Preç Zogaj
Partia Demokratike e busullës euroatllantike po zhvillon për herë të parë në historinë e saj një fushatë elektorale kombëtare, të cilën Sali Berisha nuk e drejton as drejtpërsëdrejti, as përmes një tjetri të caktuar apo të pëlqyer prej tij. Në të kundërtën, ai zgjodhi të ishte kundërshtari më i egër i saj, duke refuzuar propozimin e Enlekejd Alibeajt për t’u bashkuar në bazë të një marrëveshjeje angazhuese të dy grupeve rreth kandidatëve unikë të dalë kryesisht nga primaret e Rithemelimit. Në zbatim, një marrëveshje e tillë do të mund t’i siguronte opozitës së bashkuar plurale një rezultat fitues në zgjedhjet vendore.
Duke e refuzuar, Berisha praktikisht i ka privuar demokratët dhe opozitarët nga mundësia për të festuar fitoren në një numër të konsiderueshëm bashkish. Jo se ka pengesa për ta synuar këtë. PD zyrtare nuk ka kandidatë për kryetarë në më shumë se tre të katërtat e bashkive. Shumë prej anëtarëve dhe simpatizantëve të saj në këto bashki janë të motivuar të votojnë krahas subjektit PD për këshilltarët bashkiakë, kandidatin e aleancës “Bashkë fitojmë” për kryetarë bashkie. Në ato pak bashki ku PD ka kandidatë krerët e saj nuk janë gjithnjë në unison në mbështetjen e tyre. Ka që mbështesin publikisht kandidatët e Berishës. Me fjalë të tjera, Berisha e ka rrugën autostradë. Por tjetër gjë do të ishte një marrëveshje angazhuese e palëve politike dhe krejt tjetër gjë janë vendimet e individëve apo grupimeve lokale. Marrëveshja do të ishte shumë me rezultateve.
E risollëm në vëmendjen e lexueseve këtë përmbledhje sepse ajo shpjegon më mirë se asgjë përmbajtjen dhe objektivat e kundërta të fushatës së Berishës në një anë dhe të Alibeajt në krye të PD-së në anën tjetër.
Ndjekësit duhet t’ja kishin bërë Berishës pyetjen pse refuzoi propozimin e Alibeajt. Kur ta shohin sa shtrenjtë u ka kushtuar ky refuzim do të jetë vonë për ta. Berisha ka kaq njohuri dhe përvojë politike sa të kuptonte se propozimi për të dalë me kandidatë unikë ishte në interes të gjithë demokratëve. Por ai bëri një zgjedhje: Midis mundësisë për tu siguruar demokratëve pushtetin në gjysmën e bashkive të vendit dhe synimit për të zhbërë në këto zgjedhje PD-në zyrtare, në pamundësi për t’i arritur të dyja, Berisha ka vënë në plan të parë të dytën, domethënë zhdukjen e PD-së zyrtare. Kandidatët për kryetarë bashkish le të marrin sa të mundin. Për ta punojnë gratis skandalet e Ramës dhe qeverisë së tij brenda e jashtë vendit. Diçka do të përfitojnë nga kjo.
Në të vërtetë, nisur nga pozita ku ndodhet dhe problemet që ka me partnerët amerikanë e perëndimorë, Berisha e ka menduar si politikan i regjur çfarë ka përparësi për të. Atij nuk i duhet gjë një fitore e demokratëve dhe opozitës që e mban pezull dhe shtyn në kohë zgjidhjen e konfliktit në PD. Ai kërkon ta zgjidhë tani, të marrë në këto zgjedhje ekskluzivitetin e opozitarizmit për t’u thënë të nesërmen partnerëve amerikanë, britanikë dhe europianë të Shqipërisë se e djathtas shqiptare është e gjitha me të dhe s’do t’ja dijë fare për vendimet që merrin ata kundër tij. Kaq.
Kjo nuk ka për të ndodhur. E djathta plurale shqiptare nuk do të marrë damkën që të jetë masivisht sfiduese e SHBA dhe Perëndimit. Për asnjë arsye. Partia Demokratike, sado e goditur që erdhi në këto zgjedhje dhe sado mjergull ngrenë rreth e rrotull saj drejtues dhe deputetë të pasinkronizuar me disiplinën e partisë, po çon përpara fushatën e vet autentike të drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeajt. Kjo fushatë është thelbësisht në shenjën e tij, si një politikan i gjeneratës së re, me prejardhje antikomuniste,-jo të antikomunizmit të shtirur e retorik, por të llojit përmbajtësor, që manifestohet si botëkuptim më i lartë, si sjellje dhe qasje demokratike. Alibeaj mishëron në mendim dhe në veprim arsyet e ndarjes që ka ndodhur e vazhdon në PD nga shtatori i vitit 2021 e këndej, vijën ndarëse bazë të rreshtimeve që është ajo e marrëdhënieve me SHBA dhe Perëndimin, e euroatlantimit pa asnjë ekuivok, që është sinonim i demokracisë, atdhetarizmit, shqiptarizmit.
Qëndrimit parimor dhe statuor se PD ka lindur e mund të jetë vetëm euroatlantike dhe nëse nuk është euroatlantike nuk është PD, i nënvendosen qëndrime të tjera autentike të kësaj partie që Alibeaj po i artikulon ditë për ditë në krye të fushatës. E tillë është mbështetja parimore konstante ndaj SPAK-ut dhe drejtësisë së re, si mundësia numër një për të vendosur sundimin e ligjit në Shqipëri. Asnjë forcë tjetër politike me peshë në këto zgjedhje nuk është kaq e qartë dhe kaq e vendosur sa PD në mbështetje të drejtësisë. Asnjë forcë tjetër si ajo dhe asnjë drejtues fushate nuk është kaq konkret sa Alibeaj në përmendjen me emër të oligarkëve dypartiake PS-Rithemelim, si vërtetim i ngjashmërisë mes tyre. Asnjë forcë tjetër dhe asnjë politikan tjetër si Alibeaj nuk e ka target të fushatës kastën politike plurale dhe solidare tridhjetëvjeçare Rama-Berisha-Meta. Këto janë disa nga boshtet e fushatës me shenjën e Alibeajt, por ka dhe plot tema të tjera. Ai i dhe bashkëpunëtorët e tij, duke filluar me kandidatin për bashkinë e Tiranës , Roland Bejko e duke vazhduar me kryetarët e degëve të partisë në rrethe, i shpalosin për ditë me zgjedhësve. Synimi është trupëzimi dhe përfaqësimi me votë i elektoratit demokrat që nuk vë asgjë mbi orientimin dhe ëndrrën perëndimore të brezave, që i ka rezistuar sirenave dhe sulmeve të Berishës, që duke punuar për një rezultat dinjitoz në këto zgjedhje , ka në mendje një të të nesërme të re të kësaj partie, reformimin dhe ringritjen e saj si alternativë perëndimore e së majtës.
Askush që ndihet i djathtë, që është kundër Ramës dhe qeverisë së tij, që nuk është dakord me Berishën dhe berishizmin nuk ka arsye të thotë s’kemi kë të votojmë. PD-ja është si asnjëherë tjetër. Alternativë e bëjnë zgjedhësit, vota e tyre. /Liberale.al/