BallinaOP EDKur “sektet” lakmojnë edhe albanologjinë

Kur “sektet” lakmojnë edhe albanologjinë

ROMEO GURAKUQI

Prej ditës që në krye të Ak ademisë së Shkencave të RSH “kërceu” papritmas ish-ministri i Arsimit të Diktaturës, në rrethet akademike të Tiranës u vunë re dy zhvillime të pazakonta, që shkonin përkundrejt rrjedhës punëve dhe politikave kombëtare mbi qeverisjen e kërkimit shkencor, mënyrës së trajtimit të studiuesve, garantimit të standardeve të lirisë akademike dhe mbrojtjes se dinjitetit personal:

Së pari, në ASH filloi një lloj llogorizimi me sy nga i forti jetëgjatë, një lloj heshtjeje akomoduese dhe përuljeje, e pjesës më të madhe të pritësve edhe kur u shkel Kushtetuta (nenin 92, pika “g”, që ka të bëjë me emërimin e kryetarit të ASH nga Presidenti dhe parashikimet që ndalojnë kryetarin e një partie politike të jetë anëtar dhe drejtues në atë institucion), ngjashëm me rastet kur një i plotfuqishëm i kohëve të dikurshme mbërrinte rishtazi në dikaster; ndodhi edhe një proces rekrutimi anëtarësh të rinj që duhej të kalonin patjetër nëpër një “vrimë gjilpëre” të parisë politike dhe informative të zonës së parë, të një strukture sektare jo të deklaruar, me ndërlidhje njëkrahinore, nga bota e sundimtarëve të kohës së para vitit 1991; po ndodh edhe një proces çimentimi, në të njëjtën rreth sektar, i mekanizmave të transferimit të drejtimit të ASH, në rast dështimi të rizgjedhjes së “monarkut” aktual, drejt anëtarit të ngjashëm që shtyhet, duket dhe shfaqet me kotësinë e tij të spikatur. Së dyti, filloi një sulm permanent, lobim, akte dhe veprime të nëndheshme kundër një tjetër akademie, që ishte në punën e vet të caktuar nga ligja, që merrej me studime mbi kombin shqiptar, lashtësinë e tij, arkeologjinë, historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën, Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA).

Si llogorizimi, komisionimi dhe drejtimi regresist me formacion monist, me dorë të hekurt i ASH përkundër rregullave të transparencës publike, lirisë akademike, ashtu edhe përpjekja ekspansioniste kundër ASA dhe instituteve të studimeve shqiptare, përbëjnë çështje me rëndësi të posaçme publike, mbasi kanë të bëjnë me cenimin e autonomisë universitare, shkeljen e të drejtave të njeriut përmes goditjes së paprekshmërisë së profesoratit, që është në punën e vet të planifikuar, të mbrojtur nga Ligji 80/ 2015; një përpjekje e papërgjegjshme kjo edhe për prishjen e raporteve ndërkombëtare të ndërtuara nga ASA, etj…

Ndërkohë, po t’u shtonim këtyre sjelljeve, qëndrimeve edhe çështjen e alokimit, uzurpimit dhe përdorimit të pajustifikuar ende të fondeve publike të kërkimit shkencor mbi albanologjinë, të kaluara në mënyrë të paarsyetuar nga ASA tek ASH, institucion me zero struktura kërkimore, çështja do të merrte përmasa shumë më të ndërlikuara dhe rëndësia e hetimit publik nga ana e Parlamentit, e dorës më të parë. Sot dua të tregoj se si ambicia e administratës së emëruar nga kryetari informal i ASH ka mbërritur te disa zyra në MAS, të cilat në vend që të shqyrtonin legjitimitetin e aktivitetit administrativ të ASH për zgjedhjet atje, për përdorimin e fondeve publike, mënyrën e krijimit të departamenteve dhe grupeve kinse punuese të saj, po merret me një pengim e sabotim të koordinuar dhe të paprecedent kundër ASA.

Sulmi, sipas nesh, po kryhet me një mendjelehtësi të spikatur nga zyrtarë të rinj, anonimë për sferën studimore, që ngjajnë se kanë marrë një detyrë dhe nuk tuten aspak se ke prekin, çfarë prekin dhe ku godasin me veprimet e tyre aspak të përshtatshme dhe proporcionale. Mua më ngjan një punë aktivistësh sankylotë, por që domosdoshmërisht duhet ndalur dhe “zhveshur” nga ato pak kilota që mbajnë fshehur shpirtin stërvitor, dhe çarmatosur nga “sfurqet” që kanë marrë në dorë për të goditur ASA. Në tavolinën time të punës në ASA/ Institutin e Historisë kam përpara dy blloqe dokumentesh: 1. një draftraport të një Nënkomisioni për kontrollin e ASA të dërguar nga MAS, që mban datën 21 mars 2023, të titulluar:

”Mbi kontrollin e pajtueshmërisë së veprimtarisë së ASA, me aktet ligjore dhe nënligjore ne fuqi”; dhe 2. katër shkresa me të njëjtën përmbajtje, që mbajnë datën 21 prill 2023 me numër protokolli 166, 166/1, 166/2 dhe 166/3 te ardhura nga MAS ne ASA, që kanë të bëjnë me refuzimin nga ana e një grupi punues të MAS të aplikimit të ASA për hapjen e 4 programeve të Nivelit të Dytë të Studimit.

Gjeja e parë që të shkon ndër mend kur sheh që një institucioni publik me staf të plotë të brendshëm, i themeluar për arsye nacionale, vijues i një tradite të krijuar me marrëveshje ndërshqiptare, vendoset nën target diletant, i cenohet veprimtaria akademike, ndërkohë që një institucioni të privilegjuar privat, të drejtuar nga mamuthë kopjacë shumëkëmbësh, u hapën dyert në MAS për çdo tekë, u shtrohet rruga pa arsye të ligjshme dhe të bazuara në standardet e detyrueshme, është se kemi të bëjmë aventurizëm të programuar nga qarqe jashtë Qarkut Arbënor, ose për arsye politike dhe klienteliste, ose për skema të maskuara me kinse reformime, që operojnë në prapaskenë.

Jemi në prag zgjedhjesh dhe thesi i tekave, marrjes së favoreve dhe zhdrivillimit të ligjit nuk ka më kufi dhe askush nuk duhet të çuditet për këto manovrime nëntëdhjetënëntëshash ndërinstitucionalë. Për sa i përket shkresës së parë, asaj që regjistrues pa asnjë shënim biografik në botën e studiuesve, kanë guxuar të hartojnë për institucionin më të lartë kërkimor të shkencave albanologjike: kuptova se ai ishte i përpiluar së paku nga kontrollorë që nuk kanë një memorie institucionale të MAS, nuk kanë lexuar dokumentacion historik mbi QSA/ASA që gjendet në atë dikaster, nuk kanë asnjë njohuri mbi ndryshimet legjislative të kryera në vendin tonë në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, nuk kanë parë as dokumentacionin dhe korrespondencën që disponohet në institucionin nga kanë ardhur dhe as vendimet themeltare të krijimit të ASA.

Nga mënyra se si e kanë ndërtuar raportin që në titull, kuptoj që hartuesit nuk dinë se është Legjislatori (Parlamenti) ose Institucioni ekzekutiv i rangut të larte (Këshillimi i Ministrave ose MAS në këtë rast), ai që ka detyrimin institucional për plotësimin e kuadrit ligjor për të realizuar pajtueshmërinë e plotë të institucioneve që ka sistemi me ligjin e ri dhe më aktet që nxjerr qeveria ose MAS.

Mirëpo më ngjan se atyre që kanë ardhur në ASA për kontroll institucional, nuk u intereson ligji, veprimtaria e pamatë e punonjësve shkencorë të instituteve, arsyeja publike dhe shqiptaria, por veç urdhni i marrun dhe gjetja e halës në përpeq. Atyre u vijnë në ndihmë, në një farë mënyre, edhe mosveprimet e koordinuara të tre- katër viteve më parë të drejtuesve të ASA dhe të MAS, që u shpërblyen me vendosjen në nderim të përjetshëm në kupolën e pensionistëve të shkencës nga mëtuesit e ASH. Mbase jam gabim, por ngjan si një mosveprim i koordinuar, i përberë nga sabotime të pandëshkuara dhe të panjohura për stafin dhe institucionet legale të ASA, heshtje e MAS pararendës, rrahje shpatullash, ngjitje në kupolë dhe shpërblim titullar e financiar për këtë amulli të lënë pas, me mendësinë e atyre që përherë ecin me divizën: “Mbas meje le të bahet kiameti”.

