Hasan Bruçi ikona e rezistencës ndaj diktaturës. Nuk u kolektivizua, u burgos, u shpall kulak, koha i dha të drejtë

0
1749

Shqipëria ka vuajtur një nga regjimet komuniste më të egra dhe më vrastare! Veç persekucionit për bindjet politike dhe shkatërrimit të një klase të tërë të shoqërisë e shkolluar në universitetet më të mira në Perëndim, pushteti iu mori pasuritë, e thika në palcë shkoi deri atje sa edhe pse jetoje në fshat nuk mund të merreshin me blegtori pasi nuk e lejonte partia! Që nga dita e parë e instalimit me ardhjen e PKSH në pushtet vendi mori tatëpjetën, por me kolektivizimin do të mbushej kupa! Regjimi nisi të iu marrë tokën dhe bagëtinë e pas kësaj një banori në zonën rurale nuk i kishte ngel gjë tjetër veç t’i merrje shpirtin! Në mënyrë të dhunshme ndodhi edhe kjo, por ka raste, e njëri është ky që po trajtojmë sot nuk pranoi dhe u përballë me diktaturën! Ai nuk u dorëzua në komunizëm megjithë vuajtjet me të cilat u përballë, kaloi afro 3 dekada jetë edhe pas rënies së komunizmit duke parë më sytë e tij pseudodemokracinë dhe kalimin e pushtetit ndër komunistë nga njëra dorë në tjetrën. Zoti e deshi dhe ai ishte i fortë duke mbërritur në gati një shekull jetë, deri ditën kur u nda nga kjo botë më 20 prill të vitit 2018. Ishte i fortë dhe energjik… . Kur të gjithë iu nënshtruan diktaturës, regjimit vrastar të Enver Hoxhës, ky burrë nuk do ta bënte një gjë të tillë. U burgos, vuajti shumë persekutimin, por nuk pranoi të gjunjëzohej. Mbrojti integritetin e emrit dhe familjes së tij, nuk pranoi kolektivizimin, pranoi të shpallej “kulak”, por jo të nënshtrohej përballë një nisme si kolektivizimi
Quhet Hasan Ali Bruçi nga Lura e Dibrës. Një personalitet që teksa dimë historinë e jetës së tij, kur ke parasysh regjimin hoxhist, mund të mendosh që ajo çfarë do të rrëfehet në këta rrjeshta mund të mos jetë e vërtetë, por realisht është. Të gjithë në Lurë, dhe jo vetëm atje por dhe në Dibër e më gjerë, e dinë këtë histori. Hasan Bruçi pranoi burgun, persekucionin, izolimin nga shoqëria me porosi partie, por qëndroi me dinjitet në shtëpinë e tij. Banorët e Lurës në Rrethin e Dibrës e respektonin në heshtje atë dhe familjen e tij, edhe pse përballeshin me një lloj frike prej regjimit, i cili ushtronte presion tek qytetarët, që të mos takonin apo t´i shkonin për gëzime apo hidhërime ˝kulakut˝, pra armikut të klasës. Hasani gjithë jetën e tij ka qenë një njeri punëtor, ishte i martuar me Fatime (Bucin) Bruçi, këta lindën 6 fëmijë: 5 vajza dhe 1 djalë (Nazlije, Fazilja, Baftia, Xhevahirja, Shyqyria dhe djali Petrit).
Burgosja e Hasanit, por kurrë nuk iu dorëzua komunizmit.
