Nga Samet Zagradi
Të mbledhësh dibranët në ditët e sotme nuk është shumë e lehtë, sidomos në këtë kohë, për të mos thënë e vështirë, sepse situatat e ndryshme kanë bërë që njerëzit të lëvizin anekënd botës.
Mijëra dibranë ndodhen larg vendlindjes, duke ndërtuar një jetë më të mirë, por pa e harruar kurrë vendin ku u lindën dhe u rritën. A ju mungon këtyre njerëzve Dibra? Ju mungojnë bukuritë e rralla, traditat, vendet, njerëzit, gatimet e mrekullueshme të gjysheve, odat dibrane, dialekti karakteristik, përse jo, dhe problemet e hallet që çdo ditë i jetojmë? Teknologjia ka bërë që këto gjëra të mos i harrojmë, madje t’i shohim çdo ditë, edhe pse virtualisht.
Faqja e rrjetit social Facebook “Këtu mblidhen Dibranët”, që padyshim pjesa më e madhe e kanë në profilet e tyre, çdo ditë sjell, me një cilësi të lartë, atë që ndodh në Dibër. Tiku, siç njihet nga banorët e qytetit të Peshkopisë, ka ndërtuar faqen e tij që në fillimet e saj, duke e bërë atë sot një vend ku mblidhen me të vërtetë dibranët. Sot faqja numëron mbi 128.000 ndjekës, të cilët “ushqehen” çdo ditë me foto profesionale, video, muzikë etj., të cilët sadopak të heqin mallin për vendlindjen. Adriatik Sula ka dhe Dibra Real Estate!
Kjo punë e madhe bëhet vullnetarisht nga Tiku, me një kënaqësi të madhe për Dibrën, të bukurën, fotografinë. Çdo ditë, pas një kafeje mëngjesi, pasioni i tij e çon anekënd Dibrës, për të sjellë gjithçka të mirë që ndodh.
Adriatik Vehap Sula lindi në vitin 1979 në fshatin Trenë të njësisë administrative Melan dhe njihet ndryshe si Dj Tiku, një prej Dj më të parë, që ushtroi veprimtarinë në Peshkopi. I pasionuar pas të bukurës dhe mendimeve pozitive, ky i ri udhëton për të sjellë foto të realizuara nga bjeshkët, malet, fshatrat e gjithçka të veçantë nga Dibra, për t’i reklamuar e për t’i bërë të njohura për publikun. Tiku është i dashuruar pas fotografisë dhe natyrës, pasion që e mban gjallë çdo ditë, duke vrapuar për të na e sjellë mjeshtërisht pranë nesh.
I pyetur se përse vendosi që ta krijonte këtë faqe, ai thotë se “qëllimi kryesor është të ketë një pikëtakim, ku dibranët brenda dhe jashtë vendit të kenë mundësi të gjejnë Dibrën, për të mos e harruar atë, për t’u mësuar të rinjve për traditat dhe për të bërë diçka që dikush më parë nuk e kish bërë”.
Ai beson se dibranët duke u bashkuar diku, edhe virtualisht, ndajnë mendimet dhe opinionet në një faqe, duke u bërë më të vlefshëm dhe më produktivë, duke mos pranuar pasivitetin.
Secili ka të drejtë të paraqesë përvojën, idenë për të bërë diçka të mirë për Dibrën, sepse ajo ka nevojë për gjëra të mira. Ndjekësit e faqes gjejnë një mori të madhe fotosh, informacionesh dhe videosh, të cilat vlejnë shumë për ata dibranë që janë larg vendit. Qëllimi është i qartë, është një ide që i mban njerëzit e informuar.
Një qëllim tjertër dhe jo pak i rëndësishëm është fakti që kjo faqe tashmë shërben si vend ku prezantohen dhe reklamohen biznese, lajme, njoftime, festa, ceremoni e shumë veprimtari të tjera.
“Këtu mblidhen dibranët” është një faqe me nivel, falë një pune të palodhur dhe vullnetare të këtij djaloshi, që çdo ditë ne shohim realitete të ndryshme, të sjella mjeshtërisht nga Tiku, përmes aparatit fotografik, që shkrep kudo bukuri.
Të punosh vullnetarisht është një vepër për t’u vlerësuar, aq më pak kur punon për t’u shërbyer një numër aq të madh njerëzish.
“Unë nuk kam fituar asgjë monetare, përveç kënaqësisë që më japin njerëzit, duke më uruar dhe më mbështetur çdo ditë.
Kam shpenzuar para që të mirëmbaj faqen, pasi kur jetoja në Norvegji, nuk isha i identifikuar si administrator, por pasi faqja filloi të pëlqehej, vendosa që t’i kushtohem tërësisht asaj. Tregu i reklamave dalëngadalë po lulëzon edhe në Dibër dhe të vetmet të ardhura, të vogla sigurisht, vijnë nga ato. Bizneset po kuptojnë se sa e rëndësishme është marketingu për suksesin e tyre.
“Këtu mblidhen dibranët” gjendet edhe në rrjete të tjera sociale si Instagrami, ku fotot dhe videot shikohen çdo ditë. Kjo punë mua më bën të ndihem mirë, pasi përcjell te çdo ndjekës Dibrën, që u mungon aq shumë. Do të vazhdoj të punoj fort në promovimin e vendit tonë. Marr shumë mesazhe edhe nga të huajt, të ciët kërkojnë informacione për Dibrën. Por kjo nuk mjafton, sepse duhen shumë faktorë që të mund të promovojmë vendlindjen, ashtu siç bëni ju, siç bëjmë ne, siç bëjnë edhe shumë të tjerë që punojnë në heshtje”, thotë Adriatik Sula. Marre nga Rruga e Arberit