Në kryqëzimin e valutës në Kavajë pasditja e sotme nuk ishte si çdo ditë e zakonshme për banorët aty. Ata u tronditën nga një ngjarje e rëndë, ku dy 43-vjeçarë vranë njëri-tjetrin.
Edmond Gosa alias Armand Gosa plagosi me thikë Altin Rexhën alias Sali Rexha. Ky i fundit reagoi duke e plagosur me armë zjarri. Të dy pësuan plagë të rënda, u dërguan në spital, por fatkeqësisht ndërruan jetë. Një banor është shprehur për gazetarët se i njihte të dy viktimat.
“Si nuk jemi tronditur. Kavaja është qytet i qetë s’ka ndodhur ndonjëherë, kurrë në botë. Janë nga Kavaja, si fytyra i njohim. Të jem i sinqertë nuk di gjë”, u shpreh një banor.
Një tjetër u shpreh se u trishtua shumë kur mësoi lajmin pasi në qytetin e Kavajës, ngjarje të tilla janë shumë të rralla.
“Çfarë të them unë. Unë u befasova se u bëra kurioz se ne shqiptarët jemi pak kuriozë për çdo gjë që ndodh. Pyeta këtë djalin dhe më tha janë vrarë dy djem. U trishtova në vend. Të ikin mosha e re kështu. Sido që të ishte puna nuk shkohet deri në atë përfundim, djem të rinj. Mund t’i njoh si fytyra, por nuk i njoh se këta janë djem të rinj besoj. Ne njohim moshën tonë në përgjithësi. I trishtuar shumë jam, Zoti i ruajtë të tjerët dhe Zoti i dhëntë forcë familjeve të tyre. Mos na ndodhin ngjarje të tilla më se qyteti jonë është qytet i qetë. Nuk ka pasur fenomene. E shumta një zënkë, para ’90. Kanë ardhur nga ana-anës dhe është përzier qyteti jonë”, tha banori.
Gazetarja Enkelejda Arapi raportoi më herët se dyshohet se mes dy viktimave ka pasur një sherr që vijonte prej të paktën dy vitesh. Dy palët, fillimisht janë zënë me fjalë fyese.
Më pas Gosa ka goditur me thikë Rexhën, e ky i fundit është kundërpërgjigjur duke qëlluar të paktën 3 herë me armë zjarri në drejtim të bashkëmoshatarit të tij. E gjithë ngjarja ndodhi në sy të dëshmitarëve të shumtë, të cilët u tronditën jo pak nga ngjarja e rëndë.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes policia ka hequr shiritat që tregojnë skenën e krimit. Por çka la pas kjo ngjarje kanë mbetur akoma. Në një portë duken ende shenjat e plumbave të qëlluar nga Rexha./tvklan.al