Pyetja që shtroj është, si ka mundësi që për kontrollin e një institucioni kaq të rëndësishëm, ku është arshivuar trashëgimia e të gjitha instituteve të studimeve shqiptare nga Komisia Letrare e këndej, ku kanë punuar brezat e elitës albanologjike të kombit, të guxohet që të vendosën nën lupën dhe cinizmin e ca inspektorëve të panjohur dhe pa dijenitë e nevojshme për vendin ku kanë mbërritur ?! ASA, institucionet e saj të zgjedhura konform legjislacionit me urdhër të MAS, skuadra e ekspertëve që prej 18 muajsh po punojnë për rikompatibilitetin institucional, u kanë dhënë përgjigjen e rregullt “nën-komisionarëve” mbi çështjet e ngritura, mirëpo problemi që mbetet është ai që ceka në krye: vullneti i subjekteve që kanë në dorë frymëzimin governativ për të kryer detyrën, për të ndërmarrë veprimin e thirrur nga ligja, për të kryer plotësimet dhe për me dashtë me të vërtetë atë Shqipërinë ideale të letrave dhe studimeve, që mishërohet në frymën e brendshme punuese të ASA.

Për sa i përket ndërhyrjes së dytë penguese, shkresave mbi mohimin e të drejtës për rihapjen e programeve MA: hartuesit e shkresës refuzuese, pa dashje, ose pa kujdesin që ia kërkon posti, cenojnë të drejtat vepruese programore të Instituteve/Fakulteteve të Akademisë së Studimeve Albanologjike/ Shkollës Universitare të Studimeve të Avancuara dhe Kërkimit Shkencor. Ato shkresa, ose janë përpiluar nga punonjës me padijeni të plotë mbi thelbin e Ligjit 80/2015, ose nga “maliqër” që mendojnë se janë të mbrojtur nga llogaridhënia. Së pari, dua t’u kujtoj hartuesve të pavëmendshëm, se ligji barazon institutet përbërëse të një IAL me fakultetet dhe referenca e përpiluesit të shkresave numër 166 është nulë në pikëpamje të interpretimit juridik.

Nuk ka dy standarde në një ligj dhe përkufizimi i parë përçon rregull të njëjtë interpretimi në gjithë pjesën tjetër të aktit. Së dyti, dua t’ju kujtoj se ASA është një Shkollë e Studimeve të Avancuara, me 100 profesorë të brendshëm, me bibliotekë shumë të pasur librash të rrallë, dorëshkrimesh e letërkëmbimesh (Pamflet Section), me arkiva të pafundme, fototekë dhe fondin e plotë fotografik të Kolë Idromenos, site dhe fonde arkeologjike, muze dhe ndërtesa etj.,,

Pasuria intelektuale dhe veprimtaria shkencore e këtij institucioni është e njohur ndërkombëtarisht, pavarësisht pengesave, të diskriminimeve dhe trajtimeve të papërshtatshme nga arrogantët që ndërrohen në zyrat administrative. Ca punonjës që operojnë si ekzekutues terminalë urdhrash që vijnë nga “sekte” me sfond okult brenda politikës, hijeve të ish-regjimit brenda maxhorancës, rivaliteteve brenda shumicës, nuk mund të pengojnë aprovimin e programeve MA dhe PhD të instituteve/fakulteteve të ASA dhe as nuk duhet të lejohet t’u shkojë ndër mend cenimi i ASA.

