Nga Bujar Leskaj
Euro e nisi këtë javë me rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me lekun, duke zbritur për herë të parë poshtë kufirit të 112 lekëve dhe duke regjistruar një rekord të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 111.81 lekë.
Agjentët e tregut të këmbimit valutor shprehen se rënia e euros në nivele të paprecedentë është e lidhur me ofertën shumë të lartë të monedhës europiane, që mund të shpjegohet me disa faktorë. Kryesisht, ata cilësojnë se kjo ofertë e pazakontë e euros në një kohë jo tipike turistike, si muaji prill, ka të bëjë me paranë informale dhe kryesisht të pistë, nga trafiqet e paligjshme, që po vërshon “lumë”, sipas tyre, në fushatën e zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Në teori, do të ishte e pritshme që zgjedhjet të ndikonin më shumë në nënçmimin e lekut, monedhës vendase, si pasojë e ofertës nga rritja e shpenzimeve publike gjatë muajve para zgjedhjeve.
Mirëpo, në fakt, një efekt i tillë nuk po shihet, madje po ndodh e kundërta. Agjentët e këmbimit valutor vlerësojnë se flukset e shtuara të valutës së huaj dhe kryesisht të euros, por të padeklaruara, thithen nga edhe fushata zgjedhore, e cila po luan një rol të vetin në rritjen e prurjeve të euros dhe në zhvlerësimin e saj në tregun tonë.
Dëshmi e prurjeve shumë të mëdha të euros është edhe fakti se nënçmimi i euros nuk po ndalet as nga blerjet e Bankës së Shqipërisë, në shuma të konsiderueshme. Në dy javët e fundit, Banka e Shqipërisë ka blerë më shumë se 25 milionë euro në tregun e brendshëm, për nevojat e administrimit të rezervës valutore. E megjithatë, as kjo nuk e ka frenuar zhvlerësimin e vazhdueshëm të monedhës europiane.
Agjentët e tregut të këmbimit valutor cilësojnë se zbritja e mëtejshme e vlerës së euros do të vazhdojë deri në datën 13 maj, për t’u ndalur aty.