Hasan Bruçi nuk do të pajtohej në asnjë mënyrë me regjimin komunist. Çdo gjë që bënte diktatura e neveriste. Ti merrje tokën dhe bagëtinë fshatarëve ishte sikur t´i merrje shpirtin. E kur nisi kolektivizimi, Hasan Bruçi në asnjë mënyrë nuk do të pranonte t´i bashkohej kësaj marrëzie të udhëheqjes komuniste, së cilës iu bashkuan edhe qytetarët si pasojë e frikës dhe dhunës së ushtruar nga regjimi për ta pranuar si nisëm. Hasanit do t´i kushtonte shumë ky fakt, por nuk do ta trembte. Do të rezistonte fuqishëm, madje ai do të përballej me komunistët e devotshëm, të cilët u hodhën si gjeli majë plehut për t´i marrë pasurinë. Do të burgosej tri herë ku do t´i bëhej presion që t´i bashkohej nisnmës së partisë. Pranoi burgun, nuk u josh asnjëherë, edhe pse tërthorazi i thoshin se do ta lironin nga burgu nëse pranonte kolektivizimin. Hasan Bruçi ishte i qartë në atë çfarë kërkonte dhe mendonte. Vazhdoi të mbante bagëtitë dhe një pjesë të konsiderueshme të tokës, teksa kjo ishte një utopi ta mendoje në atë kohë. Nuk pranoi e sigurisht nuk iu ofruan shërbime në komunizëm, derisa shkuan deri atje sa as bukë nuk i jepnin në furrat e kooperativës. Marria komuniste u kishte hequr çdo gjë fshatarëve, të cilët për një rast fatkeqësie apo gëzimi duheshin bërë disa letra pas kërkesës paraprake për të therur një kokë bagëti. Kjo nuk ndodhte në shtëpinë e Hasan Bruçit. Në konakun e tij në Lurë, mish dhe bulmet gjeje sa të doje e në çdo kohë dhe madje më kujtohet një detaj interesant. Ndodhte që nënat të cilat kishin lindur dhe nuk kishin gji për të ushqyer bebin, e në pamundësi për të mos trokitur në një derë tjetër, i drejtoheshin me tasa në duar bashkëshortes së Hasanit, Fatime (Bucit) Bruçit duke i thirruar: ˝O Fateme (kështu e thërrisnin lurasit) a mund të na japësh pak qumësht për fëmijën?˝. Dëshira për të rritur fëmijën në pamundësi të hapjes së një dere tjetër i detyronte të trokisnin në derën e ˝armikut˝ të partisë, por që ajo shtëpi ishte si çdo shtëpi tjetër, veçse e deklasuar nga partia. E natyrisht, zemërgjerësia e asaj gruaje me zemër të madhe që u nda nga jeta para kohe, do të bënte që kusia e qumështit dhjetëlitërshe më shumë se gjysmë të shpërndahej për bashkëfshatarët e saj në raste nevoje ose jo. Fatimja ishte një grua dinjitoze dhe këtë gjë e bënte pa ia kërkuar njeri dhe çdo ditë.
Krushqitë tek të persekutuarit, e vetmja rrugë për martesën e fëmijëve.
Hasan Bruçi kishte një kalvar më vete edhe martesat e fëmijëve. Për arsye të biografisë ˝të keqe˝ askush nuk do ta kishte të lehtë që të  martohej me vajzat dhe djalin e tij, ndaj duhej të pikaste familjet e tjera të persekutuara në zonë apo në kufi me Lurën, si Kukës, Burrel, etj. E kështu, vajzën e madhe, Nazlijen, do ta martonte me Osman Hysën vetëm pak kilometra nga Lura, në fshatin Lashkizë të Komunës Zall‑Dardhë të rrethit Dibër, një familje kjo e persekutuar, patriotike dhe nacionaliste me të burgosur dhe të vdekur në burgjet komuniste dhe me kontribut për Atdheun. Vajzën tjetër, Baftijen, sërish nuk do ta martonte larg, por në Gurë‑Reç në familjen Gjurra, një familje nacionaliste, atdhetare. Baftija do të martohej me Ismail Gjurrën, djalin e Adem Gjurrës, një emër i njohur për aktivitetin patriotik si gjatë kohës që ishte në Shqipëri, por edhe i burgosur në burgjet e Jugosllavisë. Adem Gjurra do të kishte aktivitet të zgjeruar patriotik dhe pas vendosjes në SHBA. Vajzës tjetër, Fazilen, do ta martonte me Riza Shehun (Kasemin) në Burrel sërish në një familje të persekutuar nga regjimi komunist. Të njëjtën gjë do të bënte edhe me vajzën tjetër, Shyqyrien, apo djalin që do ta martonte po me një vajzë nga i njëjti fis në Mat dhe për arsye të ndarjes nga jeta të bashkëshortes sërish djali i Hasanit, Petriti, u martua me një vajzë nga Dukagjini. Xhevahiren do ta martonte në Arrën e Kukësit me Sadik Markun, një familje e persekutuar dhe e masakruar nga regjimi komunist, por një familje me traditë, e nderuar, atdhetare, bujare dhe e respektuar në zonë dhe më gjerë. Përpos gjithë këtij kalvari vuajtjesh, përbuzjesh në komunizëm, izolim ndaj shoqërisë, Hasan Bruçi asnjëherë të vetme nuk do të dekurajohej. Përkundrazi, ai kishte një bindje të brendshme se regjimi nuk do ta kishte të gjatë dhe Enver Hoxha do të binte.
Nipërit dhe mbesat do t´i inkurajonte të qëndronin dhe të mos gjunjëzoheshin, por sa herë që të tentonin t´i rrëzonin, të ngriheshin edhe më të fortë. Kujtojmë që Hasan Bruçi është edhe pjesë e një familjeje të persekutuar siç është familja Bruçi, ku komunistët teksa po instalonin regjimin vrastar përmes togave partizane në Shqipëri pushkatuan një nga të afërmit e tij, Gani Bruçi.
Jetoi me dinjitet, nuk njohur mëshirë! Mbetet frymëzim
dhe busull orientimi se si duhet të mbetesh i ndershëm
Viti 1990, viti që shëron dhe rrëzimin e diktaturës, do ta gjente Hasan Bruçin të padorëzuar. Ai erdhi deri në këtë ditë i pakolektivizuar. Koha i dha të drejtë këtij burri. Ndonëse nën zë bashkëfshatarët  e miratonin veprimin e tij, nuk kishin guximin për ta bërë një gjë të tillë, ndaj edhe publikisht tashmë do t´i pohonin se ai ishte një qëndrestar, për të cilin respekti duhej të ishte i pa kufishëm. Hasan Bruçi do të ishte një shembull për brezat se si duke mos u dorëzuar, kur ke të drejtë, mund të fitosh. Është rasti për të pasur këtë burrë si frymëzim për rrugën e suksesit në demokraci përballë së cilës të dalin pengesa. Gjatë 32 viteve të demokracisë, sikurse në komunizëm Hasan Bruçi iu përkushtua pronës së vetë private, duke punuar pavarësisht moshës, i cili edhe pse në këtë moshë e sheh me kosë në dorë duke kositur barin e livadheve poshtë shtëpisë së tij. As ne demokraci dora e zgjatur komuniste ne pushtet lokal dhe qendror nuk do ta konsideronte dhe ta vlerësonte! Ky njeri nuk ka pritur dhe as pret kurrë lëmoshë, e ka ditur dhe e di që veçse me punë, drejtësi, me djersën e ballit mund t´ia dalësh. Këtë gjë ai ua ka theksuar dhjetëra nipërve e mbesave sa herë ka folur me ta rreth vuajtjeve në komunizëm dhe punës së palodhur në demokraci. Ka 5 vite që prehet në botën tjetër, duke l;ënë pas shembullin dhe busullën e orientimit për të afërmit dhe ata që e kanë njohur se si duhet të jetë dinjitoz. Prehu në paqe gjyshi im Hasan Bruçi, gjërat këtej janë sic i ke lënë ende me shpresën se do të ndryshojnë! Mina HYSA