Një sherr mes disa personave ka ndodhur gjatë pasdites së djeshme te rrethrrotullimi i Zogut të Zi në Tiranë. Lajmin e ka bërë të ditur policia, sipas të cilës, ka qenë gërvishtja e një makine që ka çuar në këtë situatë. Policia thotë se 3 persona janë konfliktuar fizikisht me grushta dhe kanë marrë dëmtime të lehta. Mësohet se personat e përfshirë në sherr ndodhen në komisariat dhe po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Reagimi i policisë:
Reagim i DVP Tiran
Në lidhje me një video të postuar në portale, në të cilën duken disa persona që konfliktohen me njëri-tjetrin, afër Zogut të Zi, ju sqarojmë se:
Ditën e sotme, rreth orës 18:45, afër rrethrrotullimit të Zogut të Zi, shtetasi A. H., 49 vjeç, banues në Dibër, dhe M. H., 23 vjeç, banues në Tiranë, kanë gërvishur automjetin që drejtonte shtetasi E. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë. Pasi janë gërvishur dy mjetet, kanë dalë të dy palët duke u konfliktuar dhe kanë goditur njëri-tjetrin me grushte. Si pasojë e goditjeve kanë marrë dëmtime të lehta.
Të dy palët e përfshira në konflikt janë shoqëruar në komisariat dhe po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.