BallinaKronike“Makinën e kishte marrë me qira”, policia zbardh krimet që tronditën Tiranën:...

“Makinën e kishte marrë me qira”, policia zbardh krimet që tronditën Tiranën: Dan Hutra u arrestua në Sharrë

spot_img
spot_img

Policia e Shtetit ka zbardhur detaje rreth krimeve që tronditën sot kryeqytetin, që kishin të njëjtin autor. Dan Hutra vrau sot 3 gra dhe plagosi 3 të tjera, ndërkohë që në tre vendngjarjet lëvizi me një makinë të marrë me qira Sipas policisë, u verifikua që arma e përdorur për vrasjet në familjen Hysa ishte e njëjtë me atë vrasjes së Etleva Kurtit.

Po ashtu mësohet se Hutra është arrestuar ne zonën e Sharrës, ndërsa nuk ka bërë rezistencë kur është ndaluar nga policia.

Deklarata e plotë: 

Jam sonte këtu, për të komunikuar me ju, në lidhje me një ngjarje të rëndë dhe të pazakontë për qytetin e Tiranës dhe gjithë Shqipërinë, të kryer nga shtetasi Dan Hutra, i datëlindjes 1982, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë.

Ngjarja e sotme ka dinamikën si më poshtë:

Në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë shtetasen M. G., 40 vjece, banuese në Astir.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.

Shtetasi Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Theksojmë se për ngjarjen e parë të ndodhur në rrugën “Teodor Keko” Policia e Shtetit ka marrë njoftim në orën 13:40 minuta, nga një telefonatë në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pra pas ndodhjes së dy ngjarjeve të tjera.

Me marrjen e njoftimit për ngjarjen e ndodhur në “Kodër Kamëz”, janë organizuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Drejtorive të tjera vendore, janë ngritur pika kontrolli dhe janë zhvilluar kontrolle të shumta të banesave dhe ambienteve të ndryshme ku mund të fshihej autori, pasi nga veprimet e para në vendngjarje, u bë i mundur identifikimi i tij.

Strukturat e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e  Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë kryer të gjitha veprimet e domosodoshme hetimore, si këqyrjen e vendngjarjeve, sekuestrimin e provave materiale, pyetjen e të plagosurve dhe të dëshimtarëve okularë, sekuestrimin e pamjeve filmike, si dhe janë duke aplikuar metoda speciale të hetimit. Është kryer ekspertimi balistik i gëzhojave të sekuestruara në të dy vendngjarjet dhe ka rezultuar se 12 gëzhojat e sekuestruara në ngjarjen e ndodhur në “Kodër Kamëz” dhe 6 gëzhojat e sekuestruara në Kamëz, janë të qitura nga e njëjta armë zjarri.

Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.

Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023.

Falë reagimit të menjëhershëm dhe të pandërprerë të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, rreth orës 18:45, në afërsi të Sharrës në Kombinat, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit Dan Hutra, së bashku me armën e krimit të tipit kallashnikov.

Policia e Shtetit falenderon qytetarët për informacionet e dhëna dhe po kështu falenderon mediat për raportimin korrekt të ngjarjes dhe të veprimeve të Policisë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular