Presidenti Joe Biden pritet të shpallë zyrtarisht vendimin e tij për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 javën e ardhshme, thanë të enjten tre persona të informuar mbi diskutimet lidhur me këtë çështje.
Personat, të cilët folën në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve Associated Press, thanë se nuk ishin në dijeni se ishte marrë një vendim përfundimtar për kohën, por se zoti Biden synon ta bëjë këtë të martën, më 25 prill, pikërisht katër vjet pasi ai hyri në garën presidenciale të vitit 2020. Njoftimi pritet të bëhet përmes publikimit të një video mesazhi drejtuar mbështetësve të tij.
Presidenti Biden e ka përsëritur shpesh synimin e tij për të kandiduar për një mandat të dytë, por këshilltarët e tij thonë se ai nuk e shihte si të nevojshëm fillimin e fushatës më herët sepse ai nuk përballet me kundërshtarë të fortë në përpjekjen për të siguruar emërimin e partisë demokrate.
Zoti Biden në muajt e fundit është përqendruar në zbatimin e ligjeve të më mëdha të infrastrukturës, investimeve në fushën e teknologjisë dhe klimës të miratuara gjatë dy viteve të tij të para në detyrë dhe në krijimin e një kontrasti të fortë me republikanët ndërsa Uashingtoni po përgatitet për një betejë mbi tavanin e borxhit. Këshilltarët e tij besojnë se këto përparësi do të përmirësojnë imazhin e tij përpara fushatës për të siguruar një mandat të dytë presidencial.
Presidenti Biden ka ftuar donatorët kryesorë demokratë në Uashington javën e ardhshme për atë që pritej të ishte një darkë me të dhe një seancë strategjike me këshilltarët e tij kryesorë politikë.
Gazeta Washington Post raportoi e para për kohën në të cilën zoti Biden pritet të njoftojë fillimin e fushatës për një mandate të dytë në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuar.