BallinaKryesore"Çfarë bën në orën kur kam mall për ty..."/Rexhep Shahu: Në vend...

“Çfarë bën në orën kur kam mall për ty…”/Rexhep Shahu: Në vend të urimit për librin e ri me poezi të poetes rumune Oana Glasu

Nga Rexhep Shahu
“Çfarë bën në orën kur kam mall për ty…”
(Në vend të urimit për librin e ri me poezi të poetes rumune Oana Glasu që shkruan shqip)
Unë nuk di një të huaj të dytë shkrimtare, përkthyese të talentuar të gjuhës shqipe që e do kaq shumë Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën e kulturën shqipe sa e si Oana Anca Mihaela Glasu, romunia e bukur që me thotë jam cucë kuksiane, jam cucë lumjane.
Nuk njoh një të huaj tjetër që të zihet me vendasit e saj e me gjithë botën pse ata ia shajnë apo fyejnë shqiptarët a Shqipërinë. Nuk mund t’i fyejë askush shqiptarët në sy apo në prani të poetes e albanologes Oana Glasu se ajo të nxjerr sytë për shqiptarët e saj të bukur, “shqiptarët e mi”, të cilëve ajo ua njeh dhe di shpirtin, virtytin e vesin.
Nuk njoh një grua tjetër të huaj të ditur e poete si Oana Glasu që e do kaq shumë dhe pa kushte Shqipërinë e shqiptarët, gjuhën e kulturën shqipe, doket e zakonet shqipe, një grua poete që mendon shqip, flet shqip, ëndërron shqip, shan shqip, fërshëllen shqip, dashuron shqip, shkruan poezi direkt në gjuhën e bekuar shqipe dhe nuk i përkthen nga rumanishtja në shqip. E për këtë unë jam thjeshtë dëshmitari.
Sot nuk kam marrë përsipër të flas për poezinë e saj që të krijon përfytyrime marramendëse, që të bën të mendohesh, të heshtësh, të hutohesh, që të nxit të mbash vargje përmendësh, t’i bësh shumë fjalë të saj pjesë të ligjërimit tënd, të mendimit tënd. Jo.
Sot vetem desha t’i them urime Oana Glasu për këtë libër të bukur, për këtë album me jehona vjeshte, për këto telajo të përflakura dashurie.
Ndjehet rënia e gjetheve, tingujt e rënies së ngadaltë, keputja e tyre nga pesha e dhimbjes së mungesës gërryese, muzika e zhurma e trishtë e dridhëse e rënies së tyre në tokë ku i merr poreja, zverdhja e dhimbshme e ngadaltë e tyre, përskuqja a përflakja e gjetheve dhe qiellit, ndezja e një zjarri në shpirt e në qiell që nuk di të shuhet as ku mbytet qielli në det, një zjarri që nuk e shuan as deti.
Ti ke shume miq në Tiranë e në Prishtinë, Oana, sepse ke arritë të ngresh ura dashurie me shumë shqiptarë e shqiptare të bukura, miq që patjetër do të gëzohen për ty.
Duke të uruar ty Oana dhe librin tënd simpatik me poezi “Jehona të vjeshtës së shkuar”, unë si botues e redaktor i librit jam i lumtur të falenderoj mecenin aktual të letërsisë në Shqipëri, humanistin deputet Flamur L Hoxha, i cili me dashamirësi e mbështeti printimin e librit tënd, siç ka bërë me 42 numrat e revistës elitare illz, reviste letrare e Tiranës dhe dhjetra e dhjetra botime të tjera të fondit të artë të albanologjisë, botime të Shtepisë Botuese e Promovuese Klubi i Poezisë.
Në librin tënd të jehonave të vjeshtës së shkruar, në vjeshtën tënde ka mbetur një gjethe e vetme e pa rënë, e fundit e pa rënë, siç thua ti, e pambledhur që nuk e shkel asnjë i verbër.
Ti thua se ishe shumë e gjelbër të dije si shkelet mbi gjethe, të dije se çfarë do të thotë përzierja e ngjyrave më të bukura.
Kush do ta dijë, ta shohë, ta mësojë se çfarë do të thotë apo çfarë është përzierja e ngjyrave më të bukura, ta marrë në dorë librin tënd të jehonave të përflakura të vjeshtës së shkuar që do të vazhdojë të digjet gjithmonë Oana, e për çudi, ti do të mbetesh shumë e gjelbër e nuk do ta dish si shkilet mbi shpirtin e gjetheve.
Mund të jetë një imazh i 1 person
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular