BallinaEkonomi“Sikur të qeverisej me kaq zell sa përdoret për skemat e PPP-ve,...

“Sikur të qeverisej me kaq zell sa përdoret për skemat e PPP-ve, listat e patronazhistëve dhe aplikacionin Aktiv1sti…”

Nëse i gjithë ky zell e energji, – që sot po shpenzohet për makinacionet politike, mekanizmat e tjetërsimit të parave me skemat e PPP-ve, krijimin e të dhënave në listat e patronazhistëve apo aplikacionit të Aktiv1stëve, – të kanalizohej në mirëqeverisje dhe rritjen e eficiencës së punës në administratë, Shqipëria do të ishte sot shumë më ndryshe…

“Teoria e përfaqësimit” përbën parimin e mirënjohur të përdorur për të shpjeguar dhe për t’u dhënë zgjidhje çështjeve, që kanë të bëjnë në marrëdhëniet ndërmjet pronarëve dhe drejtuesve të kompanive, pra pronarëve të interesave të biznesit dhe përfaqësuesve të tyre, të emëruar edhe me mekanizëm votimi.

E njëjta teori gjen zbatim edhe në qeverisjen në shkallë më të gjerë të një vendi, nga forcat politike që vijnë në pushtet. Sepse në fund të fundit, qeveria është vetëm një menaxher i “emëruar” me votë për të shërbyer për mandate të kufizuara, jo pronar i vendit, popullit dhe gjithçkaje që lidhet me të. Ndërsa kërkesa universale, në secilin rast, është sigurimi i “qeverisjes së mirë”.

Zgjedhje të lira e të ndershme, llogaridhënia te qytetarët, hapja dhe transparenca, mbrojtja e të drejtave të njeriut e mjedisit, sjellja etike, menaxhimi i shëndetshëm i financave publike, kontrolli i abuzimit me pushtetin, zbatimi i rregullave të lojës janë disa nga parimet që njihen globalisht për një qeverisje të mirë.

Thelbi i këtyre parimeve është që ata që vijnë në pushtet nëpërmjet votës, së supozuar të lirë e të ndershme, të garantojnë sjellje të përgjegjshme me çështjet publike dhe menaxhim të burimeve financiare, të cilat vijnë nga taksat që paguajnë bizneset e qytetarët.

Qeveria është vetëm një menaxher i “emëruar” me votë për të shërbyer për mandate të kufizuara, jo pronar i vendit, popullit dhe gjithçkaje që lidhet me të. Ndërsa kërkesa universale, në secilin rast, është sigurimi i “qeverisjes së mirë”.

Sa po ndodh kjo në Shqipëri?! Pak ose aspak…

Një qeverisje e mirë kujdeset për cilësinë e administratës publike si faktor kyç, jo vetëm në performancën ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve, por dhe si instrumenti kryesor në zbatimin e reformave dhe të axhendës qeverisëse.

Por mbase problemi më i madh është pikërisht ky, pra pritshmëritë e qytetarëve dhe axhenda konkrete që u imponohet. Në mungesë të një axhende të orientuar nga rritja e mirëqenies dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët e këtij vendi, vendin e zë propaganda.

Mungesa e arritjeve thelbësore dhe të kuptimta në realitet, tentohet të mbulohet me “bollëkun e arritjeve” virtuale apo propagandistike, gjë e cila, për t’u përhapur, kërkon “ushtrinë” apo mekanizmin e vet të bindur: administratën publike.

Kjo e fundit tashmë është shndërruar në mekanizëm mbështetje, pëlqimesh dhe shpërhapjesh (postimesh e ripostimesh) të arritjeve të qeverisë.

Risia më e çuditshme që po mbizotëron në debatin e ditëve të fundit, aplikacioni Aktiv1sti, është një demonstrim tipik i dukurisë. Aplikacioni shfaqet si një instrument propagande, që e largon administratën nga roli dhe serioziteti që duhet ta karakterizojë dhe e shndërron në një masë “entuziaste” e që “brohoret” çdo “fitore” të partisë / qeverisë.

Debati, se sa të sigurta janë të dhënat e përdoruesve, nëse këta të fundit kanë zgjedhje të lirë apo jo ta shkarkojnë atë, apo nëse të dhënat merren dhe përpunohen konform ligjeve të këtij vendi, nuk ka vlerë.

Të dhënat e qytetarëve tashmë janë një libër i hapur për këdo, duke ekspozuar një nga dështimet më madhore e spektakolare të strukturave të administratës shtetërore, pavarësisht nëse ky dështim erdhi nga naiviteti, paaftësia, korrupsioni apo kombinimi i tyre.

Nëse i gjithë ky zell e energji, – që sot po shpenzohet për makinacionet politike, mekanizmat e tjetërsimit të parave me skemat e PPP-ve, krijimin e të dhënave në listat e patronazhistëve apo aplikacionit të Aktiv1stëve, – të kanalizohej në mirëqeverisje dhe rritjen e eficiencës së punës në administratë, Shqipëria do të ishte sot shumë më ndryshe.

Nuk do të ishim ndër shtetet më të korruptuara të Europës, që nuk arrijnë të bëjnë asnjë përmirësim në renditje, pavarësisht milionave të shpenzuara dhe presionit (apo imponimit) të institucioneve ndërkombëtare, për të realizuar reformën në drejtësi.

Vendi nuk do të kishte pagat më të ulëta në rajon, të ardhurat sa vetëm 32% e mesatares së Bashkimit Europian, pa asnjë përmirësim për një dekadë radhazi. Mbi të gjitha, shqiptarët nuk do të ishin sot ende pas tre dekadash, duke rrezikuar jetën me gomone, për t’u larguar për një jetë më të mirë, për shkak të mungesës së shpresës në të ardhmen e vendit të tyre.

Vetëm kur kjo situatë të jetë përmbysur apo përmirësuar, qeveria mund të marrë “like-t”, që i meriton! Por me sa duket, në këto kohë të vështira çështja “to like, or not to like” (të pëlqejmë apo të mos pëlqejmë) është shndërruar në dilemë ekzistenciale për administratën!

Nuk duket e pamundur që kjo dilemë, në një të ardhme, të shtrihet po kaq dhunshëm e masivisht edhe në të punësuarit e sektorit privat e me radhë në çdo segment popullsie, që sot ndihet relativisht më i lirë sesa punonjësi i administratës./Monitor/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular