BallinaOP ED“Pleqtë e rinj” të politikës nuk dëgjohen nga rinia

“Pleqtë e rinj” të politikës nuk dëgjohen nga rinia

spot_img
spot_img

Nga Ardi Stefa

E keni vënë re javët e fundit një përpjekje të dëshpëruar që bëjnë politikanët tanë për t’u afruar me rininë?

Kryeministri jep e merr me rrjetet sociale me qindra- mijëra ndjekës, në Twiter, madje hap kanal edhe në YouTube, madje flet edhe në Podcast*.

E njëjta gjë me z. Sali Berisha, i cili kohët e fundit përdor rrjetet sociale, Facebook, Instagram, Tik- Tok dhe Podcast, edhe këtu me qindra- mijëra followers, duke dashur të tregojë se ecën me hapin e kohës dhe nuk e ka problem të gjendet përballë apo edhe të dialogojë me përfaqësues të brezit të ri.

Edhe Ilir Meta ndjek të njëjtën strategji si dy të parët.

Madje, edhe emërimi i disa ministreve në moshë të re, apo vendosja nëpër listat e këshilltarëve bashkiakë të të rinjve 25- 30 vjeçarë, kandidimi i një djali të ri për kryeqytetin, apo deklarimet e PL se mosha mesatare e kandidatëve të saj është nën 40 vjeç, dëshmon një ankth e një përpjekje të tyre që të afrohen me rininë.
Të rinjtë indiferentë, ata që janë zona gri e të pavendosurve, brezat e krizave të njëpasnjëshme ekonomike, morale, sociale e politike.

Brezi i ri është grupi më dinamik i popullsisë në vend, i cili shpesh gabimisht trajtohet si homogjen dhe uniform. Ai bashkon karakteristika të ndryshme, nga mosha dhe prejardhja sociale, arsimore, kulturore dhe profesionale. Pikërisht nga ky element duhet të nisë edhe sjellja e ndryshme politike e saj…

Janë brezi i karakterizuar nga reflekse të shpejta, të cilat zakonisht manifestohen me dinamizëm dhe sfidë, pasi, sa herë që koha e diktojnë, reagimet e tyre marrin karakteristika të menjëhershme kinetike. Është brezi që përjeton fuqishëm tendencat sociale, por pa qenë audiencë pasive. Përkundrazi, është grupi më kërkues dhe njëkohësisht jetëdhënës i popullsisë për të ardhmen e vendit.

Pra a e siguron vetë politika sot qëndrueshmërinë e saj? I bind? A ngjall interes dhe vërteton vlerën e saj për rininë, që mund të sigurojë perspektivën e saj?

Kjo tentativë e liderëve politikë, për të pasur qasje ndaj rinisë me të gjitha mënyrat, natyrisht që është legjitime. Por a është qasje reale ndaj të rinjve, apo thjesht kufizohet tek komunikimi? Kanë ndonjë strategji si të sjellin të rinjtë në politikë apo eshtë thjesht një strategji e disa ekspertëve të komunikimit, të cilët mjaftohen të bëjnë propozime, për të cilat në shumicën e rasteve as që e kanë idenë se çfarë thotë apo se çfarë ndien shoqëria?

Edi Rama është 59 vjeç, Sali Berisha është 78 vjeç, Ilir Meta është 54 vjeç, Enkelejd Alibeaj është 49 vjeç.

Dhe, ndërsa nuk është vetëm një çështje moshe, pyetja është nëse liderët aktualë politikë mund të arrijnë të kenë qasje tek 18-vjeçarët që do të votojnë për herë të parë; tek 19- 23-vjeçarët që studiojnë në universitet; tek 25- vjeçarët që kanë hyrë në tregun e punës dhe nuk po gjejnë dot punë në profilin ku kanë studiuar; nëse do të kenë qasje te ata 25- 30 vjeçarë që po e nxjerrin muajin me 300.000 apo 400.000 lekë të vjetra duke punuar orë pa fund dhe as ushqehen dot, as jetojnë dot, as familje krijojnë dot dhe në rastin më të parë largohen nga Shqipëria…

Dyshoj shumë se një fushatë komunikimi për të tërhequr të rinjtë nëpër parti e politikë, madje vetëm pak javë para zgjedhjeve, mund të ketë rezultat. Dhe së fundi një tentativë e tillë edhe mund të gjykohet negativisht nga të rinjtë, të cilët bëhen edhe më apolitikë ose shkojnë drejt zgjedhjeve ekstreme.

Me pak fjalë, të rinjtë nuk duan kryeministra, as politikanë YouTube-rs apo Tweeter-s. Ata nuk duan as “pleq të rinj” në politikë që veshin rroba rinore për të mbuluar qëndrimet dhe angazhimet e tyre të vjetra partiake. As ata që përdorin “zhargonin” e të rinjve nëpër takime apo intervista dhe që thjesht presin që të rinjtë t’i duartrokasin pa u menduar pallavrat e tyre.

As ata “pleq të rinj” të politikës, të cilët me kostumet rinore e përgjërimet për rininë, me veshjet trend-y e përdredhjet nëpër party, kapërcimin e ngjitjen me vrap të shkallëve, mundohen të joshin rininë e sotme.

Të rinjtë e sotëm shqiptarë, janë brez i krizave të njëpasnjëshme sociale, politike, ekonomike e morale.
Janë fëmijë të atyre prindërve që panë familjet e tyre në këta 10 vitet e fundit të shtrëngojnë fort rripin.
Janë të rinjtë, që panë të ardhmen e tyre të zymtësohet nga dita në ditë. Panë arsimin të shkatërrohet; perspektivën të errësohet.
Janë të rinjtë të cilët nuk gjenë punë, vështirësohen të krijojnë familje me rrogat e ulëta e çmimet në stratosferë.
Janë të rinjtë, që, (disa prej tyre) dolën nëpër rrugë të revoltuar për të kërkuar e fituar një të ardhme më të mirë dhe u tradhtuan nga ata që u premtuan gjithçka. Janë fëmijët e atyre që mbushën në Dhjetor ’90 Qytetin Studenti në një “festë të demokracisë” dhe u zhgënjyen më pas.
Janë të rinjtë që studiojnë në universitete, ku provimet i blejnë dhe diploma nuk u ka më asnjë vlerë.
Janë të rinjtë që kanë njohuri të shkëlqyera, që kërkojnë të gjejnë punë e ose ngelen pa punë, ose kur gjejnë duhet të paguajnë, të lëpijnë të ndenjurat e “pleqve të rinj”, ose të paguhen në mënyrë mjerane.
Janë të rinj, që panë se si nëpërmjet krimit pasurohesh shpejt. Të rinj, që panë se vlerat morale s’kanë më vlerë; se modelet e tyre nuk duhet të jenë njerëzit e ndershëm e të punës, por modelet e Big Brother-it, Përputhen, etj, etj.
Janë të rinjtë, që panë se sa shpejt bën para kur je pranë të fortëve, në krim, në rrugë e politikë. Janë të rinjtë që e panë se pasaporta për të ecur përpara është sufllaqja e partive.
Janë të rinjtë pa shoqëri, të mbyllur, pa marrëdhënie sociale, të cilët ftohen të votojnë…

Çfarë? Cilët?

Të rinjtë duan vizion, shpresë, kërkojnë njerëz që do t’u besojnë; politikanë ë nuk do t’u thonë gënjeshtra dhe jo politikanë që thjesht do t’u rrahin shpatullat.

Janë të rinjë që kërkojnë një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri vlerash dhe meritokracie, që nuk do ta pranojë korrupsionin, mitmarrjen, shitblerjen e dinjitetit. Një Shqipëri ku ata që kanë vlera do të vlerësohen, ndërsa të tjerët do të ngelen në cep.

Këto të shohin politikanët tanë të vjetër me kostume rinore. Ndoshta do ta kuptojnë se nuk mund t’u flasin të rinjve me sllogane e t’u sillen thjesht si “klientë” e elektorat potencial i momentit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular