BallinaUncategorizedPetrit Nika: Koncepti i Trinitetit dhe rrugëtimi i tij

Petrit Nika: Koncepti i Trinitetit dhe rrugëtimi i tij

spot_img

Nga Petrit Nika
Një nga konceptet ku mbështeten ata që e sulmojnë krishtërimin është pikërisht koncepti i Trinisë së Shenjtë. Ky rezulton të jetë koncepti më i papranueshëm, më i diskutuar, më i vështiri për t’u kuptuar e besuar dhe baza ku mbështeten refuzuesit. Jo të krishterët e kanë të vështirë ta besojnë dhe ta pranojnë sesi Një mund të jetë Një dhe Tre në të njëjtën kohë dhe të Tre janë në Një. Ky problem doktrinar e shoqëroi me refuzime edhe vetë krishtërimin në shekujt e parë, por gjithësesi u tejkalua. Në qofte se pranojmë se Zoti është dëshmuar dhe iu ka dërguar mesazhe njërzimit përmes profetëve, gjë e cila gjithësesi ngelet një mister, atëherë pikë së pari nuk duhet të kufizohemi në format me të cilat simbolikisht kjo Qenie Supreme i shpërfaqet njerëzimit në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme. Teologjia merret me misterin hyjnor dhe ne do përmbahemi pikërisht tek misteri. Në pamundësi për të shpjeguar këtë themel doktrinar të krishtërimit, disa teologë shfaqin tendencën që Trinitetin ta përcaktojnë si një vazhdim i praktikave pagane në Lindjen e Afërt. Duhet pranuar se në fakt koncepti i Trinitetit hyjnor ka ekzistuar para krishtërimit, por me krishtërimin fitoi një vlerë universale.
Të gjithë e dimë se shumimi njerëzor bazohet tek spermatzoidi dhe vezorja. Mashkulli kontribuon me “farën” dhe femra kontribuon me “tokën” ku do mbijë e rritet kjo farë. Në antikitetin e lashtë grek Kronosi (Koha) ishte babai i universit dhe Gjea (Toka) ishte nëna. Me pak fjalë, Kronosi përfaqësonte kohën, ndërsa Gjea përfaqësonte Tokën. Koha është koncepti abstrakt, Toka është koncepti i materies konkrete. Nëse një njeri është në gjendje duke vdekur, ndodh që i bëhet vetëm një frymëmarrje artificiale dhe ai kthehet në jetë. Fryma ngjall. E pra fryma nuk është konkrete, por ajo gjithësesi drejtpërdrejt përcakton ekzistencën e qenieve të gjalla në tokë. Mungesa e saj është baras me vdekjen për qenien njerëzore. Njerëzit e lashtë sollën idenë e Frymës së Shenjtë që iu dha jetë sendeve pa jetë. Njësoj sikur ne i fryjmë një zjarri që të ndizet, edhe pse e dimë që pas ca kohësh do të shuhet, sapo t’i mbarojë lënda që i shërben për të ekzistuar si i tillë. Në konceptin e grekëve të lashtë Kronosi është fryma e jetës, që i jep jetë tokës pa jetë. Nëse mungon koha, atëherë nuk ekziston as materia, pra rrjedhimisht, edhe toka. Ne, duke përshirë edhe veten time, shpesh mbajmë një qëndrim përçmues ndaj krishtërimit për errësirën mesjetare, por nuk duhet të harrojmë dhe filozofë të krishterë mesjetarë si Shën Agustini, i cili lidhjen e materies me kohën, i përmbledh tërthorazi në një postulat transhendental si ky: “Aty ku është Koha, nuk është Përjetësia, dhe po të mos jetë e para, as që mund të ekzistojë e dyta”. Do thoni, po ai e lidh me Përjetësinë çështjen. Sigurisht, me Përjetësinë e lidh, por do nënkuptuar se Shën Agustini kishte konceptuar lidhjen e Kronosit (Kohës e ndoshta kronit ose burimit, po ta themi shqip) me Materien, Gjënë po ta themi shqip (s’di pse më tingëllon bash tegonike kjo fjalë), Gjean, sipas grekëve të lashtë. Pothuajse njëjtë si ky konceptim, indianët e lashtë e kishin konceptuar përbërësin mashkullor për jetën si shpirti i gjallë dhe përbërësin femëror si qenien që duhet të marrë jetë, që jeta të mund të vazhdojë. Në përfytyrimin kozmik të çështjes ata e zhvilluan idenë e një shpirti suprem të quajtur Purusha, që do të thotë Njeriu (Njeriu kozmik ose hyjnor) – pra ai që kontribuon në përbërësin mashkullor (shpirtin) tek të gjitha qeniet e gjalla. Kurse universi fizik, pra materia, u quajt prej tyre Prakriti, që do të thotë Gruaja (Gruaja hyjnore, ose kozmike) – ajo që kontribuon në përbërësin fizik (trupin) femëror tek të gjitha qenieve të gjalla. Indianët e lashtë i konceptuan lindjen e universit dhe të jetës si një ndërveprim midis këtyre dy qenieve hyjnore, Purusha dhe Prakriti. Sipas tyre, para se të fillonte koha, ishte vetëm Parusha, Njeriu hyjnor, Zoti Suprem, pastaj nga dëshira për të krijuar, u shfaq edhe Prakriti. Të dy bashkë krijuan universin. Pasi krijuan universin ishte Parusha ai që donte të krijonte edhe qeniet e gjalla. Për ta bërë këtë, ai i fryu tokës fymën e tij të quajtur Nara dhe nga kjo frymë lindi jeta në tokë.
Kjo frymë sipas tyre është shpirti i të gjitha qenieve të gjalla. Sipas konceptit të tyre, sa kohë kjo frymë është në tokë, qeniet e gjalla do të vazhdojnë të ekzistojnë. Pasi krijoi universin dhe qeniet e gjalla, Parusha e largoi edhe Prakritin. Pas largimit të Prakritit dhe Naras, ajo që mbeti nga shpirti hyjnor Purusha quhej Narajana. Një kompozitë me fjalët Nara dhe Ajana. Nara do të thotë Njeri dhe Ajana do të thotë dalje, ose lindje. Të marra sëbashku në formën e tyre të përbërë në një fjalë të vetme, Narajana do të thoshte; Biri i Njeriut. Sikurse shihet, Njeriu nënkuptohet Zot në këtë teologji dhe Narajana do të thotë Biri i Zotit. Kjo është arsyeja pse termat Biri i Njeriut dhe Biri i Zotit përdoren si të barasvlefshëm në kontekstin e indianëve të lashtë.
Zoti Suprem është Purusha, Njeriu. Ai është gjithmonë i pranishëm në univers tashmë edhe si Narajana, që do të thotë Biri i Njeriut, Biri i Zotit dhe Nara, ose Fryma e Shenjtë. Ky ishte konceptimi i Trinitetit tek indianët e lashtë, të cilët ishin të parët që bënë të dallueshëm në teologjinë e tyre tre persona hyjnorë tek Zoti. Gjithësesi një pjesë e teologëve në përgjithësi nuk duan ta pranojnë mundësinë e një ndikimi tek krishtërimi që mund të këtë patur ky koncept, pasi është shumë i përgjithshëm dhe Zotin e shpërndan kudo në natyrë duke shmangur natyrën e monoteizmit që karakterizon krishtërimin. Pavarësisht Trinitetit të Shenjtë, Krishtërimi është një besim tërësisht monoteist. Koncepti i Trinitetit të përbërë nga Ati, Biri e Shpirti ekzistoi për më shumë se 1000 vjet midis indianëve të lashtë, më pas humbi vlerën që pati dikur.
Sidoqoftë, ka teza se koncepti i Trinitetit shtegtoi ndërkohë në vende të tjera gjatë epokës së thatësirës së madhe që zgjati tre shekuj me radhë në Indi, rreth 22 shekuj para lindjes së Krishtit. Në atë epokë të tmerrshme për ekzistencën e tyre, indianët shtegtuan në vende të tjera në kërkim të ujit dhe kështu e përhapën këtë koncept në vendet ku kishin migruar. Pas dy mijëvjeçarësh që tashmë ata e kishin humbur konceptin e Trinitetit, në fakt në vende të tjera ai kishte mbijetuar ende në forma të ndryshme dhe u rimor nga besimi i parë më përparimtar që doli nga monoteizmi hebre, Krishtërmi. Të krishterët e shekujve të parë që ndikoheshin nga shkollat filozofike greke, nuk donin ta pranonin Trinitetin. Një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Trinitetit ishte peshkopi Arian, i cili Jezusin e pranonte si person hyjnor, por jo aq hyjnor sa Zoti. Duke qenë se këmbëngulja e tij po fitonte shumë ithtarë, ai u shkishërua dhe emigroi në Iliri, ku në fakt e vazhdoi doktrinën e tij duke patur mjaft ithtarë midis ilirëve e fiseve të veriut të Europës që erdhën si pushtues aty. Por Triniteti ngeli baza konceptuale e krishtërimit, madje edhe pas ndarjes së kishës në Romë e Kostandinopojë. Pra Triniteti që është themeli i Krishtërimit prej 2000 vjetësh, u bazua në konceptin më të lashtë të ekzistencës së Zotit në Tre Persona hyjnorë dhe u ridimensionua fuqishëm duke dëshmuar, jo vetëm origjinën e jetës, por edhe ndërveprimin e Zotit me Njeriun dhe Rrugën e vërtetë të Njeriut për të shkuar tek Zoti.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular