BallinaKryesoreISP: Task-Force e vonuar, koha të ndalet qartësisht (keq)përdorimi i burimeve shtetërore...

ISP: Task-Force e vonuar, koha të ndalet qartësisht (keq)përdorimi i burimeve shtetërore për fushatat elektorale të partive

Keqpërdorimi i burimeve shtetërore mbetet një prej shqetësimeve kryesore në raportet e ODIHR/OSBE 2019 dhe 2021, si dhe një prej shqetësimeve kryesore të ngritura nga shoqëria civile dhe media, monitoruese të procesit zgjedhor.

Instituti i Studimeve Politike (ISP), ndonëse e konsideron të vonuar, mirëpret vendimin e Këshillit të Ministrave për ngritjen e Task-Force për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore për vitin 2023. Keqpërdorimi i burimeve shtetërore mbetet një prej shqetësimeve kryesore në raportet e ODIHR/OSBE 2019 dhe 2021, si dhe një prej shqetësimeve kryesore të ngritura nga shoqëria civile dhe media, monitoruese të procesit zgjedhor. Vendimi i Qeverisë konfirmon shqetësimin dhe përballjen me kritikat, duke pranuar rekomandimin për Task Force, të refuzuar në procesin elektoral të vitit 2021.

ISP vlerëson se referuar praktikës së viteve 2013-2021 ngritja e Task Force nuk ka sjellë ndryshim cilësor në standardet zgjedhore dhe as në rolin e qeverisë dhe administratës publike në zgjedhje, gjithsesi, ajo shërben më shumë si mekanizëm përmes të cilit grupet monitoruese joqeveritare kanë mundësi të adresojnë denoncime dhe të matin raportet midis deklarimeve dhe sjelljeve reale të zyrtarëve të lartë, përfshirë ministra dhe drejtues të enteve publike.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka mbajtur shënim raste të shumta të keqpërdorimit të burimeve shtetërore, përfshirë nga kryeministri, i cili produktet institucionale (aktivitete, agjenda, takime, vendime, deri edhe foto e video të prodhuara nga struktura që paguhen me paratë publike) i konsideron personale dhe partiake. Një adresim i ISP me këtë rast në Agjencisë për Media dhe Informimin, nuk mori përgjigje solide dhe nuk solli zgjidhjen e problemit, sipas praktikave të mira ligjore, – tregues kritik për konceptin e zyrës kryesore ekzekutive mbi rolin e shtetit dhe qeverisë në fushata elektorale dhe raportin me paratë publike.

Task Force nuk ka përfshirë bashkitë dhe referuar zyrtarëve përgjegjës për zbatimin e saj vjen edhe në konflikt interesi, derisa vetë zv/kryeministri dhe ministrat janë drejtues të fushatave lokale për bashkitë, si dhe pjesë e denoncimeve për përdorimin e burimeve shtetërore, fëmijëve, shkollave, spitaleve dhe enteve të tjera shtetërore e publike në funksion elektoral. Të gjitha entet publike në varësi të zv/kryeministres, si dhe zyrtarët drejtues, janë ndjekës dhe aktivistë aktivë në promovimin e aktiviteteve të saj elektorale në mediat sociale. Të njëjtat praktika mbështetëse dhe promovuese për ministrat titullarë në fushatë janë evidentuar në sektorët e tjerë, në arsim, shëndetësi, bujqësi, turizëm, etj, një devijim i ndjeshëm nga parimet ligjore të shtetit të së drejtës dhe tregues i identifikimit të gabuar të institucioneve të shtetit me partinë politikë ne qeverisje.

Parimisht ISP mirëpret dispozitën e VKM që parashikon monitorimin e Task Force nga shoqëria civile që kryen monitorimin e procesit zgjedhor dhe shpreson që kjo të mundësohet realisht, ndërkohë që ende asnjë ministri nuk ka zbatuar dispozitat e kërkuara nga VKM lidhur me aktivitetet dhe projektet dhe vetë VKM ishte produkt i një procesi pa konsultim publik.

ISP fton drejtuesit e Task Force të bëjnë publike të gjitha raportimet dhe të krijojnë akses publik për raportime kritike që vijnë nga shoqëria civile, media dhe aktorë të tjerë monitorues, si dhe të marrë në shqyrtim çdo rast abuzimi me burimet shtetërore, pa tentuar të dublojë / zëvendësojë KQZ në ushtrimin e kompetencës që i njeh Kodi Zgjedhor. Gjithashtu Task Force të bëjë publike listën emërore të anëtarëve të KZAZ-ve, KQV, etj, të punonjësve shtetërore (nëpunës publikë dhe ata me status civil) që zyrtarisht kanë njoftuar përfshirjen në aktivitetet elektorale, si dhe listën e emërimeve të kryera në të gjitha nivelet e administratës publike (me kohë të pjesshme ose të plotë) gjatë periudhës janar-prill 2023. Akte të tilla do të ishin tregues se Task Force përligj VKM dhe përgjegjësitë që burojnë prej tij.

Instituti i Studimeve Politike (ISP)

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular