BallinaEkonomiProf.Asoc.Dr. Elvin Meka: Rritjet e sforcuara të pagave do të çojnë në...

Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka: Rritjet e sforcuara të pagave do të çojnë në çmime më të larta

Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka, dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetit Europian të Tiranës, thotë serritjet e sforcuara të pagave për të zgjeruar kërkesën në treg, kur fuqia prodhuese e ekonomisë dhe produktiviteti nuk i përgjigjen kësaj tendence do të çojë pashmangshëm, në inflacion më të lartë.

Meka thotë se rritja reale e pagave sigurohet me një zgjerim ekonomik mbi 5-6% dhe kur produktiviteti i saj përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme.

A ka hapësira të pashfrytëzuara ekonomia shqiptare, sidomos sektori privat, për rritjen e pagave? 

Çështja e pagave në ekonomi është tejet komplekse dhe nuk mund të jepet një përgjigje e shpejtë dhe shteruese me këtë rast.

Natyrisht ajo që mund të pohohet është se gjithmonë ka hapësira për rritje pagash, aty ku produktiviteti rritet shpejt e që në logjikë normale pune dhe biznesi duhet të shoqërohet dhe me rritje page.

Në term makro, ekonomia ka hapësirë për rritje reale pagash, kur sigurohet një zgjerim ekonomik mbi 5-6% dhe kur produktiviteti i saj përmirësohet  qëndrueshëm.

Pa këto dy elemente, çdo rritje tjetër është me efekte afatshkurtra dhe pa logjikë të fortë ekonomike dhe kthehet në kosto për biznesin dhe propagandë për qeverinë.

Cilët sektorë kanë më shumë hapësirë dhe cilët më pak? 

Teknikisht, Shqipëria nuk ka shumë sektorë në të cilët prodhohet ose nga të cilët ofrohen produkte apo shërbime me vlerë të shtuar të lartë, që përgjithësisht janë bizneset të cilat mund të kenë apo krijojnë hapësira për rritje të shpejtë të produktivitetit dhe kuptueshëm, edhe potencial për rritje të mëtejshme pagash.

Besoj se ata sektorë që e kanë një tipar të tillë tashmë e kanë bërë këtë gjë me kohë, pa pritur deklaratën e kryeministrit për rritjen e afërt dhe afatmesme të pagave në administratën shtetërore. Pavarësisht kësaj, sektorë të tillë janë shumë të kufizuar në Shqipëri, si p.sh.: shërbimet e IT dhe komunikimit, kontabilitetit dhe auditimit për klientët e huaj, etj.

Sektorët tradicionalë, si: tregtia, shërbimet tradicionale, prodhimi industrial fason kanë shumë pak hapësira, përpos ndryshimit të qasjes dhe modelit të tyre të biznesit, që mund t’u japë avantazh relativ në treg në raport me aktorët e tjerë më pak të sofistikuar.

Përdorimi i pagave si një mjet i shpejtë për stimulimin e forcës së punës, pa kaluar në një shkallë më të lartë të produktivitetit, a mund të bëhet shkak për rritjen e inflacionit? 

Padyshim që politika të tilla të sforcuara, për të shtuar kërkesën në treg, kur fuqia prodhues e ekonomisë dhe produktiviteti nuk i përgjigjen kësaj tendence, do të çojë pashmangshëm në zgjerim të inflacionit, madje kjo tashmë ka filluar, pasi tregtarët në treg gjithmonë i bëjnë parapritje çdo lloj rritje pagash apo pagesash në ekonomi, si rrjedhojë e funksionimit të mekanizimit të kërkesë-ofertës.

Ekonomia po përjetonte edhe më parë një efekt të tillë nga rritja e detyruar e pagave thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërkohë një premtim i fundit i Kryeministrit, për rritjen thelbësore të tyre që këtë vit e deri në 2025-n, duket se i ka hedhur edhe më shumë “benzinë” zjarrit, ende të pashuar të inflacionit në ekonomi

Përveç rritjes së pagave, si duhet të rimodelohet ekonomia, në mënyrë që të kemi paga efektive?

Kjo është një pyetje që i ka qëndruar ekonomisë shqiptarë të paktën për 10 vitet e fundit, kur u pa se mbarimi i reformave madhore ekonomike, politike dhe sociale nxorën si imperativ nevojën e zbatimit të një modeli të ri ekonomik për Shqipërinë, duke synuar kthimin e vendit në një ekonomi të bazuar gjerësisht vetëm në treg dhe shërbime, apo industri fason (që karakterizohen nga produktiviteti dhe vlera e shtuar e ulët, e që angazhojnë fuqi punëtore të pakualifikuar apo të “shtrenjtë”).

Pra ekonomi e bazuar vetëm në avantazhin konkurrues të fuqisë së lirë punëtore, në një ekonomi që zhvillon dhe mbështet sektorë që rriten shpejt, kanë produktivitet të lartë, prodhojnë vlerë të lartë të shtuar dhe angazhojnë fuqi punëtore shumë të kualifikuar.

Natyrisht, një gjë të tillë e sigurojnë vetëm sektorët e rinj të ekonomisë, industria prodhuese, shërbimet shumë cilësore dhe me vlerë të lartë të shtuar.

E gjitha kjo kërkon angazhim serioz të qeverisë, ku detyra e saj duhet të jetë shpallja e inovacionit dhe nxitja e kërkimit shkencor si politikë publike me fusha konkrete aplikimi, jo thjesht në IT dhe komunikim, por edhe në industri prodhuese dhe bujqësi. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular