Nga Orjola Pampuri
Tashmë që jemi në vitin e 10-të të qeverisjes edhe vetë Edi Rama nuk i beson më propagandës së tij për “shëndetësi falas”.
Tashmë që jemi në vitin e 10-të të qeverisjes edhe vetë Edi Rama nuk i beson më propagandës së tij për “shëndetësi falas”.
Qytetarët këtë gjë e kanë mësuar shumë kohë më parë. Një sistem shëndetësor që cdo ditë ofron një shërbim të cunguar, për shkak të mangësive që ka sjellë keqmenaxhimi i fondeve për shëndetësinë.
Qytetarët duhet të nxjerrin më shumë para nga xhepi për shëndetin e tyre.
Mungesë barnash thelbësore për pacientët, përfshirë dhe ato me sëmundshmëri terminale, gjë që është referuar shpesh nga pacientë e organizata në mbrojtje të pacientëve.
Në 10 vite, taksat e qytetarëve nuk shkuan për të përmirësuar sistemin dhe shërbimin, por për të paguar koncesionet dhe PPP-të korruptive si ai i check-up, dializës, analizave apo seteve kirurgjikale. Dhjetra milionë euro të munguar cdo vit për shëndetësi të standartave bazë, së paku si në cdo vend të rajonit.
Por Edi Rama nuk ndalet me kaq. Ai tashmë kërkon ti zhvasë sërisht shqiptarët për të paguar edhe më shumë për trajtimin e tyre mjeksor. Pra tashmë, paratë që dalin nga xhepat e qytetarëve për të plotësuar mangësitë e trajtimit shëndetësor publik, do të ligjërohen duke i futur në vetë sistemin publik, pa ofruar garanci se ky shërbim do të jetë më cilësor dhe më afër nevojës së pacientit.
Kjo është e papranueshme, kur bëhet fjalë për jetë njerëzish.
Pacientët me sëmundje terminale nuk mund të paguajnë para shtesë në shëndetësi publike nëse duan të marrin shërbim më të shpejtë për shkak të gjendjes së tyre. Këta pacientë duhet ti ofrohet shërbim me përparësi për vetë faktin e sëmundshmërisë së tyre që i rrezikon jetën.
Partia Demokratike dhe unë personalisht e kemi kundërshtuar me argumenta këtë qasje të dëmshme që qeveria kërkon të ndërmarrë duke i vënë emrin” autonomi financiare spitalore”.
Shërbimi shëndetësor në spitale duhet të mbështetet në dy elemente thelbësore:
Së pari, një sistem ku qytetari vendoset i pari, pra “paraja ndjek pacientin”. Vetë qytetari zgjedh spitalin, mjekun depistues, shërbimin apo dhe vetë mjekun e familjes për të marrë një shërbim diagnostikues apo trajtues.
Së dyti, eficencë e kostos për shërbime shëndetësore. Integrimi i sistemit shëndetësor jo publik në mundësinë e zgjedhjes së pacientit. Aktualisht shumë shërbime shëndetësore jo publike me kapacitete dhe eksperiencë të një cilësie të lartë i ofrojnë ato me një kosto më të ulët se në vetë sistemin publik. Kjo ndodh për shkak të mbingarkesës së kostove operacionale që sistemi shëndetësor publik mbart nga kontratat koncesionare abuzive qindra milionëshe euro.
Po ashtu, Rama në vazhdën e premtimeve elektorale, thellësisht propagandistike, edhe dje pretendoi se e kishte gjetur zgjidhjen për të frenuar largimin në masë e punonjësve të shëndetësisë.
Rritje rroge 7% dhe një kontratë detyruese për mjekët e rinj specializantë të ushtrojnë profesionin në shëndetësi.
Ky nuk është prioritizim i shëndetësisë. Në fakt kjo është mënyrë për t’iu fshehur përgjegjësisë që kjo qeveri ka tani e prej 10 vitesh, për një dështim të plotë në shëndetësi.
Bluzave të bardha nuk mund tu premtohet lëmoshë elektorale cdo dy vjet, por duhen politika të qëndërzuara dhe gjithëpërfshirëse që nisin që nga statusi i punonjësit të shëndetësisë, kushtet e punës, trajtimi financiar i denjë sipas performancës, përfshirja e profesionistëve në politikat dhe programet vendimarrëse.
5 muaj më parë kjo mazhorancë refuzoi të rriste rrogat e bluzave të bardha me së paku 20%, në amendimin e buxhetit për vitin 2023 që ne propozuam, por i rriti vetëm me 6% në mënyrë që të vijoheshin pagesat e PPP-ve korruptive.
Kjo qeveri do të aplikojë penalitete financiare në kurriz të studentëve të mjekësisë, që pavarësisht kushteve jo tepër të favorshme në studimet e tyre, tarifave të larta të studimit, dhe mos trajtim të duhur financiar nga ana e qeverisë, tashmë do të duhen të paguajnë edhe gjoba që do t’ia vendosë Edi Rama.
Kjo është e papranueshme, dhe përkundrazi do të rrisë pakënaqësinë e punonjësve të shëndetsisë ndaj një qeverisje arbitrare dhe autoritare.
Qeveria duhet të nxisë në cdo lloj forme që bluzat e bardha të qëndrojnë dhe japin kontributin e tyre në Shqipëri.