Nga Dr. Engjëllushe Zenelaj
Paga mesatare 900€, dhe të gjithë lumturohen se mendojnë se është zhvillim ekonomik i madh i Shqipërisë…
Do të doja dhe unë të lumturohesha nga ky vendim i kryeministrit por nuk e di pse kjo dreq logjikë smë lë të qetë. Në kokën time burojnë pyetjet miliona dollarëshe:
Po si mund të ketë një vend pagë mesatare 900€ ndërkohë që monedha jonë është Lekë dhe vetëm kursi i këmbimit na shkakton deficit tek paratë publike?(Gjithmonë nëse do paguhemi me euro, pra qeveria blen euro dhe jep pagën militantëve administrativ. Ky ilustrim është për të evidentuar papërgjegjshmërinë në ligjërimin publik dhe shpëlarjen e trurit që bën qeveria në bashkëpunim me mediat pro-qeveritare që e trumbetojnë me të madhe sepse nuk i pash e nuk i dëgjova të bëjnë pyetje analitike.
Po si mund të ketë një vend pagë mesatare 900€ kur për ndihmë ekonomike jep ende 3000 lekë?(dhe për këtë ndihmën ekonomike i merr shpirtin atij të varfrit e nxjerr nga skema për një dokument)
Si mund të ketë një vend pagë mesatare 900€ kur nuk ka ende një akt normativ për nivelin e minimumit jetik?
Një shtet i cili nuk përcakton me ligj minimumin jetik dhe friket ta bëjë këtë nuk mund të jetë kurrë as shtet social, as shtet ligjor i së drejtës, e për më tepër të pretendojë të ketë gjithë ato arritje sipas propagandës qeveritare.
Pasi i hapi vendet e punës për shqiptarët antiqeveritarë rrugëve të Evropës(Gjermania u tregua bujare këto 10 vite me ne, diplomohuni aty në Shqipëri, mësoni gjuhën dhe ejani të jetoni dhe punoni këtu në Gjermani; kurse Anglisë i vajtën kundër “dëshirës” së saj gegët kokëfortë, të cilët ua kaluan vlonjatëve për cilësinë e notit dhe rezistencën në det); pasi rriti pafundësisht numrin e punonjësve në administratë publike, erdhi dita e madhe që rritja e pagës “dëlir i plotë për administratën” e cila një pjesë lodhet duke ndenjur, disa nuk dinë derën e zyrë ku e kanë, e disa të tjerë janë bërë të gjithë “doktor shkencash” dhe në dosjet e tyre kanë të gjithë certifikatë anglishteje të njohur ndërkombëtarisht niveli C1 por ama kur i pyet apo u kërkon të përfshihen në angazhime, gjuha e të cilave është anglisht të gjithë kanë justifikim shpëtues “ngarkesa dhe angazhimet në punë”, (edhe nuk po e cek faktin që në komunikimet e tyre edhe shqipen e shkruajnë me gabime)…
Po normale, që me kaq sa ka shkuar numri i të punësuarve në administratën publike(qendrore dhe vendore) e përkthyer në vota, plus nderit nga rritja e pagës, sigurisht që administrata do të jetë në angazhim makismal sipas modelit “like & share” kryeqeverriut dhe shfaqjeve të tij në rrjete sociale…
Rrit pagën minimale po harron që biznesit i rëndon në kurriz, dhe shteti nuk i jep ndonjë paketë ndihmëse…Paketa ndihmëse është për sipërmarrjet pro-qeverritare(që të kuptohemi paketë ndihmëse duke mbyllur sytë kur sipërmarrjet shkelin ligjin), të cilat s’paguajnë as sigurimet shoqërore as detyrimet të tjera…ndërsa vazhdojnë të lumtur aktivitetin e tyre… Sa është niveli i papaguar i detyrimeve të sigurimeve shoqërore nga sipërmarrjet? Pse nuk forcon qeveria masat për të mos lejuar asnjë sipërmarrje të vazhdojë aktivitetin nëse nuk i paguan detyrimet e sigurimeve qoftë edhe një punonjësi të vetëm?
Historia nga ka mësuar se Zakonisht “rritja” ndër të tjera përdoret nga qeveritë kur dështojnë të mbledhin të ardhurat dhe detyrimet…
Pagë mesatare 900€, ndërkohë që spitalet bashkiakë të Shqipërisë shumica ekzistojnë kot sepse as reagjent laboratori për analiza s’kanë?!…Një qytetari që banon në Bashkinë Mallakastër i duhen 4-5 ditë rresht udhëtime Ballsh-Fier-Ballsh që të përfundojë me sukses analizën e diabetit të fshehtë.
Arsyeja? Ndiq shpjegimin më poshtë:
- Ditën e parë shkon bën regjistrimin tek mjeku i familjes;
- Ditën e dytë shkon te Poliklinika Fier, tek mjeku specialist ;
- Ditën e trete(që do të jetë atëherë kur të ketë vend kalendari tek laboratori, dhe mund të jetë edhe pas 20 ditësh) do shkojë për të bërë analizën e diabetit të fshehtë;
- Ditën e katërt do të shkojë të marri përgjigjen e analizave;
- Ditën e pestë do shkojë ti çojë përgjigjen mjekut specialist dhe pastaj të rikthehet tek mjeku i familjes me shënimet e mjekut specialist….
Sa për ta ditur, i duhen mesatarisht 400Lekë dita për itinerarin Ballsh -Fier-Ballsh, pra në total për të pesta herët që i duhet të kryejë këtë itinerar kostoja e transporti është 2000 Lekë, dhe ky është një nga konceptet e shëndetësisë falas…Pra e lirë është kripa në Durrës por e ha qiraja rrugës,( në rastin më të mirë nëse banon në Ballsh, se një pjesë e popullsisë banon në qendra banimi rurale në distancë të konsiderueshme nga Ballshi që është qendra e Bashkisë)…Mora rastin Ballsh-Fier që kanë distancë 25 km, imagjino fshatrat e Shqipërisë sa distancë dhe çfarë gjendje kanë rrugët e tyre për në poliklinika apo spitale rajonale…Që të kuptohemi unë jam nga këta pesimistët që kur flas përdor lekë të rinj, se nuk ngopem dot më lugë bosh, d.m.th. me lekë të vjetra…
Pagesë mesatare 900€ ndërkohë që për të marrë KEMP-in të sëmurit i duhet një mal me “hardallosje” nëpër zyrat e shtetit, pa le kur s’ka pasur kohë Komisioni të mblidhet mbetet pa pagesë, por qetësisht i thonë, “mos u mërzit do mblidhen ata dhe do i marrësh pagesat”( këtë përgjigjen shumicën e rasteve e jep ndonjë gazetar, i cili brenda hapësirës së kohës televizive përpiqet të japi informacion dhe të ndihmojë sadopak ndonjë hallexhi qoftë edhe me sqarime për KEMP, pensione etj)……por harrojnë qeveritarët dhe komisionarët që ai(fatziu që pret KEMP-in, s’ka me se të ushqehet deri sa të mendohet komisioni…
Besoj kemi mbetur i vetmi vend në Evropë që komisionet e KEMP-it të famshëm presin që të sëmurët me diagnoza të shërohen, ndaj i kanë të shpeshta këto afatet e kontrolleve; natyrisht është shumë dashamirëse kjo nga ana e tyre por nëse i duan vërtetë qytetarët të jenë korrekt, të shpejtë, dhe të thjeshtëzojnë procedurat…
Pagesë mesatare 900 por ndërkohë të sëmurët e shëndetit mendor i lë lirisht të enden rrugëve?! Dhe pastaj çuditemi se kur ndodhin krime të gjithë na dalim me çrregullime mendore. Pse sepse kostoja për mbajtjen e tyre është shumë e lartë, ndaj qeveria i përcjellë me një pension minimal për ta dhe kujdestarin e tyre..
Nuk e di d.m.th., të kemi pagë mesatare 900€ dhe ilaçet tona të vijnë nga Serbia, India dhe Maqedonia?! Ndërkohë shumë interesante është që ajo qendra e famshme kontrollit për eficiencën e barnave vazhdon prej afro 4 vitesh me leje të zakonshme…
Pagë mesatare 900€, dhe për medikamentet që vijnë në Shqipëri të vendosi Agjencia e Barnave sipas interesave të kontratave por jo sipas interesit të shëndetit të qytetarëve?!.. Për llojin e medikamenteve dhe terapive në kushte normale duhet të pyetet mjeku, jo drejtori administrativ, militanti i partisë. Kur kanë dalë mjekime cilësore dhe më të mira pse duhet të marrim mbetjet dhe stoqet e fundit të Evropës apo të Azizë, aq më keq kur as nuk i kontrollojmë ato për eficiencën e tyre?
Dhe qershia mbi tortë rrisim pagat e mësuesve, ndërkohë që Tirana flet për abetare digjitale këtej nga fshati 4 apo 5 klasa bëjnë mësim bashkë… dhe kjo e dini pse ? Interesa dhe qoka partiake për të mbajtur në punë mësues militant të partisë, ndërsa sa për eficiencën e brezit të ri? S’kemi kohë të mendojmë për ata, ka halle më të mëdha partia. Bëni një kontroll kopshteve në bashki të kuptoni se sa fiktiv është numri i edukatoreve… por sigurisht u japim pagën të na japin votën(që ta dini sa për kulturë një vend pune shumëzohet me katër vota)…ndërsa për nxënësit s’ka problem se do mësojnë kur të rriten.. d.m.th. do mësojnë notin për Angli ose gjuhën gjermane për Gjermani…
Po profesorët e famshëm të universiteteve që protestuan se donin rritje rroge, a nuk është për midis tyre dikush që i punon logjika dhe të shprehet publikisht për eficiencën e këtyre vendimeve? Ah po harrova janë të zënë, duke shijuar autonominë universitare me turizmin universitar bazuar tek buxheti i kërkimit shkencor…Por as ata nuk i prek dot edhe pse i kanë auditorët bosh dhe shumica e programeve të universiteteve të rretheve janë pa studentë profesorët marrin pagën, pasi ministria nuk vepron, ikin votat s’kemi ç’të bëjmë…
Pagë mesatare 900€, ndërsa pensionet?…doja të thosha ndonjë gjë për indeksimin e pensioneve, ose për ata qyqarët që enden gjykatës për të njohur vitet e punës për pensioneve, që pavarësisht se kanë punuar një jetë të tërë por edhe kur vjen pensioni duhet të bëjnë avokatin, prokurorin dëshmitarin, hetuesin e plotë si këto që t’ju njihen vitet e punë…por lëre se s’po e prek fare.
Në mbyllje Ju pensionistët(elektorati më besnik) ju përshëndes me filmin “Lulëkuqe mbi mur”, se për sot(d.m.th. për këto zgjedhje) bukë do hash ti (administratë), ti (militant), edhe ti(patronazhist) ju të tjerët edhe një herë “ngrohuni në diell”…