BallinaKryesore“2000 DJEM: JEMI GATI PËR LUFTË!” – Dëshmi nga baza sekrete, kur...

“2000 DJEM: JEMI GATI PËR LUFTË!” – Dëshmi nga baza sekrete, kur përgatitej ndërhyrja tokësore e NATO-s për çlirimin e Kosovës

spot_img
spot_img
Nga Ylli Miolla
Dëshmi nga baza sekrete, kur përgatitej ndërhyrja tokësore e NATO-s për çlirimin e Kosovës
“2000 DJEM NË KOLSH:
JEMI GATI PËR LUFTË!”
Në prill të vitit 1999 ndodhesha në Kukës si gazetar për të ndjekur ngjarjet që zhvilloheshin afër frontit të luftës. Qyteti i vogël verior gëlonte nga bisedat e kolegëve të huaj që raportonin për mediat më të njohura të botës.
Një nga oficerët shqiptarë, që ndihmonte në përgatitjen e djemve të rinj kosovarë, që niseshin për luftë, pikërisht në fushimin ushtarak pranë fshatit Kolsh, e prita për ta takuar deri në mesnatë. Më kujtohet fare mirë edhe kodi i veçantë i komunikimit gjatë atyre ditëve të vështira, kur të gjithë, por sidomos oficerët, i druheshin identifikimit nga shërbimi sekret serb, për të cilin flitej se kishte depërtuar në Kukës përmes refugjatëve. Miku im erdhi për të më treguar në mirëbesim atë që ndodhte në vendfushimin pranë qytetit, ku brenda pak ditësh mijëra 18-20 vjeçarë bëheshin gati për të kaluar kufirin dhe për të vazhduar betejën për çlirimin e Kosovës. Nga ai takim emocionues, në lokalin e tejmbushur me gazetarë të huaj, kam fiksuar këtë dëshmi:
Një natë më parë, rreth orës 02.00, oficerët kishin shkuar në vendbazimin e UÇK-së për të përzgjedhur rreth 300 vetë (për plotësimin e një batalioni) midis mijëra vullnetarëve. “Veçimin e bëmë në heshtje të plotë (pasi ushtarët ishin në gjumë), duke thirrur emrat e atyre që ishin evidentuar më parë gjatë ditëve të stërvitjes, si më të përgatiturit fizikisht dhe ushtarakisht. Brenda pak minutash fjala u përhap në të gjitha çadrat. Nuk kishin kaluar as 15 minuta, kur u përballëm me rreth 2 mijë ushtarë të veshur dhe të armatosur, që ishin çuar në këmbë duke thënë: E kena edhe ne një pikë gjaku, ta derdhim për Kosovën! Të gjithë donin të niseshin atë natë. Por ne e kishim vendosur që të rreshtonim vetëm një pjesë të tyre.
Nuk mund ta përshkruaj atë lëmsh që m’u mblodh në grykë, teksa shikoja ata mijëra djem të rinj me sytë që u shkëlqenin nga padurimi për të shkuar në luftë”…
Koha e nisjes së ofensivës tokësore komentohej përditë si ngjarja më e dëshiruar. Lajmi më interesant rreth saj mbërriti tek unë nga një ushtarak, që kishte qenë i pranishëm në një takim të rëndësishëm me përfaqësues të NATO-s: “Trupat e UÇK-së do të futen në Kosovë si pararojë e forcave aleate, me flamur amerikan”.
Kur miku im e deklaroi këtë me një emocion të veçantë, për një çast heshta. Por ai shtoi me vendosmëri për të më bindur: Pse, ka simbol tjetër më frymëzues për luftëtarët e Kosovës?!
Vërtet, nuk kishin kaluar veçse pak javë, që kur presidenti Klinton kishte urdhëruar nisjen e sulmeve ajrore kundër Serbisë dhe kosovarët e vlerësonin si nder përdorimin e këtij simboli për mbështje morale në betejën finale për çlirimin e Kosovës.
Dorëzimi i Milosheviçit e bëri të panevojshme këtë sakrificë sublime të parashikuar, që gjithësesi do të kishte shtuar numrin e viktimave në radhët e kosovarëve. Ndërsa vitet që kanë kaluar nga dita e sprapsjes së ushtrisë serbe, jo vetëm që nuk e kanë zbehur respektin dhe admirimin e shqiptarëve ndaj shtetit dhe popullit amerikan, por tashmë i kanë dhënë statusin e një mirënjohjeje të përjetshme.
Marrë nga libri “Plani sekret për Kosovën”, BOTART 2006.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular