Nuk është drogë, nuk është një substancë dopuese, por mund të krijojë varësi dhe rreziqe të ndryshme. Tashmë po bëhet gjithmonë e më popullore te lojtarët e Premier Ligës.
Bëhet fjalë për ‘Snus’, një substancë që një numër në rritje lojtarësh të kampionatit anlgez po e përdorin. Një hetim i “The Athletic’ ka nxjerrë në pah problemin e vërtetë të ‘Snus’ në futbollin anglez.
Sulmuesi Vardi ka pranuar se ka hequr dorë prej saj, ndërsa futbollistë të tjerë profesionistë nuk e kanë të lehtë ta shmangin. ‘Athletic’ ka evidentuar dy momente që janë parë në ekranet televizive, ku shfaqen lojtarë teksa përdorin ‘Snus’ gjatë ndeshjeve.
Së fundi, lojtari i Aston Vilës, Bertrand Traore, dukej që ngriti buzën e sipërme dhe vendosi diçka në gojë. Vetë lojtari më pas ka mohuar se ajo ishte ‘Snus’. Lojtarë të tjerë kalibri, si Markus Rashford, janë fotografuar me kuti ‘Snus’ pranë.
‘Athletic’ bën me dije se një lojtar shumë i njohur i kombëtares angleze është “krejtësisht i varur nga snus dhe se rrallë shihet pa të“. Emri i tij nuk përmendet.
Po çfarë është ‘Snus’?
Është një duhan pluhur i lagësht, që pakotehet në qese të vogla dhe që merret nga goja. Vendoset si çamçakëz nën buzën e sipërme për minuta, apo edhe orë të tëra për të lëshuar nikotinën, që shkon në gjak.
Duket se kjo substancë relakson atë që e përdor, por ka edhe variante më të forta që të japin adrenalinë.
‘Snus’ është një substancë e ligjshme në Europën Veriore dhe është shumë e përhapur në Britaninë e Madhe, veçanërisht në radhët e futbollistëve, pasi është një stimulues që nuk i kalon kufijtë e substancave të dopingut.
Lojtari që e përdor ka një ‘përfitim’ të menjëhershëm, duke marrë një ‘turbo’ shtesë. Por problemi është se prej saj krijohet varësi dhe me kalimin e kohës mund të shkaktojë dhimbje koke dhe probleme me fytin.