Gjykata e Tiranës ka caktuar këtë të shtunë masën e arrestit në burg ndaj Majdiel Husa, i arrestuar pasi akuzohet se nuk tregoi për vdekjen e shokut të tij Elton Tahirit nga mbidoza, por e hodhi në përrua pasi e kishte mbajtur disa ditë në banesën e tij.
Mbidoza e kokainës dhe heroinës i ka marrë jetën 48- vjeçarit Elton Tahiri që u gjet i vdekur më 13 shkurt pranë përroit të Limuthit në Bërxullë.
Ai ishte bashkë me shokun e tij Majdiel Husa në banesën e këtij të fundit kur u nda nga jeta.
47-vjeçari është arrestuar pasi vendosi që të mos e kallëzonte ngjarjen në polici, por e hodhi në përrua.
Në dëshminë para hetuesve ka thënë se kishte frikë se mos akuzohej, ndaj e mbajti disa ditë në shtëpinë e tij në zonën e Laprakës dhe më pas e transportoi me makinë dhe e la në përroin e Limuthit.
Elton Tahiri dhe Majdiel Husa kishin disa ditë që ishin depërtuar së bashku nga Gjermania dhe që prej kthimit kanë qëndruar së bashku në banesën e Husës në Laprakë, pasi jetonte i vetëm dhe nuk kishte familjarë. Viktima nuk kishte kontaktuar për asnjë moment me familjarët e tij dhe nuk u kishte treguar se ishte kthyer nga Gjermania.
Policia, që prej konstatimit të trupit në afërsi të Bërxullës nisi verifikimet e të gjitha lëvizjeve që ka kryer që nga kthimi dhe identifikoi edhe shokun e tij Husa, me të cilin kishte ardhur nga jashtë. Husa është mbajtur në vëzhgim dhe pasi është shoqëruar për t’u marrë në pyetje ka rrëfyer të gjithë dinamikën e ngjarjes. Trupin e ka mbajtur në banesën e tij për të paktën 2 ose 3 ditë, pasi sipas burimeve kishte nisur dekompozimi.
Gjatë kontrollit në banesën e Husës, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar sende që dyshohet se janë përdorur për konsumimin e lëndëve narkotike dhe automjeti i përdorur nga shtetasi 47-vjeçari për transportimin e trupit të pajetë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.