Pyetja që bëhet në këtë rast është: si është e mundur që të njëjtët refuzues të ASA aprovojnë symbyllazi programe MA për institucione private, pa staf të mjaftueshëm të brendshëm, pa hapësira studimesh e kërkimesh, me studentë që nuk dihet se si frekuentojnë (në dijeninë time ligja imponon që MAS duhet të ushtrojë kontrolle verifikuese para dhënies së lejeve për programet e reja të institucioneve private, sidomos për sa i përket stafit krejt të brendshëm të verifikuar në regjistrin kombëtar të profesoratit), pa biblioteka dhe pa arkiva, pa asgjë që duhet për të plotësuar standardet e përcaktuara nga ligja për një IAL?!

Kjo vendimmarrje e përshkruar në këto dy shkresa është përkundër frymës së reformës së vitit 2015, madje do të thosha, se është në dorëheqje nga ajo frymë, nga ato parime reformuese dhe nga përgjegjësia ligjzbatuese e një institucioni. Pesë institutet kërkimore shkencore të RSH, që merren me Studimet Albanologjike, janë pjesë e traditës së studimeve shqiptare që kanë funksionuar në kryeqytet dhe mbështetja e tyre është interes kombëtar i dorës së parë. Ata nuk mund të jenë pjesë e anashkaluar e sistemit tonë universitar dhe kërkimor-shkencor nga burokratë që nuk ndjejnë përgjegjësinë e përcaktuar atyre nga ligja.

E nevojshme që vendimmarrësit të kenë parasysh se: në ligjin e vitit 2008, në Nenin 6, “Akademitë, Shkollat e larta dhe qendrat ndëruniversitare”, ka pasur ketë parashikim, mbi bazën e të cilit është themeluar QSA (sot ASA); pika 3: “Qendra ndëruniversitare zhvillon dhe promovon programe dhe projekte te kërkimit shkencor dhe ndihmon ne arsimim te avancuar pas ciklit te pare te studimeve universitare. Qendra Ndëruniversitare krijohet me vendim te Këshillit te Ministrave, me propozim të Ministrit….” . Ndërsa neni 4 i kreut të II ‘mbi organizimin e institucioneve të arsimit të lartë’, në pikën 4 shënonte: ‘Institucione të arsimit të lartë janë: universitetet, akademitë, kolegjet profesionale, shkollat e larta dhe qendrat ndëruniversitare’.

D.m.th., Qendra e Studimeve Albanologjike, është riformuar si Qendër Ndëruniversitare dhe ka funksionuar me VKM e vitit 2008. Duke qenë se ligji i vitit 2015 hoqi termin “qendra ndëruniversitare”, QSA u transformua ne Akademi e Studimeve Albanologjike për te qëndruar nën ligj (për shkak të pakujdesit të legjislatorit), por akomodimi i saktë kishte nevojë për rregullime që mundësojnë ekzistencën e pacenuar të institucionit albanologjik. Prandaj ekzistenca u rinkonfimua nga Urdhni i Ministres, zonjës Nikolla, 296/2018 dhe jo vetëm. ASA ka të gjithë strukturën e saj drejtuese të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe konform Ligjit për Arsimin e Lartë, 80/2015. Pra, me urdhër nga MAS, e me dekretim nga Presidenti i Republikës.

Për të përplotësuar kuadrin legjislativ u jam drejtuar, kabineteve të ministrave pararendës te arsimit, si edhe kabinetit të KM me propozimin për të kryer riakomodimet përkatëse, në mënyrë që ASA/QSA të riplotësohet dhe riarsyetohet si një institucion më së pari kërkimor, i studimeve të avancuara shkencore, ngjashëm me rastet e kolegjeve të kërkimit në EU, por edhe në Republikën e Kosovës. Sot po u drejtohem sërish autoriteteve guvernatore, duke risjellë Skicën e Ribërjes se një VKM të nevojshme, në mënyrë që nëngrupe të tilla jo kompetente mos të bëjnë shfaqje te papërshtatshme padijeje mbi shkencën, arsimin dhe ligjin. Mënyra më e mirë për të zgjidh problemin e papërcaktueshmërisë së ardhur nga mosdija e legjislatorit, pa kaluar në ndryshime në ligj mund të jetë kjo ndërhyrje:

1. Rikonfirmimi i VKM së vjetër ose hartimi i një VKM të re;

2. Mendoj se ASA ka nevojë për t’u trajtuar si një rast i veçantë në kuadrin e ligjit 80/2015. Statusin e veçantë, ajo e merr në përputhje me kreu III, seksioni 1, neni 17, pika 5, të Ligjit 80/2015 datë ”Për arsimin e lartë dhe kërkimit shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. Sipas këtij neni: “Institucionet e arsimit të lartë, që ofrojnë programe studimi në fusha me veprimtari akademike specifike, lidhur me organizimin dhe zhvillimin e procesit mësimor, gëzojnë status të veçantë. Ky status i jepet institucionit të arsimit të lartë me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrisë gjegjëse për arsimin e lartë”.

3. Kjo sepse, transformimi i QSA në ASA ka ndodhur tashmë dhe Ministria e Arsimit e ka njohur ndryshimin e emrit.

4. ASA është e formësuar dhe konsoliduar prej vitesh. Kjo ishte e domosdoshme kur u krijua QSA dhe institutet u shkëputën nga Akademia e Shkencave, por jo tani.

5. VKM-ja e re duhet të përqendrohet në tri drejtime kryesore: A-Statusi i veçantë do të duhet t’i njohë.

ASA-s veprimtari kryesisht kërkimore, në masën 70 % dhe mësimdhënëse në masën 30%; B- Statusi i veçantë i ASA-s do të duhet t’i japë asaj të drejtë të zhvillojë mastera dhe doktoratura, pa zhvilluar programin e parë të studimit. C- Statusi i veçantë i ASA-s do të duhet t’i lejojë edhe më tutje asaj si edhe më përpara, të drejtën mbrojtjes së titujve akademikë. E gjitha kjo thashë më sipër i referohet, statusit de facto special që ka ASA, referuar bazës ligjore të cituar më lart.

Ndaj, kërkesa ime tanimë jo vetëm zyrtare, por edhe publike, u drejtohet zonjës Ministre Evis Kushi, zotit Kryeministër Edi Rama, për vëmendjen e tyre të posaçme: ASA duhet të mbrohet dhe forcohet, mbasi është institucioni më elitar i kërkimeve shkencore albanologjike në Shqipëri. Juve të nderuar, ju bie barra të frenoni nga vërshimi i nëndheshëm dhe të largoni nga fushata e harbuar kundër ASA, të gjithë “përfituesit banalë”, që nuk kanë lidhje, as me shkencën, as me qenien shqiptare, të cilët kanë depërtuar pa dashje nëpër institucionet shkencore, administrative, bëjnë qoka dhe rrahin krahët e zaptuesve të privilegjeve të arsimit të lartë, të shkencës dhe financave shtetërore, dhe nga ana tjetër, sulmojnë Institucionin e Atdheut, qendrat më të rëndësishme të studimeve mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët.

Etja e rritur këtë vit për të garantuar trashëgiminë puniste në institucionin honorifik dhe justifikuar me domosdo fondet e marruna për kërkimin shkencor, nuk ka lidhje me jetën e përditshme të ASA. Hallet që kanë drejtuesit aktualë të ASH për transferimin e pushtetit dhe letrave të tij, pas përfundimit të mandatit, në duar të sigurta brenda sektorit politiko-klanor dhe në mënyrë të justifikuar, nuk janë çështje të ASA. Filtri i problematikave të tyre nuk kalon nga institucionet e ASA, por gjetkë, aty ku ndodhen vendet që mbajnë në dorë lupën e kontrollit të përgjegjshmërisë dhe shpjegueshmërisë. Autonomia e ASA është e mbrojtur nga Kushtetuta dhe legjislacioni i shtetit.

Asnjë institucion tjetër paralel, aq më pak institucioni honorifik i ASH, ose struktura të tjera që nuk kanë të bëjnë me fushën e studimeve, nuk kanë të drejta për të ndërhyrë në rrugë politike dhe të tjera të paparashikuara në legjislacionin shqiptar, për të cenuar independencën institucionale, duke ushtruar presione të stërholluara me shkresa dhe takime informale të paautorizuara, mbi jetën akademike të pesë instituteve kërkimore të studimeve shqiptare në Tiranë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular