Nga Sabah Sheta Kreu i deges se PD Kruje dhe kandidat per Bashkine
SKANDALI/Ku janë Bashkia dhe Qeveria?! 2 vite nga inagurimi, 1 vit e 4 muaj nga helmimi, si iua kthyen krutanëve uji në të papijshëm dhe “mollë të ndalueme”
Mashtrimet dhe skandalet e qeverisjes rilindase në nivel qendror dhe vendor nuk kanë të sosur. Rasti me Krujën është i pashembullt. Premtimi i furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë në çezmat e krutanëve rezultoi një skandal i vërtetë! Këtu nuk kemi të bëjmë veç me një skandal financiar në kuptimin e të shpërdoruarit të fondeve, por qytetarët e Krujës nuk mund të përdorin ujin e pijshëm në çezmat e tyre pas helmimit të tyre në vitin 2021, sepse autoritetet ende nuk i kanë autorizuar. Pas ndalimit të përdorimit të ujit nga ISHP për përdorim, ende sot dhe kësaj dite nuk ka një njoftim tjetër në rrugë zyrtare që të pohojë që mund të pihet. E gjitha kjo është një tallje e hapur, sepse banorët e Krujës për aq sa kishin akses në furnizim, e përdornin ujin para ndërtimit të ujësjellësit të ri!. Pra, bashkia dhe qeveria jo vetëm që nuk siguruan ujë 24 orë, por helmuan qindra qytetarë, e kthyen ujin e pijshëm në të papijshëm. Pra, uji i pijshëm sot në Krujë është një “mollë e ndalueme”! Si kryetari i PD Krujë dhe kandidat për drejtimin e Bashkisë, iu bëj thirrje autoriteteve të reagojnë ndaj kësaj situate edhe turpëruese për ta, sepse, veç pasigurisë që kanë qytetarët duke e blerë ujin, është edhe kosto financiare për ta.
INAGURIMI FALS I UJËSJELLËSIT
Më 27 Mars 2021, kryeministri Rama inaguroi ujësjellësin e ri të Krujës dhe deklaroi se pas këtij investimi do të furnizoheshin rregullisht me ujë të pijshëm të gjitha familjet e qytetit. Teksa afrohej pranë ujësjellësit, Rama i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Artur Bushi kërkoi një shishe apo gotë për ta mbushur dhe për ta pirë duke treguar kështu se, jo vetëm ujësjellësi i ri ishte funksional, por edhe uji ishte i pijshëm. Vetëm 6 muaj më pas rezultoi një mashtrim i vërtetë duke rrezikuar madje seriozisht jetën e banorëve të Krujës!
HELMIMI I QYTETARËVE NGA UJI
Data 24 tetor 2021 ishte një ditë paniku dhe e frikshme për qytetarët e Krujës teksa rendnin drejt spitalit. Kanë qenë me qindra ata që kanë paraqitur shqetësime serioze. Qytetarët ngritën menjëherë dyshime se helmimi kishte ardhur nga uji i rrjetit sikurse u konfirmua. Investimet në ujësjelllësin e ri të Krujës dhe Fushë-Krujës, ka qenë dhe ndër premtimet e fushatës elektorale në vitin 2019, nga kryebashkiaku Artur Bushi. Edhe pse ujësjellësi i ri u inagurua në vitin 2021, ujësjellësi i ri aktualisht është jashtë funksionit duke qenë se uji nuk përdoret!
REAGIMI I PD KRUJË
Dega e PD Krujë ndoqi në atë kohë me shqetësim të madh helmimin e banorëve nga uji i pijshëm. Së bashku me deputetet e PD Merita Bakiu dhe Orjola Pampuri vizituan qytetarët e shtruar, pasi u paraqitën në spital me shenja helmimi në spital duke kërkuar nga bluzat e bardha përkushtim maksimal. Për PD përurimi i ujësjellësit ishte elektoral. A do të mbajë kush përgjegjësi?!. Ku janë Bashkia dhe Qeveria?! Dy vite nga inagurimi, 1 vit e 4 muaj nga helmimi, si iua kthyen krutanëve uji në të papijshëm dhe “mollë të ndalueme”.