BallinaKryesoreSot Lulzim Basha duket edhe më i madh se partia e tij/Nga...

Sot Lulzim Basha duket edhe më i madh se partia e tij/Nga Gentian Gaba

Nga Gentian Gaba
Ka kaluar tashmë një vit nga dorëheqja e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike, por situata politike në kampin opozitar ka ndryshuar fare pak.

Në fakt largimi i tij nuk zgjidhi asgjë, pasi lëmshi i krijuar me shpalljen e Berishës non-grata mbetet ende i pa zgjidhur dhe, përtej akuzave bajate për shitje e blerje, për pengje dhe besprerë, sanksionimi i Berishës mbetet nyja e vetme që mban në gjendje amullie partinë e parë pro-perëndimore të Shqipërisë.

Në davaritjen e kësaj situate nuk ndihmoi as çështja “McGonigal”, e cila, me shumë fantazi, u përdor për të kamufluar sulmin kriminal të Ramës ndaj Lulzim Bashës, nëpërmjet korruptimit të agjentit të FBI-së, si një sulm ndaj Berishës. Nuk shërbeu as raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit që edhe njëherë rrëzon zgjedhjet e masakruara të 25 prillit 2021, që sipas interesave propagandistike të Foltores herë shpallen të shitura nga Basha, herë të vjedhura nga Rama, herë gjysmë të humbura, çerek të lëna dhe për një tjetër çerek të blera. Në xhunglën e qëndrimeve hipokrite dhe të standardeve të dyfishta, të sanksionuarit nga Departamenti Amerikan i Shtetit bëjnë luftë politike me raportet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Eh e shkreta koherencë.

Dihet, viktima e parë e luftës, edhe asaj civile, është e vërteta. Sidoqoftë ajo është bija e kohës dhe një vit pas dorëheqjes së Lulzim Bashës ajo ka qenë mëse bujare me të, duke e lehtësuar nga barra e akuzave politike të kurdisura nga Berisha dhe mbështetësit e tij. Kështu ranë njëra pas tjetrës si copëza dominoje, produket e fantazisë berishiste të parave të Toyota Yaris, të lojërave të fatit në Qipro, të pamundësisë për të shkuar në Amerikë, për portin e Durrësit, për lidhje me rusët, për marrëveshje me Ramën dhe lloj e soj intrigash që u gatuan për të fshehur problemin e Berishës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Akuza që u ndërprenë nga Berisha ashtu siç mbyllet uji i një çezme, kur pas kërkesave të grupit parlamentar të PD-së i kërkoi Lulzim Bashës të bënte një hap pas.

Me përgjegjshmëri Basha i’u përgjigj pozitivisht kërkesës së deputetëve të tij, për me qëllim uljen e tensioneve në PD dhe gjetjen e një zgjidhje që të tejkalonte krizën e shkaktuar nga shpallja e Berishës non-grata.

Kjo zgjidhje nuk erdhi. Përkundrazi, Berisha u soll si triumfues duke siguruar pozitat e tij në rreshtat e rithemelimit dhe duke vështirësuar pozitat e Partisë Demokratike, e mbajtur në cep nga i vetmi gjyqtar në Republikën e Shqipërisë që nuk është i kapur nga Rama dhe as i korruptuar, gjithmonë sipas Berishës, Agron Zhukri.

Një pengesë që u zhbllokua pak ditë përpara regjistrimit të partive politike për zgjedhjet vendore nga një treshe gjyqtarësh që këtë radhë, gjithmonë sipas Berishës, janë më të korruptuarit e Republikës së Shqipërisë dhe të kapur nga Rama, sipas parimit drejtësi është vetëm kur e drejta shkon te Doktori.

Përballë situatës së re të krijuar nga vendimi i vonuar i gjykatës, i shtyrë edhe më shumë në kohë nga ndërhyrjet politike të drejtuesit të KQZ-së, pikërisht për të krijuar pështjellime në përgatitjen e Partisë Demokratike për vendoret, një pjesë e drejtuesve politikë të partisë ka shfaqur dilema mbi mënyrë se si duhet të prezantohet në garë partia më e madhe e opozitës.

Dileama që mungojnë nga ana e Ramës, bedelët e të cilit po mbushin qelitë për shkak të korrupsionit që gëlon nën pushtetin e tij, i cili lufton për të marr një rezultat të mirë në zgjedhje të përdorshëm si anestetizues për metastazat e modelit të tij të dështuar qeverisës; ashtu sikurse mungojnë për Berishën dhe Metën, të cilët luftojnë jo për të fituar, për të mbajtur nën kontroll gjysmën tjetër të fushës politike, një monopol që në idenë e tyre, përfaqëson një mburojë dhe një pretekst për atë që fsheh e ardhmja. Fundja kur Lefter Alla, i kapur me videon me kokën mbi pjatën e kokainës dhe në korrupsion bashkë me gjithë bashkinë e tij mavi, deklaron se arrestimi i tij është politik, si mund t’ia mohojnë vetes këtë justifikim ish-presidentë dhe ish-kryeministra të vendit tonë duke u mbajtur me kthetra pas karriges?!

Tani që ende nuk është e qartë si do të duan të konkurojnë deputetët e PD-së përballë këtyre kundërshtarëve politikë (urtësia dhe arsyeja sugjerojnë se duhet t’i sfidojë duke sifduar modelin që ata kanë ndërtuar në këto tre dekada), lipset t’i njihet një meritë në këtë moment Lulzim Bashës, i cili, paçka se mund ta ketë dashur Doktorin më shumë se këta që sot përpiqen t’i vjedhin fshehurazi, sidomos nga sytë e ndërkombëtarëve, ndonjë buzëqeshje, mori përsipër të ndante PD-në nga Berisha, jo për interes të tij, por për interes të Partisë Demokratike.

Lulzim Basha pagoi koston më të lartë për të çuar deri në fund pretendimin e Berishës së do ta zgjidhte privatisht çështjen me SHBA-të, edhe pse Berisha kurrë nuk e bëri. Përkundrazi zgjodhi t’i mbivendosë partisë me investimin më të madh amerikan në Shqipëri konfliktin e tij personal. Mund të na thotë dikush si përfundoi gjyqi në Francë?

Për këtë arsye, ndarja e fatit të Berishës nga fati i PD-së ishte gjesti më i fortë në dobi të ardhjes së PD-së në pushtet, përballë të cilit pavendosmëria e sotme (duhet vendosur nëse për Bashkinë Memaliaj etj. Do të këtë dy, tre apo katër kandidatë), duket si një eskursion i financiuar nga Konrad Adenauer Stiftung, ku të gjithë duan të marrin pjesë për të vizituar lokalitetet europiane dhe për të kapur ndonjë resme me ndonjë politikan të BE-së.

Sigurisht Lulzim Basha nuk është as hero dhe as shenjtor, por sot duket më i madh se partia e tij, të cilës i dha mundësinë e një prespektive të re në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për një të ardhme që duhet të ndërtohet nëpërmjet ballafaqimit me të shkuarën dhe në kontrast të thellë me modelin e ofruar nga tre drejtuesit politikë më jetëgjatë të tranzicionit.

Për të vijuar në këtë këtë rrugëtim të nisur në 9 shtator të vitit 2021, në fund të të cilit ndodhet objektivi i demokratëve për t’u kthyer në një shumicë qeverisëse nëpërmjet ndërtimit të një alternative të besueshme dhe një partneriteti të fortë me miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë, është e nevojshme që deputetët që i kërkuan Lulzim Bashës një hap pas sot të bëjnë një hap përpara.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular