BallinaAktualitet"Bomba" në ambasadën Sovjetike para 72 vitesh, Bujar Leskaj: Pushkatimi i 22...

“Bomba” në ambasadën Sovjetike para 72 vitesh, Bujar Leskaj: Pushkatimi i 22 martirëve intelektualë krim i rëndë shtetëror!

spot_img
spot_img
Nga Bujar Leskaj
72 vite më parë, në 19 shkurt 1951 në ambasadën sovjetike u hodh një bombë artizanale, e llogaritur të shpërthente në kohën e një takimi mes diktatorit Enver Hoxha dhe disa këshilltarëve sovjetikë. Bomba ishte një inskenim i autoriteteve shqiptare për të justifikuar fushatën e radhës së spastrimeve në PKSH.
Por ajo çka pasoi, e njohur si masakra e mesnatës së 26 shkurtit 1951 në Tiranë, është ngjarja më tipike e krimeve përçudnuese të komunizmit në Shqipëri, diktatorit Enver Hoxha dhe Sigurimit të Shtetit.
22 intelektualë të shquar shqiptarë, krejtësisht të pafajshëm, u arrestuan nga Sigurimi famëkeq i Shtetit dhe u pushkatuan pa gjyq, pa prova, pa asnjë fakt kundër tyre; u dënuan e u ekzekutuan jo nga një gjyq i rregullt, por nga vendime të marra në Komitetin Qendror të PKSH dhe Byrosë Politike.
Dhe atë shkurt të zi u zgjodhën nga Sigurimi i Shtetit dhe Byroja Politike intelektualët më në zë nga gjithë hapësira shqiptare dhe u ekzekutuan për të ngjallur frikë e terror në popull, sidomos tek intelektualët properëndimorë, por edhe për t’i bërë fli në themelet e kthesës makabre politike, personalitete me peshë si: Sabiha Kasimati, nga Libohova, shkencëtarja e parë shqiptare; Tefik Shehu, nga Gjakova, tregtar i diplomuar për ekonomi dhe drejtësi në Itali; Niko Lezo, nga Delvina, i diplomuar për kimi në Universitetin e Tuluzës, themelues i laboratorit të parë kimik, deputet i Parlamentit shqiptar (1923), antifashist i internuar në Ventotene nga italianët; Jonuz Kaceli, tregtar i njohur, nga familja e shquar tiranase Kaceli; Manush Peshkëpia, nga Gjirokastra, intelektual shumëdimensional, poet e publicist; Anton Delhysa nga Prizreni, ndërtues i ambasadës amerikane dhe i shkollës teknike të Fullcit; Haki Kodra, nga Dibra e Madhe, i diplomuar për ekonomi në Universitetin e Zagrebit; Gafur dhe Myftar Jegeni, oficerë të ushtrisë kombëtare nga Dibra e Madhe, të diplomuar në akademitë ushtarake të Italisë, luftëtarë antifashistë; Zyhdi Herri, nga Tirana, gazetar; Qemal Kasoruho, nëpunës; Ali Qorraliu, pronar i madh, intelektual me studime të larta juridike në Selanik; Petro Konomi, nga Përmeti, i lauruar në Robetr Kolezh të Stambollit dhe në Akademinë Ushtarake në Itali; Reiz Selfo, nga Gjirokastra, tregtar; Gjon Temali, intelektual nga Shkodra, studiuar në Austri; Pjetër Guraziu, nga Shkodra, i doktoruar për shkencat ekonomike në Itali; Pandeli Nova, intelektual, shtresë e pasur; Thoma Katundi, nga Korça, veprimtar i shoqërisë panshqiptare “Vatra” në SHBA; Mehmet Ali Shkupi, shqiptar nga Shkupi, nëpunës; Fadil Dizdari, librar; Hekuran Troka, nga Kuçova, tregtar; Lluka Rashkoviç, biznesmen nga Mali i Zi.
Kjo ngjarje është një nga krimet më të rënda shtetërore të atij sistemi, që kurrë nuk duhet të harrohen, sepse po u harruan tragjedi të tilla mund të të përsëriten në të ardhme.
Sot, 22 Martirët e Demokracisë, prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular