Policia e Tiranës dhe më pas Prokuroria njoftuan se ishte vënë nën sekuestro pasuria me vlerë rreth 3 milionë euro e një personi që akuzohej për trafik droge në Itali!
Policia dhe prokuroria treguan se pasuritë i përkasin shtetasit Emiljan Burba, banues në Tiranë, por sipas dy njoftimeve ky shtetas është arrestuar dhe ekstraduar në vitin 2014 në Itali ku, gjithnjë sipas tyre, është dënuar me 21 vjet burg po për trafik droge.
NJOFTIMI I PROKURORISË
Finalizohet pas një hetimi dyvjeçar, operacioni policor i koduar “Resort 2012” nga i cili janë sekuestruar pasuri që arrijnë vlerën 3 milionë euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një shtetasi të dënuar në Itali, me 21 vjet burgim, për trafik droge. “Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetasit Emiljan Burba, 54 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas është ndaluar në Tiranë, në vitin 2014, dhe është ekstraduar në Itali, pasi Gjykata e Apelit në Torino, Itali, e ka dënuar me 21 vjet burgim, për trafik droge”, njofton Policia. Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 3 milionë euro, konkretisht: 2 ndërtesa (resorte), në Sarandë, 1 automjet (kamion) dhe 1 rimorkio Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas ose familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
HISTORIA E TË ZOTIT TË DY RESORTEVE
Emri i Emiljan Burbës u mësua pikërisht 9 vite më parë, teksa një njoftim i policisë bënte me dije se ishte arrestuar për qëllime ekstradimi. Në njoftimin e asaj kohe thuhej: “Më datë 21 prill 2014, rreth orës 20:30, nga Sektori Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme u arrit kapja e shtetasit në kërkim ndërkombëtar e Emiljan Sofo Burba, 42 vjeç, banues në Tiranë. Kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i tij u krye për ekstradim në Itali, pasi nga zyra e Interpol Tirana ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Torino, Itali, me vendimin e datës 15 prill 2014, e ka dënuar me 21 vjet burgim”.
Por, në retrospektive të fakteve që pasuan historinë e Burbës, në janarin e një viti më pas, u tha se ai e mundi Prokurorinë e Torinos me anën e një avokati italian dhe fitoi lirinë. Bëhet fjalë për janarin e vitit 2015. Burba në kohën kur pretendohej se kishte konsumuar veprën penale, që daton një operacion të forcave të policisë italiane në vitin e largët 2006, ai konsiderohej si krahu i djathtë i Aldo Bares, por më pas Gjykata e Torinos nuk mundi ta mbante në qeli. Në njoftimin e djeshëm, ku njoftohet se iu ka vu nën sekuestro pasuria, nuk bëhet me dije nëse ai vijon të jetë në qeli apo është i lirë.