BallinaKronikeDinamika/ Si ndodhi aksidenti i frikshëm në mes të Tiranës! Autobusi i...

Dinamika/ Si ndodhi aksidenti i frikshëm në mes të Tiranës! Autobusi i Unazës “humbi” rrugën, u përplas me disa makina

spot_img
spot_img

GERTA SHENA/ Prag tragjedie në Tiranë. Një autobus i linjës urbane mori zvarrë 9 makina teksa udhëtonte në mes të kryeqytetit.

Nga përplasja e fortë mes tij dhe mjeteve të shumta u plagosën 9 persona, ndërkohë që për fat asnjë prej tyre nuk ka rezultuar me dëmtime serioze për jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të ditës, teksa autobusi del nga semafori i bulevardit në anë të hotel Dajtit dhe vijon rrugën për në stacionin e urës së Shallvareve. Po ndërkohë që autobusi urban kalon bulevardin, shoferi nuk bën asnjë manovër zbutjeje meqë vetëm pak metra e ndanin me stacionin që gjendet aty.

Mjetet që nisen paralelisht me autobusin, pra që dalin nga i njëjti semafor në bulevard ndalohen në semaforin tjetër të urës së Shallvareve, por me sa duket shoferi i autobusit nuk e ka pasur mendjen për të hyrë në stacion e për pasojë përplaset me një “Audi”, që më herët tentoi të hynte në korsinë e tij, por kur ka parë që ishte bllokuar nga semafori ai tërhiqet në korsinë e tij. Autobusi me të njëjtën shpejtësi siç del nga semafori i bulevardit përplaset në anën e djathtë të prapakolpit të “Audi”-t, duke humbur kontrollin. “Audi” merr para makinën që ishte para tij e për pasojë autobusi hyn në mes të mjeteve. Policia që shkoi në vendin e ngjarjes, më pas ekspertët e bashkisë e një mori ekspertësh të tjerë, treguan se në fakt fajin e kishte mjeti që u gjend para autobusit, ndërsa autobusi ishte me dhjetëra udhëtarë, ndërsa “Audi” me një person brenda.

Nga dëshmia që ka dhënë më pas shoferi i mjetit të transportit publik ka bërë me dije se është i sëmurë dhe nuk ka mundur të shohë asgjë në ato momente, duke lënë të kuptohet se vuan nga probleme serioze tensioni dhe diabeti, probleme këto që në fakt nuk e mundësojnë një person të drejtojë as makinën e tij dhe jo më mjetet e transportit publik. Policia Rrugore bashkoi mediat dhe nisi të tregonte se do të zbardhen rrethanat, po ashtu edhe autoritetet bashkiake, të cilat premtuan se do të zbardhen të gjitha shkaqet, por në fakt linjat urbane në Tiranë janë të gjitha në të njëjtat probleme dhe kurdo burim aksidentesh me pasoja fatale dhe konfliktesh të shumta fizike mes punonjësve të këtyre linjave dhe udhëtarëve.

NGJARJA

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur një makinë tenton të dalë para urbanit të linjës së Unazës, që më pas humbet kontrollin dhe përplas mjetet e tjera që janë të ndaluara në semafor. Autobusi, i cili po lëvizte nga ura e ish-hotel Dajtit drejt Urës së Shallvareve lëviz mes trafikut pa ndaluar në stacion duke goditur fillimisht një automjet në të majtë dhe më pas merr një mjet tjetër para duke vijuar më pas me aksidentet seri. Nga ky aksident, 9 persona mbetën të lënduar ku 3 prej tyre udhëtonin me mjetin urban.

Fatmirësisht, nga kjo përplasje e fuqishme shpëtuan pa lëndime personat që ndodheshin në stacion duke pritur urbanin. Zyrtarisht, Policia nuk ka mundur të identifikojë përgjegjësin për këtë aksident, por dyshimet janë se shkak është shpejtësia. Një prej drejtuesve të mjetit, i cili u përfshi në aksident tregoi se shpejtësia e mjetit urban ishte tej normave të lejuara.

Drejtuesi i autobusit, 62-vjeçari Agron Xhafa, i cili është një prej të lënduarve në aksident, pas analizave rezultoi se nuk kishte përdorur alkool, por tha se vuante nga disa sëmundje dhe në momentin e aksidentit nuk është ndjerë mirë. Ai u arrestua nga policia disa ore pas ngjarjes.

Grupi hetimor, i ngritur për rastin, thuhet se po koordinon provat e marra në vendngjarje dhe dëshmitë e protagonistëve për të nxjerrë shkakun zyrtar të aksidentit. Pritet të kryhet një ekspertim teknik i autobusit nëse ka pësuar ndonjë defekt dhe shoferi nuk ka mundur ta kuptojë në aq pak kohë, ose që në të vërtetë shoferi i mjetit urban nuk është ndjerë mirë edhe siç ka pretenduar vetë dhe ka humbur kontrollin, duke mos parë se i duhej të hynte në stacion.

“Shoferi i autobusit ishte i tronditur, nëse ka tension apo zemër, ta shohë Policia”

Kanë qenë të shumtë dëshmitarët okular të asaj përplasje ditën e djeshme në mes të ditës në Tiranë, ku vetëm fati i madh e ka shmangur tragjedinë, pasi ekzistonte rreziku që me atë shpejtësi që mori para automjetet në semafor, autobusi mund të dilte në stacionin e tij ku ishin udhëtarët duke e pritur. Një shofer automjeti, dëshmitar okular i asaj ndodhie ka treguar se në fakt autobusi ka qenë shumë shpejtë dhe se ka parë drejtuesin e urbanit mjaft të tronditur. Drejtuesi i mjetit që ka parë se ç’po ndodhte ka frenuar ndërkohë që nga tronditja që ka pësuar, ka thënë se teksa priste në semafor të kuq që të hapej drita jeshile për të nisur lëvizjen, ndjeu përplasjen nga pas të autobusit, dhe nëse nuk do të kishte shtypur frenat, mund të kishte marrë para të tjera makina apo edhe më keq, këmbësorë që mund të kalonin rrugën.

“Dëgjova zhurmat. Isha pothuajse i ndaluar në semafor të kuq. Instinkti i shoferit, që mbajta këmbën në frena se do më kishte marrë dhe mua para. Autobusi ishte në ecje. E pashë nga pasqyra. Shoferi i autobusit ishte shumë i tronditur, a ishte me tension, a ishte me zemër, këtë ta shohë Policia”, ka thënë ai pasi ka ndihmuar t’u japë ndihmën personave të përfshirë në aksident.

Sipas të dhënave të Policisë, mësohet se shoferi i autobusit të Unazës, 62-vjeçari Agron Xhafa, ka mbetur edhe vetë i dëmtuar, por pas testit të kryer nga Policia në spital, ai nuk ka qenë nën efektin e alkoolit. Ashtu si ai, edhe drejtuesit e tjerë të makinave që u përfshinë në aksident, nuk kanë rezultuar pozitiv në testin e alkoolit që efektivët e policisë rrugore u bënë. Përveç 62- vjeçari, mes të plagosurve, 2 janë vajza, 35 dhe 31 vjeç dhe 2 shoferë të makinave të përplasura.

“Dëmet janë të konsiderueshme dhe ka vend për të dyshuar për një shpejtësi, por akoma jemi në momentet e para të hetimit të ngjarjes”, tha shefi i Qarkullimit në Tiranë, Taulant Gjoka. Fati largoi edhe tragjedinë që mund të ndodhte tek stacioni i autobusit, por që për mrekulli nuk dëmtoi asnjë qytetar që mund të ketë qenë duke pritur. Vendngjarja u mbush me forca të policisë, me ambulance dhe qytetarë kureshtarë të mbledhur aty pranë të tronditur nga ky aksident i rëndë, që të kujton daljen nga rruga dhe përfundimin në Lanë të një tjetër autobusi të Unazës, që në atë kohë shoferi humbi kontrollin pas një defekti teknik.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular