BallinaOP EDBallkani, nën ripushtim të butë…

Ballkani, nën ripushtim të butë…

spot_img
spot_img

ARIAN GALDINI

Ja edhe pasojat ku po shfaqen të qarta kristal. Pas rënies së komunizmit, nuk erdhën as demokracia e as liria në vendet e Ballkanit, por erdhën liderët autokratë dhe të korruptuar.

Autokracia dhe korrupsioni ishin gjithçka, përveçse udhëtim drejt perëndimorizimit, europianizimit dhe demokratizimit të këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor… Ndaj dështoi integrimi, dështoi zhvillimi e nuk fitoi as paqja. Fill pas rënies së komunizmit, filloi lufta në ish-Jugosllavi, më pas edhe në Maqedoni e të mos harrojmë 1997-ën në Shqipëri… Që Perëndimi ta mbronte Ballkanin Perëndimor nga zhytja në honet e errëta dhe të pakthimta të konflikteve e luftërave që kishin nisur iu desh të ndërhynte nëpërmjet NATO-s dhe me tonelata bomba dhe shumë energji diplomatike.

Ish-Jugosllavia u shpërbë sepse për Serbinë, ish-shteti i Titos ishte Serbia. Serbia shkaktoi luftërat dhe krime monstruoze kundër njerëzimit në Bosnje – Hercegovinë dhe në Kosovë e madje edhe në Kroaci. Ndërsa humbi Slloveninë, Kroacinë, Bosnje – Hercegovinën dhe Maqedoninë, Serbia luftoi fort të mbante nën thundër Malin e Zi dhe Kosovën. Liria e Kosovës në vitin 1999, ishte fitorja e parë mbi Serbinë. Pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006, ishte fitorja e dytë e madhe mbi Serbinë.

Dhe Pavarësia e Kosovës në 2008 ishte fitorja më e madhe. Por, edhe pse u fitua liria dhe u shpall pavarësia, nuk u arrit dot demokracia dhe perëndimorizimi. Mali i Zi dhe Kosova e fituan luftën me Serbinë, por nuk i fituan dot betejat me korrupsionin dhe autokracinë. Dhe fatura e këtyre betejave që duken si të brendshme vjen gjithmonë me kamatë edhe ndërkombëtare pikërisht atëherë kur nuk e pret. Ja ku jemi sot në këtë 3 prill, plot 25 vjet pasi NATO nisi bombardimin e Serbisë për t’i dhënë mundësi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe pikërisht sot ka nisur Gjyqi kundër historisë. Sot në Hagë ka nisur gjyqi kundër heronjve të lirisë.

E po sot, në Mal të Zi, ka përfunduar epoka e Millo Gjukanoviçit dhe Serbia praktikisht ka “ripushtuar butë” vendin e vogël që e nxjerr në Adriatik. Serbia sot duket sikur po e shpërfill historinë e dy dekadave më parë dhe po sillet si fuqia rajonale që synon me çdo mënyrë të rishtrijë ndikimin e saj mbi çdo vend përreth e duke rishpallur të njëjtën filozofi si dikur Jugosllavia është Serbi sot nën emërtimin “Bota Serbe”. Mua nuk më vjen keq për Millo Gjukanoviçin. Të korruptuarit duhet të jenë në burg, jo në pushtet.

Thjesht më vjen keq që Perëndimi kishte si të vetmin aleat në Mal të Zi një palaço të pacipë e të korruptuar si Millo. Më vjen keq që Perëndimi nuk po e kupton se korrupsioni dhe të korruptuarit në Ballkanin Perëndimor, por edhe në shumë vende të tjera të ishPerandorisë së Djallit, pra, nën Perandorinë Komuniste e nën Bashkimin Sovjetik, do t’ia humbasin të gjitha luftërat e fituara 2 e 3 dekada më parë Perëndimit. Liderët e korruptuar mund të jenë aleatë të Perëndimit në dukje, por në thelb janë armiq të lirisë, demokracisë dhe perëndimorizimit të vendeve të tyre. Lufta kundër korrupsionit dhe kundër liderëve autokratë e të korruptuar duhet të jetë “muri i ri i Berlinit” që duhet rrëzuar… Përndryshe dështimi dhe rënia janë si profeci vetëpërmbushëse…Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular