NGA PREÇ ZOGAJ
Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibej, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, grupi parlamentar, kryesia dhe kolegji i kryetarëve të rretheve demonstruan sërish një kulturë të re politike me mënyrën si po sillen me vendimin unanim të tre gjykatësve të Apelit. As kënduan fitoren, as u mbyllën për ta ndarë me njëri-tjetrin “trofenë”. Përkundrazi: shpallën qëndrimin e tyre për të dalë në çdo bashki në zgjedhjet e 14 majit me një kandidat unik të dy pjesëve të PD-së. Vendosën hapjen ndaj kandidatëve të zgjedhur me primare nga grupi i Rithemelimit të Berishës.
Kanë ndërmarrë edhe më parë nisma për bashkim, që janë refuzuar. Patën propozuar, për shembull, shartimin e primareve me sondazhin me qëllim përzgjedhjen e kandidatëve nga një spektër më i gjerë se i atyre që ndjekin Berishën. Por edhe për ta futur PDnë zyrtare në lojë, dorë për dorë, me grupin tjetër.
Tani, pas vendimit të Gjykatës, ata njohën primaret pa sondazh. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në ligjërim dhe qëndrim, që e hedh topin në fushën e Berishës, së paku në rrafshin e reagimeve verbale të kortezisë, uljes së toneve, hapjes së spiraleve të komunikimit prej nga lindin idetë, takimet, bisedimet, zgjidhjet.
Ka mendime të ndryshme se cila do të ishte a mund të jetë formula e kënaqshme që pajton interesat e dy grupeve në PD. Pikësëpari, ajo duhet të jetë realiste në kontekstin e realiteteve ku veprojnë palët. Ku çfarë ka njëra nuk e ka tjetra dhe ku pavarësisht madhësisë, të dyja janë të mëdha. Pra, edhe e vogla bëhet e madhe sa kohë që dy a tri pjesë nuk bëjnë dot shumicë pa njëra-tjetrën.
Formula nuk merr jetë po nuk qe realiste. Berisha më të tijtë duhet të ndërgjegjësohen për realitetet specifike ku veprojnë. E njëjta gjë për drejtuesit e PD-së zyrtare. Asgjë nuk është si më parë. Njohja e ndërsjellë si palë të së tërës në raport me historinë së paku, vullneti për të venë interesin e së tërës mbi atë të pjesës dhe mbi egot personale, të gjitha këto do ta shtronin rrugën për t’u bashkuar me propozime, me lëshime dhe me vizon rreth kandidatëve unikë. Qofshin të primareve, qofshin të PD-së zyrtare në disa bashki.
Një formulë mund të ishte konsiderimi si kampion i rezultatit të zgjedhjeve të 6 marsit ku bashkitë ndahen sipas përqindjes së secilit grup dhe kandidatët respektivë konkurrojnë si kandidatë unikë. Dikush ka një propozim tjetër. Dikush një tjetër. Propozimet nuk mungojnë. E vetmja gjë që po mungon gjithnjë e më shumë është koha dhe bashkë me kohën edhe vullneti i Berishës. Ky nuk është mjaftuar me refuzimin formal të ftesës së grupit tjetër, por s’resht t’i sulmojë si të shitur e të blerë nga Rama. A thua se Rama qenka i interesuar për daljen e opozitës me kandidatë unikë!
Refuzimi apriori i propozimit për të dalë me kandidatë unikë, pa e studiuar, pa marrë informacion për rrugët e realizimit që propozon pala tjetër, pa u vënë vetë në dispozicion të idesë me propozimet e veta, çon ujë në mullirin e kundërshtarit, forcon kundërshtarin. Kjo është si një e bëjnë dy. Me mënyrën e tij të të menduarit, Berisha mund të akuzohet menjëherë si shërbëtor i përçarjes, si vegël e Ramës. Është shumë më logjike se t’u thuash të shitur atyre që duan daljen me kandidatë unikë. Akuzat me hamendje, që janë një tjetër nga opinionet, nuk janë të stofit tim. I neveris.
Po çfarë e pengon Berishën? Një mendje më thotë e pengon ngulfatja e në konceptimin prej tij të bashkimit si asimilim të palës tjetër, si kthim të penduarish planprishës në koritën e tij politike. Nuk i shkon mendja ndoshta se dalja me kandidatë unikë propozohet nga PD në kuadrin e pragmatizmit dhe takticizmit elektoral përballë një qeverie të korruptuar deri në palcë, siç është qeveria e Edi Ramës; se bashkimi synohet e dëshirohet për t’i dhënë një shans fitores së demokratëve pa dallim. Por të penduar nuk ka. As do të ketë. Nuk do të ketë të penduar në kuptimin që t’u kthejnë kurrizin SHBAsë për ta mbajtur mirë me Sali Berishën.
Ma merr mendja e pengon edhe plani i tij për të mbajtur fort çfarë ka, pa e vrarë mendjen për më tej. Në të vërtetë, edhe po të jetë kështu, refuzimi i tij është absurd sepse kandidatët e primareve do të njihen si të tijtë edhe po të fitojnë nën siglën përbashkuese PD që është edhe e tyrja. Thjesht do të ndajnë fitoren, që është gjithsesi më mirë se të mos e kenë fare.
Gjëja më e lehtë, madje parimore nga një pikëpamje, është që palët të rrinë të ndara, të vazhdojnë të ndara për të lidhur aleanca elektorale si subjekte në vete kur secila të jetë e institucionalizuar si e tillë në të ardhmen. Siç bëjnë partitë e së djathtës plurale në Itali dhe në shumë vende të Europës. Por rrethanat specifike që gjithkush i ka parasysh diktojnë kësaj radhe një takticizëm elektoral sui generis, në interes të mbarë opozitës, për të cilin, për aq kohë sa ka mbetur, duhet ta vrasin mendjen të gjithë. Jo vetëm Enkelejd Alibeaj me të tijtë.