Një grup autoresh, i përbërë nga Linda Mëniku, Persida Asllani, Dhurata Shehri, profesore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe Lindita Rugova, profesore në Universitetin e Prishtinës, kanë botuar në vitin 2022 një ABETARE alternative, e cila është konceptuar si një udhëtim magjepsës në gjuhën e bukur shqipe ku mësimi, fantazia dhe imagjinata fëminore gërshetohen së bashku për ta shndërruar përvojën e punës me të në një aventurë të paharrueshme.
Ajo nuk synon thjesht mësimin e alfabetit, por dashurinë për gjuhën shqipe, si dhe dashurinë për librin, për leximin si përvojë zbuluese e estetike. Ajo nxit krejt natyrshëm kërshërinë për të kuptuar e ditur më shumë, për të përfytyruar e shënjuar botën përmes fjalës, me mprehtësi e ndjeshmëri njëkohësisht.
Kjo ABETARE alternative sjell përvojat më të mira botërore, duke i përfshirë fëmijët në botën komplekse të komunikimit gjuhësor, me një gërshetim të aftësive bazë të së folurës, të dëgjuarit, të shkruarit dhe të lexuarit.
Një nga risitë e kësaj abetareje është rrëfimi i një historie që i lidh të gjitha pjesët në mënyrë të harmonishme përmes lojërave, aventurave dhe zbulimeve të 4 personazheve të saj, që janë heronjtë e këtij udhëtimi në 36 shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe. Historitë dhe aventurat e tyre, të shkruara nga autoret enkas për këtë libër, krijojnë një mjedis motivues dhe gjithëpërfshirës, që e ndihmon procesin e të nxënit, si dhe i ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësitë afektive, imagjinatën dhe përmasën sociale të ndërveprimit fëminor.
Falë kësaj metode, fëmijët do të jenë në gjendje të lexojnë tekste të plota ende pa e përmbyllur të gjithë procesin e të nxënit të shkronjave. Përmes tekstesh të shkuara në mënyrë specifike, ata do të lexojnë me lehtësi e kërshëri pjesë të vogla letrare që nga shkronja e 22-të e deri në fund të kësaj abetareje, duke përfshirë edhe leximet antologjike në përmbyllje të saj.
E mbështetur në metodat më bashkëkohore të mësimit të gjuhëve, ajo është një mjet i lehtë dhe zbavitës për fëmijët shqiptarë si në trojet shqiptare dhe në diasporë, për të mësuar që të shkruajnë e të lexojnë gjuhën e zemrës dhe të familjes, siç mësojnë gjuhët në shkollat anembanë Evropës e botës.
Fëmijët do të udhëtojnë me imagjinatë, së bashku me personazhet e kësaj Abetareje, Arbin, Norën, si dhe dy miqtë e tyre, papagallin Rori dhe dronin Mars, nëpër vende fantastike, me të papritura e aventura. Me tendën e tyre magjike, lexuesit e vegjël do të zbulojnë ishullin e miqësisë, qytetin e qershive, cirkun e cicërimave, do të festojnë plot hare, do të gjejnë thesare të fshehura, dhuratën e artë të diellit etj. Ky udhëtim imagjinar, do të vijojë edhe nëpër trojet e shqiptarve, në legjendat, vendet, veshjet e gatimet tradicionale, dialektet, fjalët e urta dhe festat familjare. Bashkë me 36 shkronjat e alfabetit të gjuhës sonë të bukur ata do të ndjehen pjesë e botës së madhe e të lashtë shqiptare.
Lehtësisht e përdorshme, me fletoren e punës të integruar në të, me një aparat konceptual që përputhet me moshën e fëmijëve, me një sistem harmonik e interaktiv të elementeve të gjuhësisë dhe specifikave gjuhësore të shqipes, me një aparat didatik të efektshëm, kjo është një ABETARE FRYMËZUESE për fëmijët e shekullit 21, për të cilët bota do të jetë hapësira e zbulimeve të paharrueshme, e ndjesive të hareshme dhe e përvojave mbresëlënëse.