BallinaKryesoreZgjedhjet lokale/ BIRN: Hasi zbrazet nga emigracioni, por fushata ngec tek akuzat...

Zgjedhjet lokale/ BIRN: Hasi zbrazet nga emigracioni, por fushata ngec tek akuzat për blerje vote

spot_img
spot_img

Në 18 prill, anëtarët e shtabit elektoral të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Hasit ndaluan djalin e kandidatit socialist, teksa drejtonte një furgon mallrash me pako ushqimore me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”.

Palët i dhanë ngjarjes interpretime të ndryshme.

Miftar Dauti, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” që drejtohet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, e sheh këtë si një provë të përpjekjeve të kundërshtarëve në pushtet për të blerë vota.

“Nuk e dëshiroja incidentin. Jam detyruar t’a denoncoj për të krijuar besim te elektorati,” tha Dauti, i cili është njëherazi edhe drejtuesi lokal i grupimit demokrat të njohur si “Rithemelimi”.

Kandidati socialist për bashkinë e Hasit, Beqir (Halit) Mula i mohon akuzat. Megjithëse nuk mund të japë ndonjë provë, ai akuzoi kundërshtarin për blerje të votave.

“Kundërshtari im ka si armë të vetme blerjen e votës dhe të më denigrojë mua dhe të intimidojë zgjedhësit,” tha Mula për BIRN.

Akuzat për blerje vote hapën siparin e fushatës në bashkinë e Hasit, ku të dy kandidatët kanë shpresë të fitojnë.

Bashkia e Hasit është e vetmja në qarkun e Kukësit që është fituar në garë nga socialistët në vitin 2011 dhe ka qenë prej atëherë në drejtimin e tyre. Megjithatë, në zgjedhjet e fundit opozita mori rreth 2 mijë vota më shumë se mazhoranca.

Bashkia hyn te njësitë e vogla, ku popullsia është gërryer nga emigracioni masiv.

Kreu i KZAZ-së, Sahit Jaku i tha BIRN se ata presin rreth 8 mijë votues – më pak se gjysma e atyre që janë të regjistruar.

Mullinj me erë

Ndërsa Hasi vuan prej vitesh emigracionin masiv, kryesisht drejt Mbretërisë së Bashkuar, kandidatët nuk duket se kanë ndonjë shpresë të ndalin largimet. Në të kundërt, kandidati opozitar thotë se sapo është kthyer nga një takim me rreth 600 emigrantë hasianë në Angli, për të cilët thotë se i kanë ofruar mbështetje.

“Hasjanët në Angli janë të lidhur shumë me vendlindjen. Jam surprizuar me takimin që pata me ta në Angli. Ishin rreth 600 veta në takim. Shumë prej tyre ishin të gatshëm të bashkëfinancojnë me bashkinë e Hasit projekte të ndryshme,” tha Dauti.

Kandidati i opozitës thotë se ka projekte zhvillimi për Hasin, duke listuar ato për energjinë eolike (të erës) dhe zhvillimin e blegtorisë, kryesisht atë të dhisë së Hasit. Por njëkohësisht, ai premton përmirësim të marrëdhënie ndërshtetërore me Kosovën dhe hapjen e pikë-kalimit të ri kufitar dhe lidhjes me rrugë të Pogajve me Gorozhupin e Hasit të Prizrenit.

Në krahun tjetër, kandidati socialist Mula premton një Has digjital.

Ai thotë se në 6 muaj do të krijojë hartën digjitale, ku bashkia të marrë nën kontroll territorin si dhe do të marrë pronësinë e tokave djerrë të krahinës. Edhe Mula premton se do të zhvillojë parqe të energjisë së erës.

“Më pas të thithim investime në tokat djerrë si për parqe eolike dhe fotovoltaike,” thotë kandidati.

Të dy kandidatët kanë premtime të mëdha edhe për të ndihmuar blegtorinë dhe bujqësinë e rajonit. Mula premton dyfishimin e krerëve dhe sipërfaqes së mbjellë dhe thotë se do të apelojë në ndihmën e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, AZHBR.

Edhe pse zona e Hasit ka qenë e njohur si një ndër zonat kryesore bujqësore dhe blegtorale në verilindje të Shqipërisë, aktualisht aty ka vetëm 2 agronomë dhe dy veterinerë, të katërt në prag të pensionit.

Mula thotë se e ka një zgjidhje për këtë dhe premton se bashkia do të stimulojë financiarisht maturantët “për të studiuar për agronomi dhe veterinari”, ndërsa rivali i tij, Dauti e kërkon zgjidhjen te diaspora.

“Do të importojmë kapacitetet për të realizuar projektet,” tha Dauti.

Kërcënimet dhe akuzat

Të mbetur pa kandidat të vetin, Partia Demokratike zyrtare e drejtuar nga Alibeaj i ka ofruar mbështetjen e vet Dautit, i cili në Has nuk rivalizohet nga lufta brenda llojit.

Grupet opozitare të Hasit duken të bashkuar për të rimarrë kontrollin e bashkisë.

Sahit Jaku, mjeku që përfaqëson PD-në zyrtare dhe po ashtu drejton KZAZ-në e Hasit, i tha BIRN se ata do të mbështesin kandidatin e koalicionit të Berishës.

“Në këto zgjedhje, bashkia e Hasit kërkon një figurë tjetër, pasi është bastion i së djathtës, por prej 12 vitesh udhëhiqet nga e majta. Duhet të ndryshojë edhe për hir të komunitetit hasjan,” tha Jaku.

Ai e lidh emigracionin masiv me keqqeverisjen dhe beson se kjo mund të ndryshojë me ndryshimin në krye të bashkisë.

“Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur largime masive. A mos ndryshimi i pushtetit i frenon këto largime?”, pyet ai.

Bashkimi i opozitës rreth kandidaturës së tij i ka dhënë besim Dautit se mund t’i fitojë zgjedhjet.

“Hasi është në maxhorancë i djathtë. Në zgjedhjet e vitit 2021, si Parti Demokratike në Has nën drejtimim tim morëm një rezultat historik me 2106 vota më shumë se PS-ja,” thotë Miftar Dauti, drejtues lokal i PD-së edhe në kohën kur partia drejtohej nga Basha.

Ai po ashtu ka një autokritikë. Edhe pse PD ka që prej 2011 në opozitë në Has, Dauti thotë se paraardhësit e tij demokrarë kishin keqqeverisur.

Por autokritikë kanë bërë edhe të majtët. Liman Morina, i cili mori bashkinë në zgjedhjet pa garë të 2019, thotë se nuk garoi për herë të dytë, pasi nuk kishte arritur rezultatet.

“Nuk i realizova të gjitha punët dhe mora përgjegjësinë mbi vete,” tha ai.

Gjithsesi, palët duken më shumë të fokusuara te akuzat ndaj njëri- tjetrit.

Dauti këmbëngul se ndalimi i furgonit me ndihma nuk është episodi i vetëm në drejtim të përpjekjeve për të blerë votuesit.

“I kam bërë thirrje rivalit tim për të vendosur disa piketa për fushatën, por nuk ka pranuar,” tha ai.

Por në shtabin socialist, akuzave u përgjigjen me akuza.

Pandeli Majko, drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Kukësit pretendon se blerës janë kundërshtarët dhe paralajmëron kandidatin e opozitës se pushteti i socialistëve është më jetëgjatë se zgjedhjet e 14 majit.

“E kam një porosi. Kandidati i PD-së të mos bëjë presion rrugëve të Hasit, pasi PS-ja është në pushtet edhe pas 14 majit,” tha Pandeli Majko./BIRN

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular