Ndeshja mes Fiorentinës dhe Milanit sot ka përjetuar një moment shumë emocionues. Të gjirhë në stadium kanë kujtuar Davide Astorin, ish-kapitenin e vjollcëve, i cili u nda në mënyrë tragjike nga jeta piëkrisht 5 vite më parë.
Në 4 marsin e vitit 2018, Astori u gjet i vdekur në dhomën e hotelit ku ishte grumbulluar skuadra e Fiorentinës para një ndeshje të Serisë A, pasi kishte pësuar një atak kardiak. Ngjarja tronditi futbollin italian pasi ai ishte një emër shumë i njohur dhe një figurë e dashur sidomos për tifozët vjollcë.
Ndaj sot, në shenjë respekti, në minutën e 13-të, si numri që mbante në fanellë Astori, ndeshja u ndal dhe të gjithë në stadium, tifozë e lojtarë, duartrokitën në respekt të të ndjerit, duke dhuruar momente emocionuese në “Artemio Franchi”.