifashizmin dhe 32 vite mbas rrëzimit të murit të Berlinit dhe kur kampi lindor me në krye BRSS “u shkërmoq në paqe”; lufta si koncept si dhe agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të një vendi sovran, pothuaj kishte dalë “jashtë mode” nga doktrinat, terminologjia e institucioneve shtetërore, Instituteve dhe e akademive të sigurisë globale, rajonale, kombëtare, etj. Prandaj, viti 2022 do të skalitet në memorien e historisë së njerëzimit si viti i riciklimit të ndërmarrjes kriminale të luftës.

Mbas përfundimit të Luftës II Botërore, në 8 maj 1945, regjimi Putinit, më 24 shkurt 2022 u rikthye përqasjes neonaziste të ndryshimit të kufijve shtetërore, statuskuosë, hartës, balancave gjeopolitike nëpërmjet agresionit ushtarak dhe fuqisë së armëve vrastare. Luftën nuk e bëjnë armët, por njerëzit me mendje të deformuar. Prandaj duhet ritheksuar fort se edhe kjo luftë nuk është kurrsesi mes popullit rus dhe ukrainas, por kundër të keqes së përbashkët dhe oscilacione staliniste të Putinit.

Makineria ushtarake e Putinit e nisi agresionin në 24 shkurt, me konceptet e vjetra; nxori nga depot armatime & pajisje ushtarake të ndryshkura, me vlerësime euforike si dhe me objektiva dhe me pritshmëri perandorake (nënkupton ëndrra paranojake), por rezultoi e humbur, e rraskapitur, e izoluar dhe e diskredituar në fund të vitit 2022. Kështu, pasi, përgjatë 2022, Rusia humbi 40% të territoreve të pushtuara (përfshi Kherson-in e shpallur si pjesë të Mëmës-Rusi), la në fushëbetejë 120 mijë të vrarë, kostoja financiare e kaloi 3 trilionë euro (2 herë më shumë së Prodhimi i Përgjithshëm Neto (PPN) për 2022 =1.7 trilionë); dëshpërim të moralit të ushtrisë dhe kohezionit të kombit rus, tërësisht e rraskapitur në humbjen e epërsisë si dhe të iniciativës strategjike.

Gjatë vitit 2022, Rusia putiniste u izolua nga mbarë bota e qytetëruar: “Ndër 194 vetëm 4 shtete terroriste njohën fillimin e kësaj aventure neo-naziste; për shkak të kësaj lufte rrezikon përjashtimin nga 5-shja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB dhe në mos herët jo shumë vonë, e sigurt që Putini dhe Gjeneralët e tij do të përgjigjen për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare. Ndërsa për edhe më keq, Putinin e refuzojnë t’i japin dorën edhe liderët autokratë të Azisë Juglindore dhe aleatë tradicionalë të Rusisë.

I kanë mbetur aleatë vetëm shtetet terroriste si Irani, Koreja e Veriut apo së fundmi Junta e Malit, pas masakrave të të cilëve jo rastësisht janë mercenarët Wagner të Putinit (të njëjtët në Ukrainë). Gjatë vitit 2022, Rusia-Putiniste i humbi betejat për të testuar kohezionin mes vendeve të NATO-s/BE duke kërcënuar edhe me gazin si armë gjeopolitike; për të sfiduar rendin global të sigurisë, kufijtë gjeopolitike dhe interesat euroatlatike. Në të kundërt, mbi 30 miliardë € armatim dhe pajisje ushtarake moderne, flasin fort për kohezionin e përforcuar dhe mbështetjen kritike të Aleancës Transatlantike.

Gjatë vitit 2022, Rusia (keq) dështoi në shpresën dhe përpjekjet për të hapur një front të ri lufte duke frymëzuar grupet kriminale, axhendën e pushtetarëve të korruptuar dhe ekstremistët e tipit Dodik në Ballkan apo duke ricikluar oscilacionet e Millosheviçit në Beograd, duke kërcënuar me agresion ushtarak ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës si dhe ndaj prezencës së NATO/ KFOR (mbas marrëveshjes ushtarake të Kumanovës – 06/1999). Nga ana tjetër, agresioni i Rusisë-Putiniste ndaj sovranitetit të Ukrainës i dha një mësim të madh mbarë njerëzimit pasi konfirmoi se paqja nuk është një dhuratë e përjetshme.

Thënë këtë, shpresoj që kjo luftë të ulërasë si sirenë alarmi për të mbajtur zgjuar institucionin e mosharresës së krimeve të luftës si dhe mesazhit të 6 milionë martirëve (jo viktimave!) hebrenj të Holokaustit “kurrë mos harroni = never forget”. Viti 2022 konfirmoi se agresioni ushtarak i Rusisë Putiniste nuk është i adresuar vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës, por siç e nënvizoi Presidenti ukrainas, Zelensky, në fjalën e tij historike në Kongresin Amerikan:

“Mbetet një kërcenim serioz ndaj rendit dhe mekanizmave të sigurisë globale, ndaj kufijve të demokracisë, vlerave perëndimore dhe interesave euroatlantike (USA/NATO/BE)”! Në përmbledhje, fundi 2022 ishte vetëm fillimi drejt humbjes turpëruese që e pret Rusinë -Putiniste gjatë 2023 për pushtimin e Ukrainës si dhe e diskreditimit të luftës neonaziste në përballjen me fuqinë e vlerave demokratike, fuqinë ushtarake, forcën e kohezionit dhe solidaritetit të Aleancës Transatlantike. II. Vitin 2023 Rusia Putiniste e ka nisur me një përpjekje të dëshpëruar të “ariut” të rraskapitur ose e “bishës së plagosur rëndë” në një vit luftime. Ajo ka shpallur fushatën e hakmarrjes së madhe kundër Ukrainës dhe vendosmërisë së Perëndimit.

Edhe pse sigurisht mund të arrijë disa objektiva operacionale në terren, por e parë në kontekstin e oscilacioneve të humbësve, edhe kjo do të përfundojë si përpjekje kamikaze, e ngjashme me atë të Hitlerit në prill 1945, i cili në fundin e tij shpalli mobilizimin edhe të mbi 10-vjeçarëve, duke e marrë zvarrë kombin gjerman në një aventurë vetëvrasëse. Ukraina për 2023 po përballet me heroizëm për të mbrojtur territoret e rimarra dhe mbajtur iniciativën strategjike, si dhe për të vijuar me mësymjen deri në rikthimin e statuskuosë së Krimesë para 2014.

Gjithsesi, të gjithë e pranojmë se fati i luftës është i ndërlidhur me mbështetjen, nga e USA/NATO etj., me armatime moderne (sa më shpejt, edhe më mirë). Prandaj në konferencën ekonomike të Davosit, liderët e mbarë botës e ritheksuan fort se: “Vetëm kohezioni i botës demokratike dhe mbështetja me armët moderne do të sigurojë fitoren përfundimtare të luftës nga Ukraina”. Kështu, me nisjen e vitit 2023, SHBA, UK, Gjermania, etj. kanë konfirmuar dërgimin e tankeve (Abrams, Challenger & Leopard 2/1) të gjeneratës se fundit, të cilët do të vendosin fatin e luftës në tokë (fillimisht 140 tanke, ndërsa paketa e plotë deri 350).

E tmerruar nga supremacia në manovër dhe fuqinë e zjarrit të tankeve të Perëndimit, Kremlini po përdor deri qasje të bandave terroriste si p.sh. duke stimuluar ushtarët me 70.000 € për çdo tank ‘Leopard’ etj.! Gjithsesi, duhet thënë se ka befasuar Greqia, që, edhe pse zotëron rreth 350 “Leopard2” dhe 500 “Leopard1”, por ka konfirmuar se nuk do t’u bashkohet 12 vendeve të NATO-s për të dërguar tanke në Ukrainë. Ndërsa shumë keq është pritur edhe qëndrimi i Presidentit të Kroacisë në raport me qasjen e Zagrebit Zyrtar ndaj pavarësisë së Kosovës apo pasojave të luftës në Ukrainë… E lexuar si kosto financiare, paketa e mbështetjes e USA dhe vendeve të NATO-s (sisteme Patriot, Dronë, tanke, etj. të gjeneratës së fundit) shkon me shumë se 70 miliardë €.

Ndërsa pak ditë më pamë, Liderët e BE-së në Samitin historik të Kiev-it, konfirmuan që ndihma financiare gjatë 2023 do të jetë 18 miliardë €, pa përfshirë mbi 7 miliard € nga Norvegjia. Pra, në total, lufta apo për më mirë, fitorja e Ukrainës do të mbështetet me rreth 100 miliardë € për vitin 2023. Nga ana tjetër, shifrat e jashtëzakonshme financiare flasin për vëndosmërinë e Perëndimit deri në fitoren e Ukrainës. Ndërkohë që është konfirmuar edhe mbështetja për anëtarësimin në BE dhe në NATO, siç i konfirmoi BBC, Presidenti i zgjedhur i Çekisë, Gjeneral ® Pitr Pavel.

Por, dilemat për fundin e luftës dhe përkujdesja e shtuar janë rrjedhojë e armëve bërthamore që trashëgon Rusia (5977 njësi kundrejt 5428 USA; 290 Franca; 225 UK), me të cilat kërcënon se do “t’i bëjë gjëmën qytetërimit”. Por gjykoj se “nëse do të guxonte”, Rusia do të ndëshkohej/t në mënyrë shembullore nga USA/NATO, ndërsa putinistët ashtu si nazistët: “Për krime kundër njerëzimit”. Duke e lexuar këtë përmbledhje me “sytë” e kolegëve në Uashington, Bruksel, Londër, etj., vijojmë ende të besojmë fort që “2023 në Ukrainë është fillimi i fundit të “Ariut” të plagosur shumë rëndë nga përballja me Ukrainën martire”.

Krahas humbjes në Ukrainë, gjatë vitit 2023 Rusia do të gjunjëzohet e diskredituar edhe në përballjen me fuqinë ushtarake të USA/NATO-s, si dhe me kredibilitetin dhe interesat gjeopolitike të demokracisë të Aleancës Euroatlantike. Do ishte e padrejtë të mos përshëndesnim rolin aktiv, peshën dhe imazhin e Republikës së Shqipërisë, si rrjedhojë e përfaqësimit krah SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit të OKB; rolin aktiv dhe mbështetjen e pa kushtëzuar të vendimmarrjeve në NATO, si dhe kontributeve me shumë se modeste që RSH vijon t’i japë Ukrainës.

Në shtesë, me statusin e ekspertit në peshimin e impakteve të luftës ndaj interesave të sigurisë kombëtare, do t’i këshilloja faktorët shtetërorë të Tiranës Zyrtare që: “Humbja e luftës, izolimi dhe diskreditimi ndërkombëtar si dhe kolapsi ekonomik që e pret Rusinë në vitin 2023, për pasojë edhe e peshës së Serbisë në Rajon është një rrethanë e artë gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSH në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha me SHBA, NATO & UN si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat Kombëtare në Rajon, Mesdhe etj.”! Zoti e bekoftë paqen jo vetëm në Ukrainë, fuqinë ushtarake dhe Aleancën e vlerave Transatlantike si dhe interesat kombëtare të RSH.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular